1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Operacione antikanabis të policisë shqiptare në jug të vendit

Odise Kote6 Gusht 2007

Bëhet evidentimi i sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike përmes fotografimit ajror

Pamje simbolike: bimë mariuaneFotografi: DW

Edhe në këto ditë përvëluese të fillimgushtit, policia shqiptare po vazhdon operacionet antikanabis për të minimizuar sipërfaqet e mbjella prej banorëve të zozonave kryesisht rurale e malore. Zëdhënësi drejtorisë rajonale të policisë në Gjirokastër Gentian Mullahi thotë se gjatë dy ditëve të fundit në zonat malore të Tepelenës janë asgjësuar rreth 1200 rrënjë të bimëve narkotike.

Në rajonin jugor të Shqipërisë policia ka evidentuar përmes fotografimit ajror hartën e sipërfaqeve të mbjella me bimët narkotike. Një nga zonat problemore në këtë rajon vijon të mbetet Lazarati ku sipas policisë sipërfaqet e mbjella janë ende të konsiderueshme. Vetë kryetari komunës Dasho Aliko e ka pranuar faktin e mbjelljes së sipërfaqeve me bimë narkotike.

Trafiku lëndëve narkotike është një nga industritë më të sofistikuara që po realizohet në rajonin jugor të vendit, industri që ka përfshirë dhjetra persona që merren me të. Kultivuesit, përpunuesit, sekserët e gjetjes së mallit e deri tek ata që sigurojnë tregjet, rrjetet e shpërndarjes brenda e jashtë vendit, transportuesit e shpërndarësit e fitimeve janë hallka të një zinxhiri që vepron tashmë prej gati 16 vitesh në këtë rajon. Në mjaft prej rasteve në këto rrjete trafiku janë të përfshirë edhe zyrtarë lokalë të policisë e të antidrogës, si shqiptarë ashtu edhe të policisë greke. Rastet e fundit janë evidentuar gjatë 30 ditëve të fundit ku policia shqiptare ndaloi dy rrjete të këtij trafiku në Sarandë e Gjirokastër ku rreth 12 trafikantë ishin zyrtarë policie. Edhe policia greke ka ndaluar disa zyrtarë policie të përfshirë në këto rrjete. Zëdhënësi policisë në Gjirokastër Gentian Mullahi pohon se ka një bashkëpunim mjaft të mirë edhe në këtë drejtim mes dy policive të rajoneve kufitare të jugut të Shqipërisë dhe Greqisë së veriut.