Për numrin e minoritarëve grekë në Shqipëri mungojnë shifra zyrtare
9 Maj 2007Numri i grekëvë etnikë që jetojnë në Shqipëri mbetet një nga çështjet për të cilat diskutimet vazhdojnë edhe pas fitores së forcave demokratike në Shqipëri. Si në shumë vende të Evropës Lindore, në Shqipëri mungojnë statistika të plota, të sakta dhe të fundit për numrin e anëtarëve të minoriteteve etnike.
Në bazë të shifrave zyrtare, në Shqipëri jetojnë 58.758 vetë me kombësi greke, shifër e cila është kundërshtuar nga burime greke: shifrat që japin ata nisen nga 150 mijë deri në 400 mijë pjesëtarë të minoritetit grek, të cilët jetojnë në Shqipërinë e Jugut dhe në kryeqytetin e Shqipërisë Tiranë. Të dhënat shqiptare bazohen në regjistrimin e popullatës të vitit 1989, për të cilin edhe zyrtarët shqiptarë pranojnë se duhet të rishikohet dhe plotësohet.
Por një regjistrim i popullsisë dhe banesave, i nisur në vitin 2000, u bojkotua nga minoriteti grek, sepse nuk qe parashikuar që ai të përfshinte edhe deklarimin e kombësisë dhe të fesë. Në takimin tonë në Dervican, prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, na thotë:
"Shiko, pyetja është me vend. Ne përgjigjemi në mënyrë diplomatike dhe themi se ngaqë nuk është bërë regjistrimi i popullsisë nuk mund të themi një numër të saktë. Unë nuk do të përgjigjem kështu, sepse nuk jam diplomat. Në vitin 1989 qeveria shqiptare ka nxjerrë një shifër, 58.176, dicka e tillë, të minoritarëve. Po të shikosh rritjen e popullsisë dhe përqindjen, duhet të kishim një shifër të 58 mijës. Po unë do të thosha që minoritarët etnikë kanë kartën e homogjenitetit. Faktikisht t'i referohemi këtyre shifrave se janë të njohura. Në shtetin grekë ka rreth 280 mijë që disponojnë këtë kartë dhe 60 mijë të tjerë që do të aplikojnë kërkesat për ta marrë. Ne themi se jemi dicka më shumë, presim regjistrimin që të saktësojmë numrin e minoritarëve etnikë"
Më tej prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera na sqaron arsyet e bojkotimit të regjistrimit të popullatës nga minoriteti grek:
"Ishte një vendim politik shumë i qartë i OMONIA-s, që të mos merrnim pjesë në këtë regjistrim, sepse mungonte nga pyetësori gjuha, feja dhe kombësia, ndërkohë që në shtetet e tjera, sic ishte në Maqedoni dhe në shtetet e tjera ballkanike është bërë një regjistrim duke vendosur në pyetësor edhe këto tri gjëra. Pra nuk morëm pjesë dhe arritëm që me qeverinë e zotit Meta, atëherë të bëjmë presion dhe të kishim nga qeveria një premtim që do të bëhet regjistrimi i popullsisë për dy vitet që do vijuan, flasim për vitin 2003, do të mbaronte regjistrimi i popullsisë. Ne jemi në pritje, ë shtë cështja jonë prioritare që i kërkojmë cdo qeverie shqiptare"
Spiro Ksera është optimist se regjistrimi i minoriteteve në Shqipëri do të kryhet dhe se nuk do të përsëriten arsyet e dhëna në vitin 2000:
"Arsyeja që na u dha atëherë ishte se nuk mund të shtyhej regjistrimi, ngaqë qeveria bashkë me qeverinë greke atëherë kishin financuar këtë regjistrim, si pjësëtarë të Komunitetit evropian nëse nuk gabohem dhe nuk kishte asnjë mundësi konkrete që të shtyhej dhe u zhvillua si u zhvillua. Ju e dini që zoti Berisha bëri një premtim që do të zhvillohet për vitin 2006, një premtim që nuk është realizuar. Ne shpresojmë që regjistrimi i popullsisë të bëhet në vitin 2007".
