Opinion: QAnon dhe teoritë konspirative në avancim
4 Shkurt 2021Nëse para disa vitesh dikush do të kishte thënë publikisht, se disa elita që veprojnë globalisht mbajnë të mbyllur fëmijë dhe i torturojnë ata, për të marrë një drogë rinimi për vete, këtij personi do t'i thuhej, që të shkonte menjëherë të kërkonte trajtim psikiatrik. Sot, sipas një sondazhi britanik, rreth 10% e qytetarëve amerikanë e quajnë veten mbështetës të një rrëfimi konspirativ me emrin QAnon.
Edhe në Gjermani ka ardhur kjo lëvizje: Sipas të dhënave të Fodnacionit Amadeo-Antonio në Gjermani ka rreth 150.000 përkrahës të QAnnon, me këtë Gjermania ka komunitetin më të madh të përkrahësve jashtë hapësirës anglishtfolëse. Kurse sipas një studimi të fondacionit Konrad Adenauar rreth një e treta e gjermanëve duket se është e hapur ndaj teorive konspirative. Nëse heq këtu fëmijët nën 14 vjeç, janë rreth 24 milionë vetë. Hulumtime të tjera vijnë në përfundime të afërta. Mes përkrahësve të QAnon, mohuesve të Coronës dhe ekstremistëve të djathtë ka shumë lidhje.
Marrëzia vetëm pak klikime larg
Por si mund të prekin kaq shumë vetë marrëzi të tilla në një botë të informuar? Ne jetojmë në shekullin e 21-të dhe jo në mesjetë. Përgjigja: Sepse këto marrëzi janë vetëm disa klikime larg. Rrjetet sociale janë një rezervuar informacionesh të gabuara dhe mite konspirative. Qendra hulumtuese "Correctiv" pas një studimi arrin në përfundimin, se Facebook dhe Youtube janë platformat ku janë përhapur më së shumti informacionet potencialisht të gabuara. Edhe përmes shërbimeve të tjera si Telegram apo Whatsapp përhapen informacione të tilla. Studiuesit e Institutit të Teknologjisë së Massachusetts, MIT kanë përcaktuar, se me një informacion të vërtetë zgjat 6 herë më shumë të arrish 1500 vetë se sa me një informacion të gabuar. Platformat sociale janë futur tani në një darë: nga njëra anë ato e kuptojnë lirinë e mendimit si një nocion shumë të hapur, këtu renditen madje edhe informacionet e gabuara, fyerjet e ngacmimet. Facebook madje refuzonte deri në tetor 2020 të hiqte nga faqet e tij mohimin e Holokaustti që në 18 vende penalizohet.
Mediat sociale: Rreziku është kuptuar
Nga ana tjetër mediat sociale e kuptuan rrezikun e informacioneve të gabuara dhe urrejtjes pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe më së voni pas mësymjes së Kapitolit nga turmat e nxitura nga Donald Trump. Mund të konsiderohet vetëm si fillimi, kur platforma të caktuara tani bllokojnë llogaritë e mediave socale apo vendosin shënime paralajmëruese mbi informacione të rreme.
Dy gjëra duhen bërë: Facebook e të tjerët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për postimet e urrejtjes dhe lajmeve të rreme. Këtë përpiqet të arrijë Komisioni Europian përmes "Digital Service Act". Gjë që nuk është e lehtë, sepse vija ndarëse mes reduktimit të lajmeve të rreme dhe censurës është mjaft e hollë. Megjithatë ajo duhet shenjuar.
Forcimi i kompetencës mediatike
Nga ana tjetër duhet forcuar kompetenca mediatike, sepse të rinjtë informohen kryesisht përmes mediave sociale. (Mediat tradicionale duhet të zhvillojnë formate me të cilat të arrihet më mirë gjenerata Youtube). Luftimi i teorive konspirative është nevojë urgjente dhe e rëndësishme. Që ato e kanë potencialin të shkatërrojnë demokracitë, këtë e pamë ne Uashington. Së fundmi Marina Weisband në fjalën e saj në Bundestag tërhoqi vëmendjen kur tha: "antisemitizmi nuk fillon aty ku qëllohet një sinagogë. Shoa nuk filloi me dhomat e gazit. Fillon me teoritë konspirative."