1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

141211 Konzerne Menschenrechte

16 Dhjetor 2011

Si ia bëjnë kompanitë gjermane në tregun botëror me respektimin e të drejtave të njeriut? Sa janë të gatshme të bëjnë për respektimin e tyre? Për këtë qeveria gjermane bisedon në Berlin me "Global Players".

Punëtore në fushat e orizit, në Indi
Punëtore në fushat e orizit, në IndiFotografi: UNI

Kur ministrja e Punës Ursula von der Leyen në dy ditët e ardhshme do të takohet me kompanitë gjermane, aktive në tregun botëror, atëherë fjala do të jetë për të drejtat e njeriut, respektimi i të cilave kërkohet gjithnjë e më shumë prej koncerneve me veprimtari globale. Nëse për këtë duhet të vendosen rregulla të detyrueshme ligjërisht, është e diskutueshme. OJQ-të janë pro kësaj ideje, koncernet priren të jenë të rezervuara ndaj iniciativave të tilla.

Fitime të larta dhe pak përgjegjësi

Michael Inacker, menaxher në Metro GroupFotografi: picture-alliance/dpa

Të drejtat e njeriut dhe sipërmarrjet, kjo nuk përbën kundërshti për Michael Inacker, menaxher në Metro Group: "Si një kompani globale me një publicitet të lartë, ne nuk mund t'i lejojmë më vetes që të mos përmbushim disa standarde në fushat sociale, të të drejtave të njeriut, apo në fushën e mjedisit."
Metro Group, një nga koncernet më të mëdha tregtare në botë, me seli në Gjermani, realizon tani dy të tretat e shitjeve jashtë vendit, punëson afro 300.000 punonjës dhe shumë nënkontraktorë dhe është aktive në rreth 30 vende. Në të paktën njërin, në Indi, nuk është aspak e vetëkuptueshme ajo, të cilën përfaqësuesi i Metro-së Inacker e quan të vetëkuptueshme, thotë Franziska Humpert e organizatës për të drejtat e njeriut, Oxfam. Ajo ka shqyrtuar në një studim aktivitetet e Grupit Metro në vende si Bangalore, Mumbai dhe Hyderabad dhe akuzon koncernin për tendencë për fitim maksimal dhe për sens të mangët përgjegjësie: "Aty ne kemi konstatuar se të drejtat e sindikatave nuk janë respektuar, që nuk është paguar puna jashtë orarit, që ka patur diskrimin të grave."

Përveç kësaj ka patur shkelje të ligjeve të punës në zinxhirin e furnizimit: Shumë orë pune për punëtoret e fermave dhe të ardhura minimale, pra më pak se 1,25 dollarë amerikanë në ditë – nën nivelin e varfërisë të përcaktuar nga OKB-ja.

Oxfam dhe Metro hynë në fund në diskutim me njeri-tjetrin: gjigandi global tregtar i paraqiti organizatës për të drejtat e njeriut raportin e vet të auditimit dhe mori përsipër përgjegjësinë për detyrimet sociale dhe për të drejtat e njeriut. Angazhimi vullnetar është shumë shpesh vetëm në të mirë të imazhit, sepse në Indi – kështu konstatoi Franziska Humpert në studimin e saj – fermerët e vegjël nuk e njihin aspak të ashtuquajturin "Business Social Compliance System" (BSC), që vlen tek Metro-ja: "Kjo do të thotë se sistemi te fermerët e vegjël dhe për punëtoret ne fushë, që vuajnë kryesisht nga shkelja e ligjit të punës, nuk zbatohet aspak."

Dialog dhe përmirësim

Koncerni Metro në BangaloreFotografi: AP



Megjithatë Humbert konstaton se tashmë ka përmirësime te Metro-ja në Indi. Nëse ato mjaftojnë, do të shihet. Rreth 4.000 furnizues kanë qenë të detyruar të plotësojnë hap pas hapi standardet e caktuara, thekson menaxheri i Metro-së Hinacker dhe flet për një model, që është arritur në Indi: "Fakti që ne lejojmë, për shembull, veprimtari sindikaliste, që ne paguajmë paga më të larta se sa konkurrentët lokalë."

Pagat e rregullta dhe e drejta për aktivitetin sindikalist megjithatë është një nga standardet kryesore të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, (ILO), e cila garanton respektimin nga 120 shtetet nënshkruese dhe praktikimin nga sipërmarrjet. Deficitet në qeverisje, korrupsioni, mungesa e ligjit dhe fuqia e kompanive pengojnë shpesh, që punëtorët të mund të realizojnë të drejtat e tyre njerëzore në të gjitha anët e botës.

Standartet shpesh janë vetëm etiketime

Elisabeth Strohscheidt, eksperte për politikën e zhvillimit në organizatën bamirëse kishtare Miserior.Fotografi: Elisabeth Strohscheidt


Për angazhimin vullnetar të sipërmarrjeve, për të respektuar standardet e punës dhe të drejtat e njeriut, ekzistojnë shumë emra të fryrë, të tillë si "Global Compact", të iniciuar nga koha e Kofi Ananit, "Business Social Compliance System" i sipërpërmendur, apo "Corporate Social Responsibility" shkurt, CSR. Shpesh këto janë vetëm etiketime. "Fillimisht kodet ishin thjeshtë reklamë" pohon edhe Elizabeth Strohscheidt, eksperte për politikën e zhvillimit në organizatën bamirëse kishtare Miserior. Megjithatë ajo thotë: "Ka dallime të mëdha. Duhet parë struktura e kompanisë dhe të shihet, se ku janë të drejtat e njeriut. A ka një sektor CSR, i cili është vetëm përgjegjës për këtë? Apo faktorët socialë luajnë gjithashtu një rol, kur bëhet fjalë për dhënien e shpërblimeve? "

Të drejtat e njeriut detyra kryesore

Vetëm kur të drejtat e njeriut janë të ngulitura me të vërtetë në strukturën e menaxhimit të kompanisë, ka ndikim pozitiv edhe në degët e firmës në vendet e varfra. Përveç standardeve vullnetare duhet zhvilluar me tej dhe zbatuar ligji ndërkombëtar. Për shembull tani ka "Guiding Priciples" të OKB-së për ekonominë dhe të drejtat e njeriut. Këto janë udhëzimet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për t'u zbatuar në ligjin kombëtar.
Një çështje e hapur është përmirësimi ligjor i mundësive për padi nga viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut kundër kompanive gjermane. Këtu vendet e tjera evropiane kanë ecur më përpara, thotë Strohscheidt. Deri tani frenues kanë qenë kryesisht shoqata e punëdhënësve, shoqata federale e industrisë gjermane (BDI) dhe konfederata e punëdhënësve gjermane (BDA), thotë ekspertja për politikën e zhvillimit.

BE kërkon më shumë angazhim

Luis Carlos Oliveira, peshkatar brazilian ankohet për dëmtimin e mjedisit nga koncerni Thysen Krupp në Baia de SepetidaFotografi: DW



Menaxheri i Metro-së Inacker i konsideron të drejtat e njeriut dhe standardet sociale dhe mjedisore në vendet në zhvillim, si një sfidë për të gjitha palët e interesuara: "Sfidat e këtij lloji nuk mund të zgjidhen vetëm nga një palë, as vetëm na politika, as nga vetë kompania e as vetëm OJQ-të nuk mund t'i zgjidhin këto probleme, por duhen krijuar partneritete përgjegjësie."

Për sqarimin e nevojshem të roleve të partneriteteve të tilla një aktor, sapo ka vene piketat per një drejtim të ri: Komisioni i BE-së, deri tani përkrahës i vullnetit total të korporatave, e quan CSR si "përgjegjësinë e sipërmarrjeve për pasojat e tyre në shoqëri", për të cilat në të ardhmen do të ketë rregulla. Nëse Gjermania këtu paraprin, mbyll vakumet ligjore dhe kërkon më shumë angazhim nga kompanitë, mbetet për t'u parë.

Autor: Ulrike Mast-Kirschning/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani