1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për një kafe në Janinë

27 Janar 2011

Liberalizimi i vizave shtoi deri 150 mijë në muaj numrin e vizitorëve shqiptarë që kanë shkruar në Greqi. Ata njëkohësisht janë edhe klientë të bizneseve tregtare kryesisht të zonave kufitare.

Reges Treiben in den Straßen von Athen bei Nacht
Rrugë dyqanesh në GreqiFotografi: picture-alliance / dpa

Qytetarët shqiptarë kishin çdo arsye që t'i gëzoheshin pa masë liberalizimit të vizave, që nga 15 dhjetori u siguroi liri udhëtimi në zonën Schengen por edhe bashkoi familjet e tyre në emigracion. “Edhe unë e shfrytëzova këtë rast, vëllanë e kam këtu në Greqi, me mall të madh. Këta vijnë se janë me letra, por shyqyr që na u hap rruga edhe neve” do të thoshte për DW Mariana Zisi në festat e dhjetorit, kur në shëtitjet familjare të shqiptarëve në rrugën e kalldremtë poshtë Akropolit ishin të pranishme të gjitha brezat.

Të përfshirë në gëzimin e tyre vizitorët shqiptarë që hynin në tokën helene ishte ndosha herët për të kuptuar se sa të mirëpritur dhe të dobishëm ishin dhe për të zotët e shtëpisë. Sidomos për ata të zonave kufitare dhe ekonomive të tyre lokale, siç pohohet nga vetë kryetari i Dhomës së Tregtisë së Janinës, Dhimitris Baracas, i cili flet për një rritje gati 10% të xhiros gjatë festave në tregun e qytetit që kriza e thellë pothuajse e ka përgjysmuar. “Në qoftë se kjo vazhdohet me të gjitha premisat pozitive mendoj se do të jetë një gjë shumë pozitive për tregun lokal” i thotë DW Baracas, duke theksuar ndërkohë rëndësinë që ka “zbatimi rigoroz i procedurës”.

Michalis PantoulasFotografi: DW

Qytetarët shqiptarë u treguan shumë korrektë

Fakti që vetëm 500 refuzime hyrjesh pati nga policia, tregon se qytetarët shqiptarë u treguan shumë korrektë me ligjin kur fluksi i tyre që hynë në Greqi një muaj pas heqjes së vizës në dy pikëkalimet kufitare, të Kakavisë dhe Kapshticës, arriti në 150.000 vetë. Në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar Kakavija priti 15.000 më shumë vizitorë shqiptarë, ashtu si edhe Kapshtica që në ditët e festave numëronte mesatarisht rreth 10.000 vizitorë në ditë.

Si “frymëmarrje” për ekonominë lokale i sheh vizitorët shqiptarë, qofshin edhe konsumatorë kalimtarë, “që do të pinë kafen, do të hanë një sanduiç dhe do të bëjnë një farë pazari,” para se të shkojnë në tregun e Janinës, kryebashkiaku i zonës kufitare të Pogonit grek Kostas Kapsalis, i cili nxiton të theksojë vlerësimin pozitiv të shoqërisë lokale. “E shohin si një zhvillim pozitiv për zonën tonë dhe për gjithë qarkun e Janinës,” thotë Kapsalis i porsazgjedhur në detyrë, vizioni i të cilit shkon shumë më tej se xhiroja e vizitorëve kalimtarë nga vendi fqinj. Me kuletë, sigurisht të vogël, në shumë raste në cakun e kushtit të vizës të 50 eurove në ditë, por shumë të vyer për ekonominë e zonës së tij me rrjet rrugor të keq dhe të “izoluar” nga Janina, që në kulmin e krizës “ka nevojë, siç pranon, edhe për 1 euro”.

“Ndër objektivat tona parësore është që të kemi transaksion të lirë në të dyja anët e kufirit në një rreze prej 20 kilometrash,” thotë kryebashkiaku grek. Ide e hedhur, siç kujton, vite më parë nga ish ministri i jashtëm grek dhe presidenti aktual Karolos Papulias. “Kjo duhet bërë se besojmë se është pozitive për zonën tonë. Janë shumë grekë me aktivitet ekonomik në Shqipëri por edhe shumë shqiptarë në Greqi, që do të mund të kontribuonin në zhvillimin ekonomik në të dyja anët e kufirit”. Për këtë, siç thekson Kapsalis, bashkë me “zonën e lirë të tregtisë” duhet edhe infrastrukturë moderne në pikëkalimin kufitar të Kakavisë si edhe ngritja e stacionit tregtar që kërkohet prej vitesh, por pa rezultat, prej shoqatave tregtare.

Greqi, Rrugë dyqaneshFotografi: Nikos Pilos

Me heqjen e vizës përftoi thekse të reja pamja e përditshme me targat e makinave shqiptare përbri atyre greke në sheshet para polimarketeve apo serviseve të automjeteve, një pamje që në rastin e inagurimit të një polimarketi sendesh shtëpiake në Janinë muajin e kalur bëri që media lokale të flasë “për invadim klientësh shqiptarë”. “Në Janinë, në Konicë, në Igumenicë, për shembull, zona të cilat i njoh shumë mirë, është bërë një fenomen i zakonshëm kalimi dhe prezenca e qindëra qytetarëve shqiptarë për të pirë një kafe, për t'u takuar me miqtë e tyre, për të bërë pazar” i thotë DW deputeti socialist i Janinës Mihalis Pantullas, i cili realitetin e krijuar me “liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë” e sheh si “pararendës të krijimit të zonës së lirë të tregtisë”. Por edhe rigjallërimi të një tradite bashkëpunimi të ngushtë tregtar sipas shprehjes së njohur të palës shqiptare “për një kafe në Janinë”. “Zgjerimi i kësaj klime pozitive në tërë gamën e marrëdhënieve të të dy palëve do të sjellë përfitime të reja për të dy popujt” shton deputeti grek, me njohje të thellë dhe miq të shumtë të zonës kufitare në të dy anët e kufirit.

Fobitë e viteve -90të për fqinjët “problematikë“ veriorë kaluan duket shpejt në histori, ashtu siç parashikonte atëherë gazetari veteran grek Jorgos Vocis optimist se “dinamika e jetës do ta lejë pas politikën». E njejta gjë dhe në zonën e Selanikut ku mbërrijnë qytetarë nga FYROM akoma dhe për ahengje dasmash dhe pagëzime apo turq me pasaporta jeshile për turizëm dhe pazar në ishujt grekë të Egjeut. “Hairi“ i fqinjit, pra, që i jep jetë shprehjes së nobelistit indjan Amartya Sen “në qoftë se nuk doni luftë bëni tregti”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW