1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita në Francë dhe BE kërkojnë maturi ndaj romëve

30 Korrik 2010

Pas trazirave mes policisë dhe grupeve të romëve, anëtarët e këtij minoriteti që udhëtojnë ilegalisht për në Francë duhet të dëbohen. Opozita ngre akuza për racizëm kundër presidentit.

Një familje rome në një kamp të sajuar në Saint-Denise, Francë
Një familje rome në një kamp të sajuar në Saint-Denise, FrancëFotografi: AP

Me indinjatë dhe kritika të ashpra reaguan opozita dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut pas njoftimit për dëbimin e romëve nga Franca. Socialistët, ekologjistët dhe komunistët e akuzuan të enjten (29.07) presidentin Nicolas Sarkozy se po ndjek një politikë ksenofobe dhe raciste. Liga franceze për mrbojtjen e të drejtave të njeriut tërhoqi vëmendjen, që të mos përdoren si kokë turku grupe të veçanta popullsie. Ministri i Brendshëm, Brice Hortefeux i hodhi poshtë këto kritika.

Shkas për deklarimin e Sarkozy-së u bënë trazirat mes romëve dhe policisë në Bretanjë përpara dy javësh. Një djalë i ri rom u qëllua dhe gjeti vdekjen, në kohën që po largohej për t' i shpëtuar një kontrolli të policisë. Si rrjedhojë pjesëtarët e këtij minoriteti të indinjuar sulmuan rajonin e policisë lokale.

Popullsia endacake akuzohet për kontrabandë e prostitucion

Pas bisedimeve të krizës në pallatin Elysée, Sarkozy kërkoi që ata që janë përgjegjës të dënohen ashpër. Romët, që udhëtojnë ilegalisht në Francë duhet të dëbohen dhe kampet e tyre të prishen. Presidenti u shpreh për ndryshimin e ligjeve të emigracionit, për të lehtësuar dëbimin e tyre në favor të rendit publik.

Popullsinë "gens de voyage" (endacake) ai e akuzoi për kontrabandë dhe shfrytëzim të fëmijëve si dhe për favorizim të prostitucionit. Përfaqësuesit e romëve kritikuan se fjala e tyre nuk është marrë parasysh në bisedimet me qeverinë. Sipas tyre, masat e komunikuara janë raciste dhe mund të sjellin pasoja të rënda.

Roma në Francë, gjatë një proteste të mëhershme për të drejta para Parlamentit Evropian në StrasburgFotografi: AP


BE: Të verifikohen rastet në veçanti

Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Mathew Newman kërkoi që gjatë dëbimeve të planifikuara të verifikohet secili rast në veçanti. Duhet të verifikohet p.sh. integrimi i të prekurve në shoqëri, nëse ata vërtet janë fajtorë për ndonjë shkelje të ligjit. Qeveria e Rumanisë deklaroi se të gjitha shtetet evropiane janë së bashku përgjegjëse për romët. Secili vend ka detyrime shoqërore kundrejt tyre. Në Rumani jetojnë sipas përllogaritjeve afro një milion romë, më shumë se në çdo vend tjetër evropian.

Në Francë, krahas romëve të ardhur së fundi jetojnë dhe shumë anëtarë të këtij minoriteti, të cilët janë vendosur prej disa dekadash në këtë vend. Veçanërisht me anëtarësimin e Rumanisë dhë të Bullgarisë në BE shumë romë kanë emigruar vitet e fundit në BE.

Shumë emigrantë lypin nëpër rrugët e qyteteve franceze. Udhëzimi i Sarkozy-së synonte romët e sapoardhur, ndonëse dhuna në Bretanjë, sipas njoftimeve të mediave, u shkaktua prej një grupi, që jeton prej shumë vitesh në këtë rajon.

Autor: Herbert Peckmann/apn, dpa, afp, kna/Vilma Filaj- Ballvora

Redaktion: Auron Dodi