Opinion: Bideni - shpresë për BE
9 Nëntor 2020Sa keq që Ursula von der Leyen nuk hap shishet e shampanjës. Presidentja e Komisionit të BE i ka të gjitha arsyet për ta tundur duke festuar këtë fundjavë. Paraardhësi i saj, njohësi i Donald Trumpit, Jean-Claude Juncker, me siguri do të kishte ardhur. Sepse fitorja në zgjedhje e Joe Bidenit dhe fundi i afërt i epokës shokuese Trump është ngjarja më e gëzueshme demokratike dhe më miqësore ndaj Evropës këtë vit.
Sigurisht, Bideni nuk është çlirues i BE që papritmas i mbulon të gjitha etiketat "America First" me etikat "Europe First". Sigurisht, edhe Bideni do të tregohet alergjik, po të vazhdojë të rritet teprica e BE në tregtinë transatlantike. Dhe sigurisht që Bideni nuk do ta përgëzojë papritmas Angela Merkel për gazsjellësin "Nordstream 2" të Detit Baltik, përmes të cilit në Gjermani do të vijë edhe më shumë gaz rus.
Vetëm një BE i fortë i hyn në punë SHBA
Sigurisht, edhe Joe Bideni do t'i kujtojë BE se mbrojtja e tij kushton shumë. Mbi të gjitha, objektivi i kontributit prej dy përqind për NATO-n vjen nga koha kur Bideni ishte Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara nën Barack Obaman. Edhe kopjet e Trumpit në BE, si Viktor Orbani në Hungari, nuk bëhen papritmas demokratë të kulluar vetëm sepse modelit të tyre i duhet të largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Të gjitha këto kufizime të supozuara nuk ndryshojnë gjë në faktin që pas katër vitesh me kundërshtarin e BE-së, luftëtarin e tregtisë dhe propagandistin e Brexit-it Trump, Bideni është një fener shprese për Bashkimin Evropian. Presidenti i ardhshëm i SHBA e di se vetëm një BE i fortë mund t'u hyjë në punë Shteteve të Bashkuara - për shembull kur bëhet fjalë për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të siguruar që prodhimi industrial neutral ndaj klimës të mos mbetet një ëndërr e përjetshme.
Johnsoni tani është beqar në Brexit
Joe Bideni e di se vetëm së bashku me një Bashkim të fortë Evropian dhe me një treg të fortë të brendshëm të BE mund të parandalojë që diktatura e mbikqyrjes e teknologjisë së lartë e Kinës të zëvendësojë standardet industriale në të gjithë botën, duke përcaktuar tonin dhe duke minuar sistematikisht organizatat ndërkombëtare.
Madje edhe finalja e negociatave të BE për epokën pas Brexitit me Boris Johnsonin do të marrë një theks të ri për shkak të zgjedhjeve në SHBA. Dyshja e pandashme e Brexitit Johnson/Trump nuk ekziston më. Johnsoni tani është beqar në Brexit pa asnjë perspektivë të një partneriteti transatlantik. Fantazitë e tij në lidhje me një marrëveshje çliruese të tregtisë së lirë me SHBA kanë dështuar. Bideni, me afërsinë e tij me Irlandën, është kundërshtar më i vështirë i Johnsonit sesa Emmanuel Macroni, Angela Merkeli dhe von der Leyen-i.
Presidentja e Komisionit të BE mund të hapte pra shishet e shampanjës. Për fat të keq, von der Leyen-i i lejon vetes vetëm ujë mineral.