1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përgatitjet e fundit në Prishtinë për takimin e nivelit të lartë në Vjenë

Bekim Shehu6 Mars 2007

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu do të kryesojë delegacionin e Kosovës, që udhëton për në Vjenë më 10 mars për të zhvilluar takimin e fundit të nivelit të lartë politik me autoritetet serbe të Beogradit

Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: AP

Grupi negociator i Kosovës i ka vlerësuar pozitivisht rrjedhat e bisedimeve konsultative në Vjenë, gjatë dy javëve të shkuara. Ndërkohë po bëhen përgatitjet e fundit për takimin e nivelit të lartë politik, Prishtinë-Beograd që do të zhvillohet me 10 mars në Vjenë.

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës janë shprehur se sipas të gjitha gjasave, nesër ata do të pranojnë zyrtarisht propozimin e plotësuar për statusin të ndërmjetësit, Marti Ahtisari. Ky dokument besohet se do të jetë edhe propozimi final për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Në tri ditët e mbetura para udhëtimit për në Vjenë, Prishtina zyrtare, do ta analizojë me kujdes këtë dokument dhe grupi negociator i Kosovës beson se propozimi final i Marti Ahtisarit, nuk do të ndryshojë substancën që për ta është pavarësia e Kosovës.

Skender Hyseni, zëdhënës i grupit negociator: "Unë ndjej nevojën të theksoj qëndrimin e fortë të Ekipit të Unitetit dhe të Kosovës, që pakoja e Ahtisaarit, e prezantuar më 2 shkurt, nuk duhet të pësojë ndryshime në substancë. Ajo për çka është angazhuar Kosova në periudhën konsultative në Vjenë, është precizimi i mëtejshëm i disa dispozitave, ose qartësimi, saktësimi i tyre, gjithnjë me qëllim të bërjes së pakos si tërësi më funksionale".

Delegacioni i Kosovës, sipas zëdhënësit Hyseni, ka kërkuar nga Marti Ahtisaari të qartësojë procesin e transformimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe formimit të Forcës së Sigurisë për Kosovën. Prishtina zyrtare beson se qysh në takimin e 10 marsit, Marti Ahtisari, do të japë rekomandimin e tij përfundimtar lidhur me statusin, të cilin më pas do t'ia përcjellë për miratim Këshillit të Sigurimit.


Skënder Hyseni: "Presidenti Ahtisari menjëherë pas 10 marsit pritet që në një afat optimal e kjo do të thotë brenda 2 apo 3 ditësh, ta përcjellë pakon e tij në Nju Jork, të shoqëruar me një rekomandim të qartë për statusin. Por, ne nuk shohim asnjë zgjidhje për Kosovën, përveç pavarësisë. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër që do të funksionojë në Kosovë. Ka togfjalësha të ndryshëm, pavarësi e kushtëzuar, e mbikëqyrur, e observuar, e monitoruar. Pra, do të ketë një prani civile ndërkombëtare, që është pranuar nga Kosova".

Pikërisht në ditën kur Prishtina, thuhet se do të pranojë propozimin e plotësuar të Marti Ahtisarit, për zgjidhjen e statusit, grupi negociator i Kosovës, do të takojë në Prishtinë, ndihmëssekretarin amerikan të shtetit Daniell Fried. Pas qëndrimit në Beograd, sot në mbrëmje Danile Fried, do të arrijë në Kosovë dhe bisedat e para do t'i zhvillojë me kryetarët serbë të komunave veriore të Kosovës.

Daniel Fried, para se të mbërrijë në Kosovë ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se plani për Kosovën i hartuar nga Marti Ahtisaari është i drejtë dhe i baraspeshuar, ndërsa nga udhëheqësit serbë dhe shqiptarë kërkoi që të gjejnë një zgjidhje.