OSBE - ODHIR : Maqedonia shënoi hapa pozitivë në organizimin e zgjedhjeve
23 Mars 2009Është ky vlerësimi paraprak i misionit vëzhgues të OSBE-ODHIR-it, një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni. "Raundi i parë i zgjedhjeve, megjithë disa çështje që lënë hapësirë për shqetësim, paraqesin hap të rëndësishëm përpara. Me kujdes do ta vëzhgojmë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve," ka deklaruar Piter Ajker, shef i Misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it.
Zgjedhjet ishin të organizuara mirë dhe u zhvilluan në një atmosferë të lirë dhe pa incidente. Njëherësh, rezultate pozitive janë shënuar edhe gjatë numërimit të votave. "Jam e entuziazmuar, që mund të konkludoj se Maqedonia ka bërë disa hapa pozitivë në rrugën drejt demokracisë. Parregullsitë dhe mosbesimi në zgjedhje janë sfida me të cilat duhet të ballafaqoheni. Por, është e pakontestueshme se Maqedonia ka arritur përparim në mbajtjen e zgjedhjeve, sipas standardeve ndërkombëtare," ka deklaruar Fia Krismas Moler, nënkryetare e Kuvendit parlamentar të OSBE-së, për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Ludmilla Svirlloaga, kryetare e delegacionit të Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale ka thënë, se zgjedhjet lokale u zbatuan në pajtim me shumicën e standardeve evropiane, por ajo konstaton me keqardhje, se fushata lokale ka qenë nën hijen e zgjedhjeve presidenciale. Ndërkombëtarët inkurajojnë qeverinë e Maqedonisë, të marrë parasysh ndarjen e zgjedhjeve lokale nga ato presidenciale.
Në raportin e OSBE-ODHIR-it është vlerësuar pozitivisht edhe puna e KSHZ-së. Paanshmëria dhe transparenca në punën e KSHZ-së kanë qenë evidente, vlerësojnë ndërkombëtarët. Çështjet që lënë hapësirë për brengosje, sipas OSBE-ODHIR-it kanë të bëjë me saktësinë e listave zgjedhore.
Vlerësime pozitive për organizimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike ka edhe organizata qytetare për vëzhgimin e zgjedhjeve, MOST. Kjo organizatë ka prezantuar edhe disa vërejtje për procesin zgjedhor, por gjithnjë sipas tyre ato nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar të votave.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Aida Cama