1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OSBE-ja tërhoq vëmendjen për mangësitë në sistemin zgjedhor amerikan

1 Tetor 2004

Jo vetëm në vendet që nuk kanë shumë vite që jetojnë në demokraci ka probleme me zhvillimin e zgjedhjeve. Edhe në shtete të tilla me traditë të gjatë demokratike si SHBA kanë probleme me numërimin e votave, sistemin e fletëve të votimit etj. OSBE-ja kritikoi së fundi magësitë në SHBA në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2 nëntorit dhe do të dërgojë madje vëzhgues për të ndjekur nga afër zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

Aparatet e dikurshme të votimit në SHBA
Aparatet e dikurshme të votimit në SHBAFotografi: AP

Një muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, OSBE-ja tërhoqi vëmendjen për mangësitë në sistemin zgjedhor amerikan. Në një raport të fundit të OSBE-së thuhet se vazhdon të ketë probleme me aparatet e reja digjitale të votimit. Po ashtu softueri (software) i tyre nuk i është nënshtruar kontrrollit publik. Pas zgjedhjeve të vitit 2002 në qendrat e votimit janë instaluar aparate të reja elektronike të cilat kanë zëvendësuar aparatet e vjetra mekanike të votimit. Sipas zgjedhësve sistemi i deritanishëm amerikan i fletëve të votimit, ku në vend të kryqit me stilolaps zgjedhësve u duhej të shponin me ndihmën e aparaturave vrima nëpër këto fletë, ishte tepër i komplikuar, dhe për këtë ata duke e brimuar fletën e votimit, gabim ia kishin dhënë votën jo kandidatit që dëshironin.

Në raportin e zyrës së OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut thuhet se reformimi i sistemit elektoral amerikan nuk pritet të përfundojë deri në vitin 2006. Besimi i zgjedhësve ka shënuar rënie prej rasteve të regjistruara gjatë zgjedhjeve të kaluara të vitit 2000 në Florida dhe shtete të tjera federale. George Bushi fitoi asokohe vetëm me 527 vota më shumë se sa Al Gore, dhe kjo vetëm sepse Gjykata e Lartë e SHBA-ve e ndaloi rinumërimin e fletëve të votimit në Florida.

Po ashtu OSBE-ja kritikon edhe faktin që decentralizimi i sistemit elektoral në SHBA, i cili në rastin e zgjedhjes së presidentit të vendit ua lë kontrollin në dorë secilit shtet federal më vete, bën që të mos garantohet e njëjta e drejtë elektorale për të gjithë. Po ashtu edhe listat me emrat e personave të cilëve u është ndaluar e drejta të marrin pjesë në votime janë shpesh jo të sakta. Kështu nëpër këto lisa gjenden edhe emra njerëzish që nuk janë dënuar ndonjëherë.

OSBE-ja do të dërgojë në SHBA rreth 100 vëzhgues për të mbikqyrur zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale më 2 nëntor. Republikanët e spektrit të djathtë janë duke protestuar ashpër ndaj vëzhgimit të zgjedhjeve prej OSBE-së.