1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB: T'i japim fund tuberkulozit

Aida Cama
20 Shtator 2018

Tuberkulozi vitet e fundit është përhapur dhe kthyer në një nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekjes së njerëzve në botë, duke ia kaluar SIDA-s. OKB do të shtojë përpjekjet për lufitimin e kësaj sëmundjeje.

Tuberkulose Patient in Sudan
Fotografi: AP

Tuberkulozi (TB) është një nga sëmundjet bakteriale infektive që e shoqëron njerëzimin që nga koha e Egjiptit të lashtë. Por vitet e fundit infeksioni është përhapur dhe kthyer në një nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekjes së njerëzve në botë, duke ia kaluar SIDA-s. Në shumë vende TB është kthyer në epidemi.

1,3 milionë vetë humbën jetën vitin e kaluar nga TB në botë. Dhjetë milionë u sëmurën nga TB, prej tyre 5,8 milionë meshkuj, 3,2 milionë femra dhe 1 milionë fëmijë.

Për të shtuar forcat në luftën kundër TB, më 26 shtator në Kombet e Bashkura në New York do të mbahet takimi i parë i nivelit të lartë për tuberkulozin me moton „Së bashku t'i japim fund tuberkulozit". Në të priten të marrin pjesë kryetarë shtetesh nga më shumë se 100 vende. "Synimi është që të rriten përpjekjet që deri më 2030 t'i jepet fund epidemisë dhe të ulet me 90 përqind numri i vdekjeve nga TB. Për këtë duhen para dhe duhen mobilizuar fondet 13 miliardë dollarë", thotë Eric Goosby, i ngarkuari i OKB për tuberkulozin, në konferencën e shtypit.

Prezantimi i raportit global të tuberkulozit 2018, Tereza Kasaeva, Drejtore e Global TB Programme, WHO Koro Bessho, Fotografi: WHO

Secili vend ka nevoje për strategjinë e vet specifike me zgjidhje lokale. Vendet duhet të përmirësojnë strategjitë e tyre për diagnostikimin dhe trajtimin. Shumë i rëndësishëm është regjistrimi i rasteve të sëmundjeve. Në shumë vende TB është një nga sëmundjet që i nënshtrohet detyrimit për t'u regjistruar në Zyrën e Shëndetësisë.

Gati një e treta e popullsisë së botës është e infektuar me mikrobin e TB, por në një pjesë të vogël infeksioni zhvillohet në sëmundje. Trajtimi është shpesh i pamjaftueshëm, sepse kërkon antibiotikë që kushtojnë shtrenjtë, kërkon kohë të gjatë dhe shpesh nuk bëhet si duhet për shkak të gjendjes sociale. Por mungojnë edhe laboratorët për diagnostikimin dhe trajtimin. Në Evropën Lindore është vërejtur shtim i TB, sidomos me mikrobet multirezistente.

Të dhënat për sëmundjen e tuberkulozit në ShqipëriFotografi: extranet.who.int

Sipas të dhënave të OBSH, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Shqipëri ka pasur 503 raste sëmundjesh në vitin 2017 dhe 409 raste në vitin 2016. Në buxhetin e shtetit nuk janë parashikuar financime të luftës kundër TB.

Duke folur në Romë, në takimin rajonal të OBSH, kryeministri shqiptar i kërkoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë të rrisë ndikimin e saj në sektorin e shëndetit publik të vendeve.

Për Kosovën nuk nxirren dot të dhëna, sepse Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përfshirë vendin në të dhënat e Serbisë, ku ka pasur 1466 raste sëmundjesh me TB në vitin 2017.