1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210409 Israel Holocaust-Gedenktag

21 Prill 2009

Në ditën përkujtimore të holokaustit, Izraeli ka përkujtuar gjashtë milionë hebrejtë e vrarë nga nazistët. Në mbarë vendin në orën dhjetë nisin të bien sirenat, ndërsa njerëzit në rrugë ndaluan për dy minuta.

Mbi emrat e hebrejve të zhdukur - Dita kushtuar Holokaustit në Izrael.
Në ditën përkujtimore të holokaustit, Izraeli ka përkujtuar gjashtë milionë hebrejtë e vrarë nga nazistët. Në mbarë vendin në orën dhjetë nisin të bien sirenat, ndërsa njerëzit në rrugë ndaluan për dy minuta.Fotografi: AP

Ora është dhjetë paradite me orën lokale – në mbarë vendin bien sirenat, njerëzit zbresin nga makinat e tyre, kalimtarët ndalojnë në rrugë, në shkolla dhe zyra ngrihen si të vegjëlit ashtu edhe të mëdhenjtë. Për dy minuta i gjithë Izraeli u pezullua krejtësisht dhe përkujtoi gjashtë milionë hebrejtë e vrarë nga nazistët.

Në qendrën përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem, presidenti Shimon Peres dhe kryeministri Benjamin Netanjahu, vunë paradite kurora për nder të viktimave. Pak më vonë e gjithë udhëheqja politike e Izraelit, u mblodh në Knesset për ceremonë zyrtare të parlamentit, e cila këtë vit iu kushtua kujtimit të fëmijëve të vrarë.

Ushtarë izraelitë duke mbajtur flamuj në ceremoninë në përkujtim të Holokaustit në Ashkelon, 21 prill, 2009.Fotografi: AP

Njëri pas tjetrit politikanët kryesore të Izraelit lexuan emrat e anëtarëve të familjeve të tyre, të vrarë gjatë Holokaustit. Presidenti Shimon Peres, i cili lindi në vitin 1923 në Poloni dhe që më vonë në moshën nëntëvjeçare, mundi të arratiset me prindërit e tij në Palestinë, në atë kohë ishte zonë e kontrolluar nga britanikët, kujtoi të afërmit e mbetur në Poloni, të cilët në verën e vitit 1942 u vranë në një sinagogë nga nazistët në mënyrë mizore. „Në kujtim të familjes sime, familjes Meltzer, familjes Persky, të cilët së bashku me 2060 pjesëtarët e bashkësisë u vranë në Vishnieva, në gusht 1942 nga nazistët dhe ndihmësit e tyre lokalë. Ata i grumbulluan banorët e getos në sinagogë, e cila ishte e ndërtuar me dru, dhe i vunë asaj zjarrin."

Në qendrën përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem, presidenti Shimon Peres dhe kryeministri Benjamin Netanjahu vunë paradite kurora për nder të viktimave.Fotografi: AP

Mbi ditën e sivjetshme përkujtimore bie hija e fjalimit të presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad, në Gjenevë. Gazetat e Izraelit njoftonin hollësisht për të, në faqet e para. Duke patur parasysh largimin e shumë të deleguarve gjatë fjalimit të Ahmedinexhadit, mediat i vlerësuan protestat si sukses, sepse presidenti iranian është „mundur“, siç thuhej në kryetitullin e gazetës më të madhe „Ma'ariv“. Si kryeministri Netanjahu, ashtu edhe presidenti Peres e cilësuan që mbrëmë "turp", fjalimin e Ahmadinexhadit në Gjenevë, sepse presidenti iranian mohon Holokaustin dhe propagandon shkatërrimin e Izraelit. Shefi i shtabit të përgjithshëm të Izraelit Ashkenazi tha, duke iu referuar Iranit, se forcat ushtarake izraelite janë në gjendje, të qëllojnë edhe "armikun në distancën më të largët".

Autor: Klemens Verenkotte / Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama