1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundon kongresi botëror i naftës në Johanesburg

Dagmar Wittek30 Shtator 2005

Energjitë alternative kanë potencial të madh rritjeje

Shtylla për përfitimin e energjisë nga era
Shtylla për përfitimin e energjisë nga eraFotografi: dpa

E ardhmja i takon naftës - kjo është bindja e përgjithshme e shprehur në kongresin botëror për naftën, të mbajtur në Johanesburg. Energjitë alternative, po po ato përmenden, por me sa duket ato nuk luajnë rol të madh për industrinë e naftës dhe vendet naftënxjerrëse. Deri tani. Të gjithë e dinë në fakt që rezervat tona të naftës mjaftojnë edhe vetëm për rreth 30-50 vjet e pastaj shterojnë ose bëhen të papagueshme. E dinë edhe që duhet menduar ndoshta që tani, por nuk ka fitime që të të joshin. Vazhdimisht argumenti që jepet është: energjitë e ripërtëritshme nuk janë fitimprurëse. Ky, mendon drejtori i institutit Worldwatch, Christopher Flavin, është një vlerësim krejt i gabuar.

"Qymyri kushton sot 4 deri në 5 cent kilovatora, gazi, çmimi i të cilit po rritet mjaft tani, është tek 5 deri në 7 cent, ndërsa era kushton në vende të favorshme vetëm 4 cent e në vende jo aq të mira ku duhen përshkuar rrugë të gjata transmetimi 7 cent kilovatora. Pra për sa i takon kostos energjia e erës është në mesin e çmimeve e në këtë mënyrë edhe konkurruese."

Tani për tani Gjermania është numri 1 në botë për shfrytëzimin e energjisë së erës, Kanadaja udhëheq në energjinë e ujit dhe Brazili në shfrytëzimin e etanolit si karburant. Por pjesa e energjive alternative në shkallë botërore është vetëm 2 për qind. Por shpresat varen tek vende si Norvegjia, e cila 45 për qind të energjisë së vet e fiton prej energjive alternative. Këto vende thotë Flavin e kanë kuptuar se ku është tregu i së ardhmes dhe janë shumë moderne. Ritmet e rritjes flasin vetë.

"Energjia e fituar nga era rritet çdo vit me 30 për qind, fotovoltaika me 23 për qind, karburanti biologjik si etanoli me rreth 6 për qind në vit, por vetëm 5 vitet e fundit me 20 për qind. Pastaj shohim shifrat e burimeve fosile të energjisë. Nafta rritet me më pak se 2 për qind, qymyri vetëm me 2 për qind, gazi është rritur me 2,2 për qind në vit dhe për energjinë bërthamore nuk ia vlen të flasim, ajo rritet me 0,4 për qind në vit."

Cristopher Flavin u bën milionerëve të naftës një pyetje të thjeshtë, e cila e jep vetë përgjigjen dhe bën të qartë se investimi në energjitë alternative ia vlen:

"Do të parapëlqenit të ishit në një biznes energjetik që ka në fakt 20 për qind të tregut por që rritet vetëm me 2 për qind, apo në një tjetër me 2 për qind pjesë tregu dhe me 25 për qind rritje në vit?"

Që shifra të tilla nuk ndeshin vetëm vesh të shurdhër këtë e tregojnë firma si Shell, Mitsubishi apo British Petroleum, të cilat vetëm vitin e kaluar investuan 30 miliardë dollarë në zhvillimin e teknologjive të reja. Zëvendëspresidenti i Shell Hydrogen, Jeremy Bentham, thotë se në fund të fundit në të ardhmen do të duhet të gjehen forma të përziera.

"Një përzierje midis energjive parësore dhe naftës së përpunuar, cilësore. Energjitë e ripërtëritshme do të jenë pjesë e zgjidhjes. Por pjesa e tyre e tregut do të varet në masë të madhe nga objektivat dhe ligjet e qeverive të ndryshme. Ne besojmë se në vitet e ardhshme ka shance fantastike biznesi; por duhet të merren vendime udhërrëfyese e koha për to është tani."

Në këtë mënyrë industria ia ngec derrin maç qeverive. Me siguri rrjedhojë e kësaj do të jetë që vendet, të cilat mund t'ia lejojnë vetes të investojnë tani në energji alternative dhe të nxjerrin ligje përkatëse, do të përfiqojnë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë vendet në zhvillim dhe ato në industrializim, të cilat do të zënë pjesën dërrmuese të kërkesës në rritje për energji gjatë 20 viteve të ardhshme, nuk do të arrijnë të përfitojnë.