1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për trashëgiminë e përbashkët evropiane duhet të përkujdesemi bashkarisht

Sigrid Hoff3 Nëntor 2006

Ekspertë të mbrojtjes së monumenteve të kulturës nga të gjitha vendet e Evropës morën pjesë në panairin e Lajpcigut për monumentet e kulturës. Ky panair organizohet nën kujdestarinë e UNESCO-s

Fotografi: Naturkundemuseum Berlin

Çdo dy vjet në qytetin e Lajpcigut mblidhen ekspertë të mbrojtjes së monumenteve të kulturës nga të gjitha vendet e Evropës. Panairi i Lajpcigut për monumentet e kulturës është më i rëndësishëm i këtij lloji në Evropë. Në panair marrin pjesë jo vetëm restauratorë, arkitektë dhe ekspertë të mbrojtjes së monumenteve të kulturës, por edhe mjeshtra të ndërtimit dhe firma që ofrojnë prodhime për restaurimin e ndërtesave të vjetra dhe të monumenteve të kulturës. Ky panair organizohet nën kujdestarinë e UNESCO-s.

Një prej kurioziteteve të panirit të këtij viti ishte ripërtëritja e argjilit dhe e qerpiçit, të cilat sot po gjejnë përdorim edhe si elementë për suvatim në ndërtesat moderne. Familja Mann ka një manifakturë të vogël për prodhimin e suvave prej argjile dhe qerpiçi.

"Ne prodhojmë suva prej argjili dhe lëndët e para për këtë lloj suvaje. Të gjitha i prodhojmë vetë. Suvaja prej argjili dhe qerpiçi përdoren si elementë dekorativë. Përparësitë e suvasë prej argjili lidhen me faktin se kemi të bëjmë me një material krejtësisht natyror, pa konservantë dhe kimikate, i cili është mjaft i përshtashëm për njerëzit që vuajnë prej alergjive."

Vend partner i panairit të sivjetshëm ishte Franca. Falë monumenteve të shumta kulturore në vend, restauratorët francezë kanë mbledhur gjatë 60 viteve të fundit një përvojë të madhe në fushën e restaurimeve dhe të mbrojtjes së monumenteve të kulturës. 25 firmat franceze të përfaqësuara në panair mbështeten edhe prej agjencisë shtetërore franceze për eksportin UBI France.

Shefi i saj Thierry Bouquin thekson: "Për firmat franceze është e rëndësishme që të angazhohen në tregun evropian, sepse për trashëgiminë e përbashkët evropiane, duhet të përkujdesemi bashkarisht."

Politikanët dhe investorët po deklarojnë gjithnjë e më shpesh, se me ndihmen e teknikës së sotme nuk është problem që të rikonstruktohen monumentet e dikurshme të kulturës që janë zhdukur. Edhe pse restaurimi dhe rindërtimi i kishës së grave në Dresden, e cila u bombardua gjatë Luftës së II Botërore, është shembulli më i mirë në këtë drejtim, panairi i Lajpcigut nuk synon që të jetë një forum për prirje të tilla.

Këtë e thekson edhe drejtori i këtij panairi, Gerd Weiss:"Panairi i monumenteve nuk është një panair për ndërtimet e reja, por për ndërtesat e vjetra. Në qendër të vëmendjes së tij nuk janë rikonstruksionet. Kuptohet që rikonstruksionet janë pjesë e teknikës së restaurimit, por një gjë e tillë nuk duhet të përbëjë rregullin. Mbrojtja e monumenteve të kulturës ka të bëjë me mbrojtjen dhe restaurimin e ndërtimeve autentike historike dhe jo me rikrijimin përmes përdorimit të marifeteve të teknikës të fasadës së një ndërtese, sipas modelit të dikurshëm."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW