1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orë kritike për Greqinë: Opozita e djathtë i thotë "jo" qeverisë së "unitetit kombëtar"

6 Nëntor 2011

Për t'i dhënë fund stanjacionit politik në vend, presidenti i Greqisë Karolos Papoulias, sipas të dhënave qeveritare do të nisë menjëherë bisedimet me të gjitha partitë.

Fotografi: dapd

Me kërkesën e kryeministrit Giorgos Papandreou presidenti do të bisedojë me krerët politikë të vendit mbi "mundësitë për bashkëpunim", komunikoi zëdhënësi qeveritar Ilias Mossialos. Më parë Papoulias priti Papandreou-n, ndërsa për këtë të dielë është planifikuar një takim mes presidentit dhe kryetarit të partisë më të madhe në opozitë, Nea Dimokratia, Antonis Samaras.

Takimi George Papandreou Karolos Papoulias, Athinë më 05.11.2011Fotografi: dapd

Përpjekjet për qeveri të unitetit kombëtar mbeten ende pezull në Greqi

Kreu i opozitës Andonis Samaras i tha edhe një herë "jo" ftesës së kryeministrit Papandreu duke e akuzuar atë se "ka mbyllur të gjitha portat për bashkëpunim" dhe se luan "lojë personale". Kreu i opozitës së djathtë Andonis Samaras, që në mesditë takohet me presidentin e Republikës Papulias, vazhdon t'i thotë "jo" ftesës së kryeministrit Papandreu për qeveri të konsensusit kombëtar. Në deklaratën e tij të zgjeruar ai e akuzoi Papandreu-n se "ka mbyllur të gjitha portat për bashkëpunim" duke kërkuar zgjedhjet e reja si e vetmja zgjidhje për një qeveri që "do të vendosë për fatet e vendit për dekada të tëra". "Zoti Papandreu nuk kërkon qeveri të Shpëtimit Kombëtar. Kërkon që t'i angazhojë të gjithë në opcionet e tij personale dhe pa rrugëdalje", deklaroi Samaras, i cili ndërkohë i dërgoi mesazh qetësues Evropës se pranon "marrëveshjen e 26 tetorit për qethjen e borxhit dhe reformat strukturore".

Papanderou nuk e vë si kusht kryesimin e qeverisë së unitetit kombëtar

Qeveria ruan tone të ulëta dhe nisur nga fakti që Samaras tha se "propozimi i tij mbetet mbi tavolinë", ai përpiqet të ruajë dinamikën e ftesës për konsensus. Zëdhenësi i qeverisë deklaroi se Papandreu "nuk vë si kusht paraprak kryesimin nga ana e tij të qeverisë së re". Kreu i partisë nacionaliste Karaxhaferis sheh mundësinë e një qeverie konsensuale me kryeministër një figurë politike të së djathtës. Kryetarja e fraksionit të djathtë Bakojani kërkon formimin e qeverisë së shpëtimit kombëtar deri të henën dhe mbledhje urgjente të krerëve partiakë nën drejtimin e presidentit. Tri partitë e spektrit të majtë kërkojnë mandat të ri popullor si e vetmja zgjidhje demokratike.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë