Për pronat vazhdojnë ankesat e paditë
1 Tetor 2010
Orhan Jegeni shfleton një dosje plot me dokumenta zyrtare kur flet për peripecitë e tij për të marrë pronat e trashëguara nga prindërit. Ato janë 425 mijë metra katrore në Kodër Kamëz, rreth 15 km larg Tiranës. Në vitin 1947 gjithçka u konfiskua nga regjimi komunist dhe në pronat e familjes së Orhanit u ngrit Ferma shtetërore e Kamzës. Në atë vit Orhani, sot 72 vjeç, ishte 12 vjeç. Ai kujton sesi nuk arriti të merrte lodrat e tij kur gjithçka e mori shteti komunist. Pas pak vitesh do të kuptonte pse familja e tij me origjinë nga vëllezërit Frashëri do të jetonte në bodrume dhe do të endej në internime. Me fjalë të kursyera ai kujton ato vite të vështira dhe çfarë ndodhi menjëherë pas shembjes së regjimit komunist lidhur me pronat.
“ Jeta në regjimin komunist ka qënë një kalvar i mundimshëm. Komunizmi u shemb. Erdhën politikanët e rinj me premtime se do të ndërtonin shtetin e së drejtës, do të ndreqnin gabimet e të shkuarës, se do ta bënin Shqipërinë si gjithë Europa.. ..Shkuam në hipotekë ku gjetëm regjistrin e pronave tona të pacënuar, prona ishte e pastër, nuk e kishte transkriptuar shteti në ëmer të shtetit. Komisioni i Kthimit të pronave na e njohu këtë pronë dhe mori përsipër të na e kthentë sipas formave të parashikuara në ligj. Na ktheu një sipërfaqje prej 7500 metrash. Kjo është prona jonë,”thotë Orhan Jegeni.
Mbivendosje në bazë dokumentash të falsifikuara
Kështu thonë edhe letrat, por prona nuk u bë asnnjë ditë e Orhan Jergenit dhe familjes së tij. Të tjerë njerëz shkuan atje dhe bënë ndërtime në bazë të një dokumenti që Orhani thotë se është i falsifikuar. Kështu e konsideruan edhe të gjitha gjykatat, ku ai e hodhi çështjen që e fitoi pas 7 vitesh. Ndërkohë të ardhurit kishin bërë ndërtime në pronën e tij. Iu drejtua policisë ndërtimore për të zbatuar vendimin e gjykatës, por pa asnjë rezultat.
“ Kanë kaluar pesë vjet, por vendimi i gjykatës që më jep mua të drejtë nuk ekzekutohet. Pa asnjë arsye ligjore Po të shikosh raportet e Këshillit të Europës, edhe këtë të fundit, ka një pikë atje që thotë: vendimet e gjyqësorit janë të detyrueshme për t'u zbatuar brenda një afati të arsyeshëm. Ata persona, që pengojnë ekzekutimin duhet të vihen para përgjegjësisë individuale”, thotë ai.
Kjo nuk ka ndodhur. Të ardhurit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite bizneset në tokën e tij. Ligji aktual nuk jep mundësi që vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të zbatohet në praktikë dhe të mos mbetet në letër pasi ai i jep kompetenca Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të anullojë vendimet e Komisionit.
Legjislacion që rezultoi antikushtetues
Si rasti i Orhan Jegenit në Shqipëri ka shumë, thotë për DW, Agim Toro, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Pronarëve,” Pronësi me drejtësi”. Sipas tij, prona është shkaku kryesor i problemeve të mprehta ekonomike dhe sociale, që shfaq ende tranzicioni në Shqipëri.
“Kemi dhjetra, qindra ligje të miratuara për çështjen e pronës. Sot, pas 20 vitesh ajo mbetet e pazgjidhur. Kjo do të thotë se ato kanë qenë në kundërshtim me zgjidhjen e vërtetë dhe të drejtën kushtetuese që kanë pronarët për të kërkuar pronën e tyre", thekson z. Toro.
Ligji aktual, i bazuar në atë të vitit 2004 dhe i amenduar u hodh poshtë së fundi nga Gjykata Kushtetuese, si një ligj që dhunon të drejtën universale të pronës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk e dekretoi atë. Por maxhoranca e rrëzoi vetëm me votën e saj dekretin e Presidentin dhe e la ligjin në fuqi. Thelbi kontestues i ligjit janë kompetencat që i jep Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të ndryshuar vendimet e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që u ktheu pronarëve të ligjshëm pronat e tyre nga viti 1992 dhe në vijim.
“ Kjo do të thotë që shteti shqiptar i jep të drejtë vetes të ndërhyjë në çdo pronë të çdo qytetari, pavarësisht sesi e ka fituar atë - të trashëguar nga prindërit dhe familja, të dhuruar apo të blerë - dhe t'i'a heqë këtë pronë, gjë që humbet sigurinë juridike dhe konceptin e së drejtës së pronës si një e drejtë e pacënueshme nga administrata shtetërore,”thotë Agim Toro.
Gjykata e Strazburgut – shpresa e madhe
Por pronarët nuk e kanë humbur shpresën. Atë ua mban gjallë Gjykata Europiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, në Strasburg.
“ Sot në këtë Gjykatë ndodhen mbi 400 çështje të regjistruara që presin gjykimin dhe janë 15-20 çështje që janë fituar nga pronarët shqiptarë. Interesant është fakti që asnjë nga çështjet e gjykuara nga kjo gjykatë nuk është humbur nga pronarët,” thotë Agim Toro.
Shoqata e Pronarëve “ Pronësi me Drejtësi” nuk do t' i bashkohet opozitës për t' iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Z. Toro thotë se ajo është një Gjykatë e politizuar dhe prandaj do t'i drejtohet Strasburgut. Kjo shoqatë në përpjekjet e saj për të shkuar prona tek i pronari i ligjshëm ka edhe mbështetjen e Shoqatës Evropiane të Pronarëve. Sinergjia me këtë Shoqatë pritet të sjellë së shpejti një Rezolutë të Parlamentit Europian në mbështetje të pronarëve të ligjshëm në Shqipëri dhe Rumani, ku janë të njëjtat probleme.
Autor: Ani Ruci/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi