Overtura - "Mitingu kundër yllit me pesë cepa" në Serbi
9 Mars 2011
Me protestën, "Mitingu kundër yllit me pesë cepa", opozitarët në Serbi donin të dëshmonin se Sllobodan Millosheviqi nuk ishte i paprekshëm. Opozita u tregua e aftë për të ushtruar presion ndaj Millosheviqit, pohon Vuk Drashkoviq, i cili ishte organizatori dhe udhëheqësi i protestave. Nga ballkoni i Teatrit Popullor në Beograd, para 20 vitesh ai deklaroi: „Ne nuk po demonstrojmë kundër organeve të shtetit, kundër rezultateve të zgjedhjeve, kundër ndonjë organi shtetëror, ushtarak apo ndonjë institucioni tjetër! Ne vetëm kërkojmë dorëheqjen e katër redaktorëve dhe një gazetari të Radio Televizionit të Beogradit!“
Megjithë këto kërkesa modeste të Vuk Drashkoviqit, 9 marsi i vitit 1991, konsiderohet si fillimi i kërkesave të qytetarëve të Serbisë për ndryshime të mëdha dhe dhënien fund të pushtetit të Millosheviqit. "Mendoj se kjo ishte një ditë e veçantë dhe e papërsëritshme në historinë e Beogradit, ishte një ditë kur mijëra demonstrues paqësorë, tronditën forcat e armatosura të Sllobodan Millosheviqit dhe aleatëve të tij në Jugosllavinë e atëhershme", deklaron për Deutsche Welle-n, Vuk Drashkoviq.
Fillimi i fundit - 9 marsi 1991 simbol shprese
Atë ditë u mblodhën të gjitha forcat opozitare rreth Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe të Drashkoviqit. Gjatë protestave u pati përplasje të përgjakshme mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë, u vranë dy dhe u arrestuan me qindra vetë. Pasi demonstruesve iu bashkuan edhe studentët, Millosheviqi dhe regjimi i tij vendosën që me mbështetjen e kryesisë së atëhershme jugosllave të nxjerrin edhe tanket në rrugë. „Ai ishte një akt i frikës nga rënia e sistemit. Me atë që bëri Armata Popullore e Jugosllavisë u bë një prej fajtorëve më të mëdhenj për atë që ndodhi në rrugë. Ajo nuk u soll si një ushtri që mbron popullin, por si një ushtri në shërbim të ideologjisë", pohon Drashkoviq. Ndonëse kjo demonstratë u shua me dhunë, fakti që qytetarëve u ngritën kundër regjimit të Millosheviqit, konsiderohet si një akt historik që jehoi edhe jashtë kufijve të Jugosllavisë.
„9 marsi ishte simbol shprese. Disa pjesë të shoqërisë serbe dëshmuan me këmbëngulje se nuk u takojnë strukturave luftënxitëse dhe nacionaliste. Kanë dëshmuar se janë racionale, që duan një Serbi demokratike dhe jo realizimin e fantazive nacionaliste të Millosheviqit dhe partisë së tij", pohon Misha Gleni, reporter i BBC-së, që raportonte për këto ngjarje.
Mitingu i nëntë marsit ishte vetëm fillimi i protestave të shumta në Serbi. Një prej këtyre protestave, më 5 tetor të vitit 2000, shënoi edhe fundin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Autor: O. Cvijanoviq / B.Cani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora