1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Le të festojmë më mirë diversitetin sesa unitetin

3 Tetor 2020

Miliona njerëz ndihen të lënë jashtë festës kur Gjermania feston përvjetorin e saj të bashkimit. Ferda Ataman pyet në komentin e saj se si mund të krijojmë një unitet më gjithëpërfshirës?

Deutschland Anhängerin Erdogans mit der türkischen und deutschen Flagge
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Kaiser

Për shkak të historisë sonë, ne në Gjermani nuk jemi shumë të interesuar për festat kombëtare. Shumica e festave janë ose fetare ose ndërkombëtare, si Viti i Ri ose Dita e Punëtorëve. 3 Tetori është një përjashtim: në këtë ditë, ditën e bashkimit gjerman, ne në Gjermani festojmë prej 30 vjetësh vetveten. Por kush jemi "ne"? Kujt i kushtohet kjo ditë përkujtimore dhe për bashkimin e kujt flasim?

Fotografi: T. Yildirim

Shumë emigrantë Gjermaninë e bashkuar e perceptojnë si një shoqëri e mbyllur, në të cilën ata duhet të qëndrojnë jashtë. Shumë njerëz e interpretojnë "ribashkimin e Gjermanisë", që u vendos me marrëveshje midis RDGJ-së dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si bashkim të popullit gjerman. Dhe ky "popull" nuk konceptohej si një sovran demokratik, por një klub etnik.

Ribashkim me një shije etno-nacionaliste

Kështu bashkimi gjerman zakonisht shihet nga një perspektivë thjesht e bardhë - gjermano-lindorët e bardhë ribashkohen me gjermano-perëndimorët e bardhë. Fakti që në këtë proces ishin të përfshirë në të dy anët miliona vetë nga familje imigrantësh kryesisht neglizhohet. Po ashtu lihet pa përmendur se ribashkimi kishte për shumë njerëz një aromë etno-nacionaliste.

Ferda AtamanFotografi: Sarah Eick

Sepse pas lotëve të gëzimit, kthesa për të huajt dhe njerëzit me ngjyrë doli të ishte një kohë zhvlerësimi. Shumë patën në jetën e përditshme ndjenjën se nuk ishin më të dëshiruar. Deri në vitin 1990 migrantët në të dyja pjesët e vendit kishin dhënë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e forcës ekonomike me të cilën u përballua barra e ribashkimit. Sidoqoftë, ata ishin qartësisht humbësit në Gjermaninë e bashkuar.

Në vështrimin retrospektiv të ribashkimit gjerman pak vëmendje i kushtohet faktit që vitet që pasuan u shoqëruan me trazira raciste. Për shembull, në Gjermaninë Lindore pogromet në Hoyerswerda (1991) dhe Rostock-Lichtenhagen (1992) ose veprimet vdekjeprurëse në Guben" (1999). Në Gjermaninë Perëndimore ndodhën sulmet me zjarr në Mëlln (1992) dhe Solingen (1993). Pati pra sërish një kthim të fuqishëm tek etno-nacionalizimi. Uniteti mbetet i paplotë nëse përvoja të tilla nuk përkujtohen gjithashtu.

Fotografi: picture-alliance/dpa/O.Berg

Ne kemi nevojë për një kulturë përkujtimi që njeh dhe vlerëson shumëllojshmërinë e popullsisë. Kjo do të thotë që në librat shkollorë, muzeume, monumente dhe ceremonitë shtetërore duhet të bëhen të dukshme edhe perspektivat e postmigrantëve. Gjermania më në fund duhet të tregojë se është më gjithëpërfshirëse se më parë. "Unitet në diversitet", kjo moto që ka bërë të vetën Kanadaja si vend migracioni, por edhe Bashkimi Evropian, është shumë e përshtatshëm për këtë. Ne na duhet një unitet pa uniformitet por me larmi.

Një rrëfim i ri për bashkimin

Shkurt: ne na duhet një 3 Tetor pa nacionalizëm dhe etno-folklorizëm. Ka ardhur koha që dita e bashkimit kombëtar të shndërrohet në një ditë të diversitetit demokratik që feston shoqërinë e larmishme që ka Gjermania sot.

Sepse "ne" kemi qenë prej kohësh një republikë pluraliste. Që prej reformës së shtetësisë në vitin 2000 si gjermanë lindin edhe Ibrahimët dhe Trangët. Ajo që na mungon pas 30 vjetësh është një rrëfim i ri i unifikuar që i përfshin të gjithë. Për shembull si ky: Shoqëria jonë karakterizohet nga ndarja, ribashkimi dhe migrimi i vazhdueshëm. Ajo që na bashkon të gjithëve është gjuha gjermane, ligjet dhe kushtetuta jonë. Së bashku ne jemi Gjermania.

 

Ferda Ataman, e lindur në 1979 në Stuttgart në një familje emigrantësh nga Turqia, është gazetare dhe autore. Ajo është një bashkëthemeluese e "organizatave të reja gjermane", një shoqatë mbarëkombëtare e nismave postmigrante kundër racizmit dhe për diversitetin. Në vitin 2019 ajo botoi librin "Stop të më pyesni. Unë jam nga këtu" dhe startoi hashtagun #vonhier, i cili shkaktoi në mediat sociale debat në lidhje me përkatësinë në Gjermani.