Opinion: Të drejtat themelore nuk janë privilegje
29 Korrik 2021Pyetja kryesore është nëse shteti mund të diskriminojë të pavaksinuarit. Debati është pjesë përbërëse e lëvizjes kundër vaksinimit dhe po bëhet më i ashpër.
Përgjigjja është e qartë: Shteti nuk mund të kufizojë të drejtat themelore të atyre që janë vaksinuar me të dyja dozat, më shumë sesa është e nevojshme. Është një çështje e të drejtave themelore, jo e privilegjeve.
Dhe që nga momenti kur të gjithë kanë pasur mundësinë e vaksinimit, shteti mund të vendosë masa për ata që refuzojnë të vaksinohen, në përputhje me kërkesat e shoqërisë. Duke vepruar kështu, shteti duhet të mundësojë përjashtime për të miturit të cilët (ende) nuk mund të vaksinohen (dhe të përmbushë detyrat e tij duke instaluar filtra ajri në ndërtesat e shkollave - një fushë ku landet gjermane, të cilët janë përgjegjës për politikën e arsimit, kanë dështuar kolektivisht). E njëjta vlen edhe për të rriturit, për të cilët mbrojtja nga vaksinimi nuk është e mundur për arsye mjekësore.
Krahasimi ndërkombëtar
Kjo po kthehet në një sfidë të vërtetë edhe për vendet e tjera. Franca dhe Italia po punojnë me udhëzimet për njerëzit e vaksinuar dhe jo të vaksinuar; në Shtetet e Bashkuara, imunologu Anthony Fauci tashmë po flet për një valë të re të afërt të koronavirusit me deri në 4000 vdekje në ditë dhe po paralajmëron një "pandemi të të pavaksinuarve" - sepse shumë pak njerëz në vend po vaksinohen.
Bëhet fjalë për liritë, në kuptimin e të drejtave themelore - dhe për masat e nevojshme paraprake. Thjesht shikoni numrin në rritje të vendeve që po diskutojnë, ose e kanë bërë vaksinimin tashmë të detyrueshëm për personelin mjekësor: Italia dhe Franca, Anglia, Hungaria dhe Greqia. Fakti që numri i infermierëve në Gjermani që nuk janë vaksinuar është ende shumë i lartë në rajone ku populistët e djathtë dhe teoricienët e konspiracionit janë veçanërisht të fortë, është tregues i motivimeve që nxisin ata për të kundërshtuar vaksinimin.
Kërkesat për stafin mjekësor tregojnë se sa e ndërlikuar është situata. Nga natyra, punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të jenë fizikisht afër me njerëzit për të cilët kujdesen, veçanërisht ata në rrezik. Kjo është pikërisht arsyeja pse vaksinimi filloi në një fazë të hershme, dhe me të drejtë, për punonjësit e klinikave dhe azileve.
Dilema ligjore
Tashmë ka sugjerime se si mund të funksionojë dallimi midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve në arsimin e lartë. Të vaksinuarit mund të marrin pjesë në të ashtuquajturat ligjërata hibride në vend (mësim i kombinuar me prani fizike në klasa dhe nëpërmjet klasave online), ndërsa të pavaksinuarit mund t'i ndjekin ato vetëm online, përmes Zoom. Trajtimi i barabartë në këtë fushë nuk është i detyrueshëm. Por, pse jo?
Është e qartë se shteti nuk mund të ndalojë askënd të marrë pjesë në aspektet themelore të jetës shoqërore. Por gjatë pandemisë, ajo ishte në gjendje të impononte detyrime për këdo, brenda kufijve të nevojshëm - siç është ajo për të mbajtur maska gjatë blerjeve ose në transportin publik. Këto kërkesa mund të zbatohen për të gjithë.
Rruga drejt vaksinimit të detyrueshëm do të ishte, megjithatë, një rrugë e gjatë dhe e vrullshme nga pikëpamja ligjore, dhe një sfidë e madhe. Sidoqoftë, sektori privat nuk i ka këto "pranga”: Çdo organizator koncertesh, çdo restorant, çdo hotel, çdo vend dëfrimi mund të mbështetet fillimisht tek vaksinimet ose certifikata e vaksinimit - me kusht që ata të mos kenë një vërtetim monopol. Do të jetë në dorën e gjykatave që të sqarojnë çështjen. Por askush nuk mund ta detyrojë një pronar restoranti të kujdeset për klientët e pavaksinuar në ambiente të mbyllura.
Etika, në diskutim?
Ata që konsiderojnë si arbitrar vaksinimin, duket se harrojnë dhe injorojnë seriozitetin e pandemisë: spitalet e mbingarkuara, kolapsin e strukturave të kujdesit shëndetësor, efektet e dëmshme mbi brezin e ri, të cilin disa tashmë e quajnë "brezi i humbur", dhe betejat social-ekonomike.
Ajo që kam përshkruar më lart është rasti i vaksinimit të detyrueshëm etik. Politikanët herë pas here flasin shumë dhe me nxitim për të bërë dallimin midis kësaj kërkese etike dhe një kërkese ligjore për të vaksinuar, ose për të lejuar të tjerët ta bëjnë vetë dallimin.
Siç duket, nëse personave të vaksinuar u jepen më shumë liri në një farë mase, në aktivitetet e tyre shoqërore, kjo do të mund të justifikohet mbi baza etike.