050911 Somalia Hunger
6 Shtator 2011Ekspertët e OKB-së në Nairobi të hënën (5.9.) shpallën zyrtarisht një tjetër rajon të Somalisë si zonë të rrezikuar nga uria. Tani në gjashtë rajone të vendit afrikanolindor mbizotëron zyrtarisht emergjenca e urisë. Në to bën pjesë edhe kryeqyteti Mogadishu.
Ndihma vështirësohet nga sundimi i milicive islamistë në zonat e urisë
Ngjyra mbizotëruese në hartën e Somalisë në Kombet e Bashkuara është e kuqja. Thuajse i gjithë jugu i vendit ka këtë ngjyrë në hartë dhe kjo do të thotë se atje mbizotëron situatë emergjence, e cila kërkon ndërhyrje të shpejtë. Disa rajone janë madje me një ngjyrë alarmuese të kuqe të errët: janë këto zonat, për të cilat u shpall zyrtarisht emergjenca e urisë. Çdo ditë këtu vdesin njerëz, pasi nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Thatësira katastrofale në Kepin e Afrikës u ka marrë edhe atë pak, që u kishte mbetur për shkak të luftërave, që vazhdojnë prej dekadash me radhë.
Një zonë tjetër emergjence
Pesë rajoneve me emergjencë urie, iu shtua të hënën (5.9.) një tjetër. Ai shtrihet në atë pjesë të Somalisë, e cila mbahet e izoluar nga milicia radikale islamike, Al-Shabaab. Ndihmat humanitare nuk mbërrijnë tek njerëzit, edhe kur Kombet e Bashkuara përpiqen të lidhin marrëveshje me milicinë. Koordinatori i OKB-së për ndihmën emergjente, Mark Bowden, shpjegon: „Ne edhe më tej zhvillojmë bisedime në nivel lokal. Ne gjithashtu bashkëpunojmë me organizata, të cilat janë prej kohësh aktive në Somali. Ata e dinë se si duhet të lëvizësh atje.“
Në shumë zona nuk depërtojnë as ndihmësit lokalë
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 750.000 njerëz në Somali rrezikohen të vdesin nga uria, nëse situata mbetet e pandryshuar. Kriza nuk e ka arritur ende pikën kulmore: „Katër muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Ne duhet të stabilizojmë situatën. Kjo nuk është një krizë e cila do të përfundojë së shpejti. Na duhen mjete për të përforcuar misionin, në mënyrë që të mund t'u japim njerëzve në Somali mbështetjen, për të cilën kanë nevojë të madhe.“
Çdo ditë në kampet në vendet fqinje Kenia dhe Etiopi si dhe në kryeqytetin Mogadishu, mbërrijnë refugjatë të rraskapitur. Vdekshmëria veçanërisht në radhët e fëmijëve është e lartë. Rainer Lang, zëdhënës i organizatës humanitare kishtare Diakoni - Ndihmë për Katastrofat, është njohur me situatën në Mogadishu: „Në një spital kam parë fëmijë, të cilëve u kishte mbetur vetëm skeleti, aq ta paushqyer ishin dhe të sëmurë. Është vërtet e çuditshme, se si jetojnë ende. Njerëzit i kanë punët vërtet shumë keq, dhe kjo duket qartë. Janë në fund."
Organizatat humanitare paralajmërojnë se nuk pritet përmirësim edhe nëse në tetor do të fillojnë shirat e shumëpritura. Të korra do të ketë më e herëta vitin e ardhshëm. Deri atëherë njerëzit vazhdojnë të vuajnë nga uria dhe presin ndihmë.
Autor: Antje Diekhans/Eliana Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica