1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për problemet e femrës shqiptare flitet shumë e veprohet pak

8 Mars 2010

Angazhimi i femrave ne biznes nuk është më një gjë e rallë në Shqipëri. Megjithatë krahas sfidave të profesionit ato ndeshin ende në mentalitetin shoqëror. Një shembull i një gruaje të suksesshme.

Arlinda Dudaj, gjatë punës në Shtëpinë Botuese në Tiranë
Arlinda Dudaj, gjatë punës në Shtëpinë Botuese në TiranëFotografi: DW

Arlinda Dudaj ka rreth dhjetë vjet që është e angazhuar në fushën e biznesit. Ajo drejton një ndër shtëpitë botuese më të mëdha në Shqipëri, “Botimet Dudaj”. Publikimet e saj, të autorëve më të spikatur shqiptarë, përkthime nga letërsia europiane, nobelistë dhe krijimtari bashkëkohore, lëvizin në të gjithë tregun e librit në hapësirat shqipfolëse.

Respektimi i së drejtës së autorit ishte më i parëndësishmi

Për një pedadoge të gjermanishtes në Universitetin e Tiranës në fillim të viteve 2000, vendimi për t'i hyrë biznesit të botimeve nuk ishte i kollajtë. Një sektor në atë kohë krejt spontan. Vetë Arlinda kujton nisjen e aktivitetit të saj, dilemat, por dhe problemet me konkurencën pa rregulla loje. Atë periudhë kur ja nisi “Botimet Dudaj” tregu ka qënë si në një kaos të vërtetë, ku koncepti për respektim të së drejtës së autorit ishte më i parëndësishmi. Ku rolin e përkthyesit mund ta merrte kushdo që “belbëzonte” një gjuhë të huaj, thotë Arlinda Dudaj për DW.

Në fakt nuk e dija se çfarë po bëja. D.m.th që të filloja botimet, të merresha me librat, këtë e dija mirë. Sepse nuk kisha gjë tjetër në jetë që mund ta bëja më mirë se sa kjo. Po se si, se ku po futesha, në ç'treg e kaos po futesha, këtë e kuptova me të filluar. Nisëm me disa gjëra të lehta, por dua të them se isha gabim nga pikëpamja komerciale. Atëhere unë kujtoja se do të botoja librat që më pëlqenin mua. Libra që nuk ishin botuar në shqip më parë, por që ishin shkrimtarë shumë të mirë, si Patrick Süskind, apo Hermann Hesse etj. Kryesisht shkrimtarë gjermanë, të cilët i pëlqeja dhe i kisha lexuar nga shkolla. Mendoja se duhet të ishin dhe në shqip. Po që ishte e vështirë të përthitheshin nga tregu, sepse nuk i njihnin fare, por dhe sepse letërsia gjermane ishte paksa e vështirë, paksa cerebrale, por për mua me shumë vlera”.

Femra biznesmene ndeshet edhe me mentalitetet sociale

Botuesja Arlinda Dudaj shton se merrja me biznes për një femër nuk ka të bëjë vetëm me sfidat profesionale e menaxheriale, por dhe me mentalitetin social në Shqipëri.

Jetojmë në një shoqëri maskiliste. Çfarë do gjë që mund të bëjë një femër përflitet në gojët e gjithë njerëzve. Por ka dhe femra, të cilat kanë arritur të qëndrojnë dhe të krijojnë një lloj profili, me dinjitet e integritet, pa shkelur, të themi disa parime që mund të përbëjnë botën e çdo njeriu. Të gjithë duhet të ngrejnë ato muret e veta, kushdo, pavarësisht nëse është burrë apo grua.”

Njeriu i duhur në vendin e duhur e zbeh paragjykimin social

Ajo e përshkruan si thelbësor motivimin e çdo femre në sipërmarrjen e saj. Pavarësisht se ku punon dhe drejton, në sektorin publik, në atë privat, në skenën politike a në rrjetin e shoqatave joqeveritare. Vendosja e njeriut të duhur në vendin e duhur e zbeh, e zhvlerëson mentalitetin, paragjykimin social. Ata që janë përreth, qofshin këta dhe meshkuj në mazhorancë binden dita ditës se jo përkatësia gjinore, por aftësia, profesionalizmi, stili menaxherial dhe komunikimi janë determinues, thotë Arlinda për DW.

Arlinda Dudaj, botueseFotografi: DW

Të jesh femër në botime është një gjë shumë e mirë, sepse të ndihmon. Unë absolutisht që e bësoj këtë, bazuar dhë nga një eksperiencë ndërkombëtare: femrat janë shumë të zonjat dhe janë në krye të shtëpive të mëdha botuese botërore, po flas në drejtim, në menaxhim, në të gjitha aspektet”.

"Po të kesh vullnet për t'i bërë gjërat atëhere mundesh"

Duke qenë e martuar dhe nënë e një fëmije Arlindës i merr vëmendje të veçantë dhe angazhimi familjar. Axhenda e çdo dite alternon ose ndërthurr prioritete nga më të ndryshmet. Duke racionuar kohë e energji, për të mos lënë asgjë të rëndësishme pa kryer, thotë ajo.

“Nuk them se s'është e vështirë, por ama po të kesh vullnet për t'i bërë gjërat atëhere mundesh. Vullneti është një detaj shumë i rëndësishëm në jetën e një femre, në jetën e një njeriu që kërkon gjithmonë nga vetja”, shprehet për DW, Arlinda Dudaj, botuese e njohur në Shqipëri.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi