1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të bëhet Twitter-i një agjenci lajmesh të rreme?

Carolina Chimoy
26 Prill 2022

Elon Musk-ut nuk i pëlqejnë rregullat. Nëse ai merr nën kontroll një nga platformat qendrore të komunikimit të botës moderne, kjo mund të jetë problem, është e mendimit Carolina Chimoy.

Karikaturë: Simboli i Twtitterit me kokën e Elon Musk-ut me duke cicëruar: "Twi, twi".
Karikaturë e Sergey Elkinit për DW: Askush nuk e di ende se sa do të ndryshojë Twitter-i kur Elon Musk-u ta ketë gëlltitur tërësisht zogun e vogëlFotografi: Sergey Elkin



Platforma Twitter është përshkruar nga Elon Musk-u si "sheshi kryesor i qytetit". Pjaca, me fjalë të tjera, ai vend, ku qarkullojnë lajmet për ngjarjet më të rëndësishme dhe aktuale. Pra, Musk-u e di shumë mirë se sa e rëndësishme është kjo platformë në kohën tonë si mjet komunikimi.

Instrumentalizim në dobi të Musk-ut?

Pyetja është: A është i vetëdijshëm ai se sa përgjegjësi kërkon kjo? Se nuk bëhet fjalë vetëm për fitim, si në një kompani private? Si një biznesmen i suksesshëm, a do ta shfrytëzojë ai tani platformën në favor të tij?

Carolina Chimoy është korrespondente e Deutsche Welle-s në Washington

Disa ide i ka shprehur edhe më parë, nëpër intervista të ndryshme ose në Ted Talk-et e tij të fundit: Ka thënë se donte ta drejtonte Twitter-in si një kompani private dhe se platforma nuk bënte sa duhej për lirinë e fjalës (së cilës i mëshohet aq fort në SHBA), sepse komunikimi moderohet vazhdimisht në mënyrë të panevojshme, sipas Musk-ut. Por çfarë do të thotë “liria e fjalës” për të cilën flet Musk-u? A do të thotë se secili mund të thotë atë që dëshiron - edhe nëse kjo nuk është e vërtetë?

Musk-u gjithashtu ka theksuar disa herë se ai është kundër bllokimit të disa personave nga platforma. Një nga personat më të famshëm të ndaluar nga Twitter-i është ish-presidenti amerikan Donald Trump. Ai u ndalua nga Twitter-i, pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin, më 6 janar 2021. Twitter-i tha më pas se: "Pasi rishikuam me kujdes tweet-et e fundit të llogarisë @realDonaldTrump dhe kontekstin rreth tyre - veçanërisht se si perceptohen dhe interpretohen ato brenda dhe jashtë Twitter-it, ne e mbyllëm llogarinë për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës."

Musk-u, ky "absolutist i fjalës së lirë"

Por Musk-ut nuk i pëlqejnë rregullat. Në një intervistë ai e bëri të qartë se me të nuk do të ketë më kësi rregullash dhe mundësi bllokimi. Njeriu më i kamur i botës, me një pasuri prej rreth 270 miliardë dollarësh, dëshiron ta bëjë Twitter-in "imperativin social" të fjalës së lirë. Të gjithë duhet të jenë në gjendje të komentojnë çdo gjë, sipas Musk-ut, i cili e përshkruan veten si një "absolutist i fjalës së lirë".

Një botë, e cila vështirë të imagjinohet, sepse miliarderi, në llogarinë e vet, i bllokon të gjithë ata që e kritikojnë atë ose kompanitë e tij/ Gazetarët që e kanë kritikuar gjithashtu ngacmohen rregullisht në llogarinë e Musk-ut në Twitter.

Asnjë pjacë nuk i përket vetëm një personi

Twitter-i mund të jetë "pjaca" e shekullit 21. Por ka disa dallime të rëndësishme: Komunikimi në pjacë nuk ka qenë kurrë i kufizuar në 280 shenja. Komunikimi personal ofron shumë më tepër informacion sesa një mesazh i shkurtër me tekst i shoqëruar nga maksimumi një fotografi.

Dhe dallimi më i rëndësishëm: pjaca e një qyteti nuk është kurrë në pronësi të një personi të vetëm dhe as nuk bie kaq shpejt në grackat e dezinformatave. Një tendencë, që në mungesë të rregullave, vetëm sa do të çojë në një polarizim edhe më të madh.