1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE dhe BE, bashkëpunim i ngushtë për implementimin e statusit të ri të Kosovës

Anila Shuka23 Janar 2007

Të dyja organizatat janë të gatshme të fillojnë misionin e tyre në Kosovë në bazë të rezolutës së re që do të miratohet në Këshillin e Sigurimit. Këtë ato e përforcuan edhe një herë në takimin e Troikës Evropiane me OSBE-në të martën në Bruksel.

Prishtina
PrishtinaFotografi: picture-alliance/dpa
Se cili do të jetë propozimi i Ahtisaarit, kjo nuk dihet ende, tha kryediplomati i Be-së, Javier Solana mbas takimit me kryetarin e radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Miguel Angel Moratinos. Por një gjë është e qartë: përgjegjësinë në Kosovë tani duhet ta marrë Evropa: “Unmiku do të largohet kur të arrihet statusi final i Kosovës. Ne do të duam të bashkëpunojmë thellësisht dhe jemi të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë kur të largohet UNMIK-u në fushën e shërbimit policor, të jurisprudencës dhe disa çështje civile, në veçanti në aspektin e bashkëpunimit ekonomik me vendin.” Ministri spanjoll i punëve të jashtme, Miguel Angel Moratinos, i cili qysh nga fillimi i këtij viti është kryetar i radhës së OSBE-së, tha se ai tani është duke pritur propozimin e Ahtisaarit dhe mandatin e ri që do t’i caktojë OKB-ja, për të vepruar në Kosovë, por pretendime ndaj propozimit të Ahtisaarit, Moratinos nuk shprehu: “OSBE-ja është tërësisht neutrale, ne duhet të presim raportin e presidentit Ahtisaari dhe pastaj procedura do të shkojë në Këshillin e Sigurimit. OSBE-ja do të jetë atëherë e gatshme të fillojë misionin. Shpresojmë që rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit do të përfshijë edhe kërkesën për angazhimin e OSBE-së në rajon.” Solana nuk beson se Rusia do të vërë veton kundër propozimit të Ahtisaarit. Ndërsa ministri i shtetit gjerman Guenter Gloser tërheq vëmendjen se nuk ka përse të bëhen parashikime të tilla: “Me siguri që do të ketë edhe bisedime të tjera, prandaj nuk do të filloja që tani të spekuloja me mundësinë e vetos. Sepse jemi në mesin e një procesi të vazhdueshëm, në të cilin arrijmë t’i mënjanojmë konfliktet përmes bisedimeve, prandaj edhe nuk duhet t’u paraprijmë këtyre bisedimeve.” Troika evropiane dhe OSBE-ja gjithashtu u bënë thirrje sot palëve në të ashtuquajtura konflikte të ngrira në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, që të vazhdojnë pa vonesë negociatat konstruktive. Thirrja u drejtohej në veçanti presidentëve të Armenisë dhe Azerbaixhanit në lidhje me Nagorno-Karabak. Në vitin 1991 krahina e banuar nga shumica armene është shkëputur nga Azerbaizani dhe ka shpallur pavarësinë, që nuk njihet ndërkombëtarisht. Abhazia, Osetia e Jugut dhe Transnistria janë tre konflikte të tjera të ngrira në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat Rusia shumë shpesh i përdor si argument kundër parvarësisë së Kosovës. Minsitri gjerman i shtetit për çështje të jashtme, Gunter Gloser, e ritheksoi se Kosova është një rast pa precedencë: “Ekziston një marrëveshje shumë e qartë për ecurinë e procesit në Ballkanin Perëndimor, sipas të cilës për Kosovën duhet negociuar një status i ri. Dhe është bërë e qartë edhe në bisedat me aktorët e ndryshme në rajon, që kjo zgjidhje do të ketë të bëjë me situatën në Kosovë dhe nuk shërben si rast precedent për rajonet e tjera, si për shembull për Kaukazin e Jugut. Kjo u është bërë e qartë jo vetëm vendeve të prekura por edhe partnerëve tanë të tjerë,” tha Gloser. Temë e bisedës ishte edhe iniciativa e presidencës gjermane për krijimin e partneritetit me vendet e Azinë Qendrore. Mbas disa takimesh të troikës në nivel ministrash me përfaqësuesit përkatës të këtyre vendeve, Gjermania ka ndër mend ta prezantojë iniciativën në fund të periudhës së presidencës.