Optimizëm me rezervë – ShBA-të pas miratimit të paketës shpëtimtare
4 Tetor 2008Presidenti amerikan Xhorxh Bush inkurajoi veten dhe amerikanët për guximin e treguar. Ky ishte një hap i guximshëm. Paketa 700 miliardë dollarëshe duhet të pengoj që kriza e Wall Street-it të kthehet në krizë për mbarë vendin, tha Bush pas miratimit të paketës shpëtimtare edhe në kongresin amerikan. Por atij iu desh të shtoj se:
"Ekonomia jonë ndodhet ende para sfidave të mëdha. Në shtator ne kemi humbur sërish vende të punës. Këto janë lajme zhgënjyese të cilat e zbehin rëndësinë e ligjit të sapomiratuar. Do të jetë e nevojshme më tepër kohë dhe më tepër veprime për të tejkaluar këtë fazë të rëndë".
Shifrat e papunësisë në shtator shënojnë humbjen më të madhe të vendeve të punës brenda një muaji në këto pesë vitet e fundit. Dhe asnjë prej pjesëmarrësve në debatin e zhvilluar të premten në dhomën e përfaqësuesëve, nuk tha se beson që paketa shpëtimtare do të jetë çudibërse. Përshembull republikani Paul Ryan nga Wisconsin, shtet ky federal ku më së shumti vërhen pasojat e krizës financiare:
"A do të evitoj ky ligj rënjien ekonomike? Jo! Por do të ndihmoj që kjo rënje të mbahet sa më shkurtë, që ajo të mos jetë e thellë dhe të zgjas shumë".
Ndërsa Jeb Hensarling, republikan nga Teksasi shtron një pyetje krejt tjetër:
"Askush nuk e di se a do të funksionoj ky ligj. Ne shpresojmë të gjithë. Dhe askush nuk e di se edhe sa para nga taksat do të jenë të nevojshme. Eshtë e mundur që ministri i financave për një kohë të shkurtër të ndaj 700 miliardë dollarë dhe të vij prapë tek ne e të kërkoj edhe 700 miliardë të tjera".
Ata të cilët presin ndihmën nga kjo paketë që tani janë të pasigurtë. Si përshembull Edvard Liddy. Ai është shefi i ri i koncernit të sigurimeve AIG i cili së fundi u shpëtua nga 85 miliardë dollarë të një kredie shtetërore. AIG tani pret shlyerjen e borgjeve të këqija. Por sa do të paguaj ministri i financave? Nëse ai paguan shuma të mëdha atëherë 700 miliardët do të harxhohen shpejt. Nëse paguan pak atëherë AIG i shkaktohen humbje të reja dhe do të ketë nevojë për më tepër kredi për të vazhduar të qëndroj edhe më tej në lojë. Andaj parë nga ky aspekt miratimi i paketës shpëtimtare financiare është vetëm një hap për sektorin e goditur financiar amerikan. Këtë e di mirë edhe lideri i republikanëve në kongres, Xhon Bohner (Joe Boehner) i cili u tha kolegëve të tij:
"Ne jemi në mes të një rënje ekonomike. Kjo do të jetë e vështirë. Kur ligji të jetë miratuar atëherë kujtoni fjalët: ne i besojmë Zotit. Ne do të kemi nevojë për ndihmë".