1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për afrimin reciprok - Shkrimtari turk Orhan Pamuk merr çmimin e paqes të librit gjerman

24 Tetor 2005

Shkrimtari i njohur turk Orhan Pamuk u vlerësua për veprën e tij në të cilën gjejnë veten Evropa dhe Turqia myslimane. Fjalimi i tij në kishën e Shën Palit në Frankfurt, synonte të jepte mesazhin e mirëkuptimit

Orhan Pamuk
Orhan PamukFotografi: dpa - Report

Orhan Pamuk shprehu kritikë ndaj Turqisë dhe Evropës duke marrë në dorëzim çmimin prestigjoz të degës gjermane të shpërndarjes së librit. Ai përfitoi nga ky forum për të apeluar për afrimin reciprok. Qysh prej shumë kohësh shkrimtari është angazhuar për antarësimin e Turqisë në BE. Edhe në fjalimin e tij ai sërish theksoi këtë dëshirë, duke kritikuar nga ana tjetër skepticizmin e përhapur në Gjermani kundrejt Turqisë. Të krijosh një klimë kundër Turqisë është po aq e rrezikshme sa edhe kursi i konfrontimit që ndjekin disa politikanë turq kundër Evropës, nënvizoi Pamuk. Duke iu referuar klimës në atdheun e tij Pamuk tha, se e ndjen veten të përjashtuar dhe reagon me ndjeshmëri: "Të nxisësh në Evropë armiqësinë ndaj Turqisë, për fat të keq kjo çon në zhvillimin e nacionalizmit antievropian dhe të mykur në Turqi."

Psikologjinë pas mekanizmave të tillë Orhan Pamuk e ka përshkruar vazhdimisht në librat e tij, së fundi edhe në romanin "Bora", ngjarjet e të cilit zhvillohen në një qytezë të Anadollit. Aty përplasen me njëra-tjetrën rryma të ndryshme: intelektualë me tipare perëndimore, fanatikë islamistë, gra që grinden për ose kundër perçes, ateistë, nacionalistë. Një panoramë që arrin t´u mundësojë shumë lexuesve perëndimorë të kuptojnë dhe të mirëkuptojnë Turqinë.

Duke dhënë vlerësimin e jurisë, drejtori i përgjithshëm i festivalit të Berlinit, Joahim Sartorius që ka jetuar tre vjet në Turqi theksoi: "Është një rast i padëgjuar fatlum, që një letërsi jashtëzakonisht e pasur, si ajo e Orhan Pamukut i shpjegon botës vendin e tij. Të tjerët që zakonisht shkruajnë dhe raportojnë për Turqinë ndjekin interesa të caktuara. Këta janë politikanët si Erdogan, Verheugen, Merkel apo Villepë, ushtarakët dhe historianët. Ndërsa shkrimtari është i vetmi që na e sjell në mënyrë autentike këtë vend."

Një vend, që sipas Pamuk, mund të ofrojë vetëm paqe. Sepse edhe myslimanët në Turqi dëshirojnë të kenë vend në Evropë. Ata janë një pjesë e sigurisë dhe potencialit të forcës për unionin: "Kush beson tek BE-ja, duhet ta kuptojë, që këtu kemi të bëjmë me alternativën mes paqes dhe nacionalizmit. Pikërisht këtu konsiston vendimi që duhet të marrim: paqe apo nacionalizëm. Unë, për veten time, jam i bindur, se mendimi i paqes është zemra e BE-së, dhe se oferta e paqes që i bën sot Turqia Evropës nuk duhet të refuzohet. Përzgjedhja është nga fantazitë e shkrimtarëve apo nga nacionalizmi që djeg librat nga ana tjetër."