1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Orban takohet me Putinin në Moskë: kritika nga BE

5 Korrik 2024

Kryeministri hungarez Orban takohet me presidentin rus Putin në Moskë. BE e kishte kritikuar ashpër udhëtimin paraprakisht.

Orban trifft Putin in Moskau
Fotografi: Valeriy Sharifulin/SNA/IMAGO

Kreu i shtetit rus, Vladimir Putin, ka pritur në Kremlin kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Në fillim të takimit, Putini deklaroi se ishte i gatshëm të diskutonte me kryeministrin hungarez “nuancat” e propozimeve të paqes. Putin vazhdoi duke shpjeguar se donte të dinte se cili ishte pozicioni i Orbanit dhe si i vlerësonte ai pikëpamjet e vendeve të tjera evropiane. Në një transmetim të drejtpërdrejtë të takimit në faqen e internetit të agjencisë ruse të lajmeve Ria Novosti, Orbain deklaroi: "Hungaria gradualisht do të bëhet vendi i fundit evropian që mund të flasë me të gjithë botën".

Orbani kishte shpërndarë më parë një foto nga Moska në platformën X dhe kishte shkruar. "Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska". Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha gjithashtu në televizionin shtetëror rus se dy politikanët donin të flisnin për luftën në Ukrainë.

Orban kishte vizituar para Moskës Kievin, për herë të parë që nga fillimi i luftës. Atje ai i kërkoi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski, të shqyrtonte mundësinë e një armëpushimi që do të lejonte fillimin e negociatave. Marrëdhëniet midis Kievit dhe Budapestit konsiderohen të tensionuara, sepse Orbani ka vonuar vazhdimisht ndihmën për Ukrainën dhe është përpjekur të parandalojë sanksionet kundër Rusisë. Pavarësisht luftës kundër Ukrainës, Orbani vazhdon të mbajë marrëdhënie të mira me liderin e Kremlinit.

Kritika nga BE

Bashkimi Evropian e kishte kritikuar ashpër takimin me Putinin paraprakisht. Edhe pas konfirmimit zyrtar, i Ngarkuari i BE për Punë të Jashtme, Josep Borrell, shkroi në platformën X: Orbani nuk përfaqëson BE. Qëndrimet e Komisionit të BE për luftën ruse kundër Ukrainës përjashtojnë kontaktet zyrtare midis BE dhe Presidentit Putin. Vizita e Orban-itr në Moskë është përshtatur "ekskluzivisht në marrëdhëniet dypalëshe midis Hungarisë dhe Rusisë", tha Borrelli.

Fotografi: Valeriy Sharifulin/SNA/IMAGO

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shkroi në X: "Zbutja nuk do ta ndalojë Putinin". Vetëm uniteti dhe vendosmëria do të hapin rrugën drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, u shpreh von der Leyen.

Scholz: Orban nuk përfaqëson BE në Moskë

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se Orbani nuk po zhvillon bisedime në Moskë si përfaqësues i BE, por si përfaqësues i Hungarisë. Përfaqësuesi i qeverive të BE-së është Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Sipas Scholz-it, politika e vendosur e BE ndaj Putinit nuk ka ndryshuar.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo e quajti sjelljen e Orbanit shqetësuese. Vizita e tij tregon përbuzje për detyrat e Presidencës së Këshillit të BE dhe minon interesat e Bashkimit Evropian, tha ai. Hungaria mori presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së pak ditë më parë.

Orbani: Nuk ka qetësi nga kolltuku

Vetë Orbani shkroi në X – edhe para se të konfirmohej udhëtimi –: "Paqja nuk mund të krijohet nga komoditeti i kolltukut në Bruksel”. Edhe pse Hungaria, si Presidencë e Këshillit të BE, nuk ka mandat për të negociuar në emër të BE-së, "ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim që lufta të përfundojë mrekullisht. Ne do të jemi një instrument i rëndësishëm në hedhjen e hapave të parë drejt paqes."

Kreu i qeverisë hungareze të krahut të djathtë u takua me Putinin edhe në një samit në Pekin në tetor 2023, i cili gjithashtu shkaktoi zemërim në BE.

ARD