Përfunduan Lojërat Olimpike Dimërore
20 Shkurt 2022Lojërat Olimpike dimërore në Pekin ishin një sukses i madh për sportistët gjermanë. Gjermania zuri vendin e dytë në konkurrencën shumë të fortë të shumë vendeve botërore, pas Norvegjisë për nga numri i medaljeve. Por këto lojëra u mbajtën nën hijen e rëndë të pandemisë Corona dhe pa shikues. Ndërsa të shumta ishin edhe kritikat ndaj vendit nikoqir Kinës, për shkeljen e të drejtave të njeriut në këtë vend.
Sukseset më të mëdha sportistët gjermanë i kanë shënuar në sportet bob dhe me saja, por ka pasur suksese të jashëzakonshme edhe në biathlon, në vrapim me ski si dhe kërcime me ski. Në përgjithësi, ekipi gjerman u nda i kënaqur me rezultatet sportive në këto lojëra.
Në këto gara kanë marrë pjesë edhe sportisët nga Kosova dhe Shqipëria.
Shifrat dhe dopingu
Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Komitetit Olimpik Thomas Bach i quajtën të suksesshme këto lojëra dhe u shprehën se këto lojëra i kanë ndjekur rreth 346.000.000 njerëz. Ata folën për sukses të madh sportiv në këto lojëra. Por në këto lojëra ka pasur edhe 437 raste pozitive me virusin Corona, që ka pamundësuar shumë sportistë që të realizojnë ëndërrën e tyre dhe të garojnë, në lojërat olimpike, pavarësisht faktit se për këtë janë përgatitur me vite të tëra.
Me 16 medalje të arta, Norvegjia ka zënë vendin e parë. Ndërsa ekipi gjerman zuri vendin e dytë me 12 medalje të arta. Vrapusesja mbi akull me patina, Claudia Pechstein shënoi rekord në konkurrencën e femrave me pjesëmarrjen e saj të tetë në lojërat olimpike dimërore. Ndër sportistët më të suksesshëm gjermanë ishin Francesco Friedrich, Natalie Geisenberger, Thobias Wendl dhe Thobias Arlt...
Ndërsa sportistët më të sukseshshëm të këtyre lojërave olimpike me nga pesë medalje ishin: biatletët Johannes Thingnes Bö dhe Marte Olsbu Röiseland (nga Norvegjia) si dhe Quentin Fillon Maillet (nga Franca) si dhe vrapuesi me ski Alexander Bolshunov (nga Ekipi i Sportistëve Rusë - ROC). Një sukses të jashtëzakonshëm ka shënuar Finlanda e cila për herë të parë fitoi titullin olimpik në hokej mbi akull, pasi në finale e mundi ekipin e sportistëve rusë.
Në këtë kampionat janë regjistruar deri tani edhe tre raste të dopingut.