1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përballë trukimit të ndeshjeve në Shqipëri mungojnë instrumentat për trajtim ligjor

25 Nëntor 2009

Skandalet e basteve në disa vende europiane kanë rikthyer debatin për rastet e përfolura si rezultate të paravendosura edhe në ndeshjet e superligës apo të kategorisë së parë në Shqipëri.

Qendër Lottosport në Tiranë
Qendër Lottosport në TiranëFotografi: DW

Në një nga pikat kryesore të basteve sportive në Tiranë, më shumë se për rezultatet e pritshme të ndeshjeve po diskutohet për lajmet gati të pabesueshme për trukime, që vijnë nga disa vende evropiane. Mënyra se si bisedojnë klientët të krijon përshtypjen se ata kanë nisur të ndihen të pasigurtë për parashikimet në futboll.

Jetmiri, një 45 vjeçar më thotë se jashtë vullnetit të tij ka vendosur të mos plotësojë asnjë skedinë, si për ndeshjet në kampionatet europiane, ashtu dhe për superligën shqiptare.

Kjo më frenon. Unë nuk kam nevojë të dëgjoj, se po i shikoj vetë se si po shiten ndeshjet dhe se çfarë po bëhet me futbollin”

Kurse Fatosi duke ndjekur lajmet që vijnë nga Gjermania, shpreh për DW pesimizëm për të ardhmen e garave futbollistike.

Sporti është shkatërruar. Nuk ka më sport të ndershëm. Sepse çdo gjë është e paparashikuar. Kur humbet një skedinë me koeficient 1.2 imagjinoje se ç'mund të thuash pastaj. Asnjë lloj parashikimi nuk mund të mendosh. Çdo gjë është truk. Vazhdon si një virus, si puna e gripit të derrave dhe është e pamundur të shkulet”

Andrea, një tifoz i vjetër i futbollit, është bërë aq dyshues në këto ditë sa akuzon dhe futjen e teknologjive të përparuara për arbitrat e futbollit.

Për mua ka trukime të mëdha. Përderisa arbitri mban kufje në vesh, atëhere ai drejtohet me telefon. Kështu ai jep direkt një penallti…”.

Në Shqipëri vazhdimisht në mediat sportive dhe jo vetëm në to trajtohet problem i trukimeve të ndeshjeve në superligën e futbollit. Opinioni ka vënë në shënjestër dhe kombëtaren e futbollit. Por pas një periudhe kohe gjithshka fashitet.

Altin Manallari, redaktor i sportit në gazetën "Shqip"Fotografi: DW

Altin Manallari është redaktor i sportit në të përditshmen “Shqip”. Ai thotë për DW se problemi i trukimeve të ndeshjeve në Shqipëri ka mbetur vetëm në kuadër të konstatimeve. Nuk ka asnjë çështje që të ketë nisur si hetim dhe të ketë përfunduar në gjykatë.

Mbetemi vetëm në rangun e thashethemeve, në rangun e akuzave mes presidentëve të klubeve me njeri tjetrin, apo në akuzat mes lojtarëve dhe presidentëve, e kështu me rradhë. Deri në momentin që flasim nuk ka asnjë rast që të ketë përfunduar në gjykatë, apo që të ketë arritur në një përfundim konkret”.

Manallari shikon si mjet parandalues e goditës për këtë fenomen forcimin e ligjit.

Por një projektligj që u trumpetua me të madhe pranverën e vitit të kaluar ka mbetur ende në letër duke mos ju paraqitur deputetëve për diskutim dhe miratim”, thotë ai për DW.

Drejtori i marrëdhënieve me publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit,Tritan Kokona, thotë se ky institucion ka struktura të vecanta për të trajtuar dhe deri hetuar rastet ku dyshohet se ka trukimeve.

Tritan Kokona, drejtori i marrëdhënieve me publikun në Federatën Shqiptare të FutbollitFotografi: DW

Përveç komisionit të disiplinës dhe atij të apelit, ekzistojnë dhe agjentë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët merren me çështje të tilla, kur ka deklarata. Merren dëshmi nga palët, kërkohet, depozitohet dhe investigohet”.

Por parandalimi dhe goditja me ligj e rasteve konkrete, thotë Tritan Kokona për DW, do të jetë efektiv vetëm kur të ketë bashkërendim të aktorëve brenda futbollit – klubet, trajnerët, presidentët, arbitrat, shoqatat e tifozëve etj- me aktorë jashtë fushës së blertë si prokuroria, gjykata e organe të tjera të specializuara. Për Kokonën, nëse do të ketë një ligj të përshtatshëm për abuzimet dhe mashtrimet në futboll, ky duhet të jetë fryt i bashkëpunimit mes këtyre faktorëve.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi