1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përmbytje në Argjentinë - mbi 50 të vdekur

(dpa / reuter) Mimoza Cika-Kelmendi4 Prill 2013

Në Argjentinë nga përmbytjet për shkak të reshjeve të fuqishme kanë humbur jetën 54 vetë. Presidentja ka shpallur tri ditë zie kombëtare.

Fotografi: REUTERS

Në La Plata, 60 kilometra në jug të Buenos Aires, sipas të dhënave të autoriteteve vendore humbën jetën të paktën 46 vetë. Në kryeqytetin Buenos Aires deri tani kanë humbur jetën nga përmbytjet tetë vetë. Rreth një milionë banorë kanë mbetur aktualisht pa rrymë elektrike. Në La Plata më shumë se 3000 vetë u evakuuan në zona të sigurta. Guvernatori i La Plata-s,Daniel Scioli, deklaroi në media, se erërat e forta kanë shkulur pemët nga vendi, kanë dëmtuar linjat e tensionit të lartë dhe kanë shkatërruar çatitë e shtëpive në lagjet e varfëra.

Pamje nga La PlataFotografi: REUTERS

Në pjesën veriore të Buenos Airesit, reshjet kanë shkaktuar përmbytje masive, duke penguar lëvizjen e trenave, metrove dhe duke marrë me vete automjetet e parkuara. Rreth 300 persona janë detyruar të evakuohen nga një periferi dhe sipas kryetarit të bashkisë, Mauricio Macri, në këtë kompleks jetojnë rreth 35 mijë vetë që kanë pësuar dëme për shkak të stuhisë.

Shërbimi meteorologjik njoftoi për shira të mëtejshëm deri në 100 litër për një metër katror në provincën Buenos Airesit. Ndëkohë në Argjentinë ka mbërritur edhe mesazhi i solidaritetit nga Papa Françesku, i cili inkurajon të gjitha institucionet civile dhe kishtare si dhe personat me vullnet të mirë që të japin ndihmën e nevojshme. Në mesazhin e tij dërguar arkipeshkvit të Buenos Airesit, Papa Françesku shprehu hidhërimin e thellë për dëmet e mëdha. Presidentja Cristina Kirchner shpalli tri ditë zi kombëtare.

.