Politikani dhe publicisti Prec Zogaj bën një llogari praktike, kur e pyesim për numrin e grekëve etnikë në Shqipëri:
"Shifra është 80-100 mijë, pak a shumë, për mendimin tim, nuk ka më shumë. Kështu rezulton edhe nga të gjitha votimet. Sepse mund të bëhet një studim që lidhet me votimet. PBDNJ, që është pak a shumë partia e minoritetit, zakonisht merr 2,5% të votave në Shqipëri. Mirëpo ajo merr edhe në Mirditë vota, edhe në Kukës. Por këto që merr në Mirditë, i humb diku tjetër, se ka disa minoritarë që votojnë PD-në ose PS-në, nga pak kështu. Këtu i merr 40 mijë, që janë 60 mijë pastaj si numër banorësh, se ka edhe nën 18 vjeç. Një pjesë kanë ikur në Greqi, që janë emigrantë".
Në mikrofonin tonë, pjesëtarë të tjerë të minoritetit grek thonë se regjistrimi në bazë të kombësisë është një e drejtë që u mohohet.
Ish-kryetari i Omonias dhe sot kryeredaktor i gazetës Ta Vromo, Vizioni, Theodhori Bezhani:
"Për çështjen e regjistrimit të popullatës, është diçka e vazhdueshme. Ne kërkojmë regjistrim të popullatës sipas konventave ndërkombëtare. Shqipëria, meqë është në rrugën drejt Evropës, duhet ta respektojë këtë"
Orfea Beci, një intelektual minoritar, të cilin e takuam në Gjirokastër thotë:
"Të kapërcejmë veten dhe të realizojmë të drejtat, kudo ku lind nevoja. Për këtë gjë, një mjet shumë i dobishëm do të ishte regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, duke patur cilësorë për etninë dhe për besimin që ka, gjë të të cilën Shqipëria nuk e realizoi në vitin 2000 dhe për këtë ka marrë vërejtje nga Komisioni Evropian, ka marrë vërejtje nga OSBE-ja dhe në veçanti nga Këshilli i Evropës, që është më sensibël në çështjet e realizimit të të drejtave të minoriteteve.
Përfaqësues të caktuar të shumicës shqiptare kanë thënë se minoriteti grek përpiqet të rrisë në mënyrë artificiale numrin e tij në Shqipëri, duke shfrytëzuar varfërinë e shqiptarëve. Sipas tyre, lehtësitë në viza dhe shtesat në pensione që të siguron shpallja si grek etnik janë elementë që kanë çuar në përpjekje të shumë personave për sigurimin e dokumentave, që të vërtetojnë përkatësinë etnike greke të tyre. Kjo, sipas tyre, me synimin që minoriteti grek të përfitojë nga e drejta ndërkombëtare e vetëvendosjes dhe shkëputjes, nëse përfaqëson një përqindje të caktuar të popullatës.
Por përfaqësues të minoritetit tërheqin vëmendjen në legjislacionin ndërkombëtar. Dhe ky legjislacion njeh të drejtën e plotë të individit për të përcaktuar se në cilën etni bën pjesë.
Sidoqoftë, rezerva politike për një regjistrim të ri të minoritetit duket se nuk ekzistojnë. Vasilika Hysi, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Tiranë, na thotë:
"Nuk mund të them që shteti nuk është i interesuar. Ky problem nuk ë shtë vetëm i shtetit shqiptar, por është një problem në mbarë Evropën. Ka një regjistrim të 89-ës që është i vjetër dhe ne mendojmë se është e nevojshme të bëhet një regjistrim i ri. Por siç ka theksuar edhe KE e sidomos Komisioni Evropian kundër intolerancës dhe racizmit ECRI shtetet që kanë minoritetet dhe duan të bëjnë regjistrimin e tyre duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përcaktimin e treguesve si do të bëhet ky regjistrim. ECRI ka miratuar edhe një guidë, ku besoj se do të orientojë të gjitha shtetet që duan ta bëjnë këtë regjistrim, për të pasur kujdes që regjistrimi i minoriteteve të mos kthehet në të kundërtën e tij. Mund të ndodhë që për shkak të identifikimit të një personi të caktuar si pjesë e minoritetit mund të lindë një vetëdiskriminim, ose një diskriminim nga të tjerët.
Regjistrimi është problem shumë delikat, dhe të gjitha studimet që ka bërë edhe Këshilli i Evropës dhe organizmat e tjera kanë kërkuar një shkallë shumë të lartë të ruajtjes së të dhënave personale. Dhe nëse ne në vendin tonë nuk kemi instrumenta të mbrojtjes personale, ato të dhëna në vend që të përmirësojnë gjendjen e minoriteteve, mund të kthehen në të kundërtën dhe të dëmtojnë statusin dhe individë të veçantë në këto minoritete."