1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujtimi në Shqipëri i 10 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës

Arben Muka/Leka Pllani5 Shtator 2007

10 vjetori i vdekjes së Nobelistes së paqes me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, po përcillet në Shqipëri me një program veprimtarish në përkujtim të humanistes që njihet dhe respektohet në të gjithë botën.

Nënë TerezaFotografi: AP
Protagonistët e kalendarit 10 ditor (5 shtator deri më 15 shtator) të përkujtimit të Nënë Terezës janë artistë, historianë, studiues te veprës së saj, filatelistë, kineastë etj., të cilët po i risjellin publikut brenda dhe jashtë Shqipërisë aktivitetin dhe rolin e shënjtores që gjithë jetën ja fali paqes, dashurisë e dhembshurisë njerëzore.

Në rrugët kryesore të Tiranës prej ditësh janë vendosur billboard-e të përmasave të mëdha me portretin e saj. Në shtëpinë ku ka jetuar vetë Nënë Tereza dhe e motra është vendosur një pllakë përkujtimore. Në Muzeun Historik Kombëtar është hapur një ekspozitë dokumentare dhe fotografike me titull: “Memoriali për Nënë Terezën”. Ministri i Kulturës Ylli Pango e konsideron prezencën e Nënë Terezës në Muze si të përkohshëm me këtë format, pasi nga institucioni i tij është planifikuar hapja e një pavioni të veçantë e të përhershëm.

“Kemi lidhje me perfaqesues te shoqatatave te bashkëatdhetarëve tanë në Itali dhe me diasporën në vende të ndryshme, të cilët kanë nisur prej kohësh ngritjen e nje fondi të posaçëm për ndërtimin e pavionit të Nënë Terezës, që do të jetë një pavion madhështor dhe do të bëhet pjesë organike e Muzeut Historik Kombëtar”, thotë ministri i Kulturës Ylli Pango.

Ndërkohë piktorët më të njohur shqiptarë kanë hapur në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare të Arteve në kryeqytet një ekspozitë me titullin domethënës: “Mrekullitë e Dashurisë” ku ka punime të frymëzuara nga aktiviteti i Nënë Terezës. Në një nga pikat më strategjike hyrëse në territorin shqiptar, në një vend të dukshëm të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” është vendosur i saj.

Në ditët e memories dhe nderimit të shënjtores së madhe do të jenë protagonistë dhe fëmijët, të cilët veç koncerteve do të hapin një ekspozitë kolektive mbi figurën e Nënë Terezës. Pjesë e programit do të jenë edhe ekspozita dokumentare dhe simpoziumi që do të organizojë biblioteka kombëtare, shfaqja e disa filmave dokumentarë ku në qëndër është po humanistja e madhe me origjinë shqiptare.

Përmbyllja e aktivitetit 10 ditor do të bëhet me një koncertin e madh të paqes që do të mbahet pasditen e 15 shtatorit në Tiranë me pjesëmarrjen e artistëve më të njohur nga Shqipëria dhe trevat ku jetojnë shqiptarët.

Ndërsa sot në Shkodër mbyllen ceremonitë festive dhe kulturore artistike në perkujtim të 10 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës. Për një javë rresht të gjitha kishat e famullitë e qytetit dhe të fshatit kanë kryer shërbimet liturgjike, lutjet dhe kanë zhvilluar veprimtari në përvjetorin e bamirëses me origjinë shqiptare. Mesha solemne mbahet sot në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, në praninë e shume besimtarëve, të cilët e kane akoma të fresket vizitën e shenjtores 14 vjet më parë në këtë qytet.