1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpara tre vitesh nisi Lufta në Irak - Qëndrimi i Gjermanisë

Marsel Fyrstenau20 Mars 2006

Më 20 mars mbushen tre vjet nga fillimi i luftës në Irak, të cilin ShBA e zhvilluan kundër vullnetit të shumicës së vendeve anëtare të OKB-së. Gjermania bënte pjesë në vendet kryesuese të frontit kundër kësaj lufte. Por prej disa muajsh ëshë vënë në dyshim kredibiliteti i qeverisë së atëhershme gjermane.

Ofensiva e re e forcave të ShBA në Irak, 16 mars 2006
Ofensiva e re e forcave të ShBA në Irak, 16 mars 2006Fotografi: AP

Dy javë pas fillimit të luftës në Irak, përmes një deklarate qeveritare, kancelari Gerhard Shrëder shprehu qëndrimin krejtësisht kundër luftës të qeverisë së socialdemokratëve dhe ekologjistëve, të drejtuar prej tij. Këtë luftë nuk e deshëm, thoshte Shrëder, i cili shpesh herë e ka refuzuar veprimin e mëvetsishëm të ShBA: "Unë them shprehimisht dhe e theksoj qëndrimin tonë si pozicionin gjerman: ne mendojmë se nuk i ka ardhur fundi multilateralizmit, përkundrazi!"

Qeveria e Shrëderit ishte e sigurtë për mbështetjen masive në popull. 15 shkurti 2003, pak javë përpara fillimit të fushatës së drejtuar nga ShBA në Irak, në mbarë botën u shpall si dita kundër luftës dhe vetëm në Berlin protetstuan më se një gjysmë milion njerëz. Përpjekjet intensive të kancelarit Shrëder dhe të ministrit të jashtëm Joshka Fisher, aq të respektuar në ShBA, për një zgjidhje diplomatike nuk patën efekt. Aleanca transatlantike po përjetonte një krizë. Në Evropë ishte i përçarë mendimi i vendeve të ndryshme ndaj çështjes së luftës së Irakut. Ndërkohë që Britania e Madhe, Italia, Spanja dhe Polonia bënin pjesë në bllokun e ashtuquajtur "koalicioni i të vullnetshmëve", Gjermania në kursin e saj kishte të sigurtë mbështetjen e Francës dhe të Rusisë.

Por këtë konstelacion kryetari i partisë liberale Gido Vestervelle e konsideronte me pasoja: "Është gabim të besosh tani, se ne mund të krijojmë një aks të rij në vend të marrëdhënieve transatlantike. Evropa dhe Amerika duhet të qëndrojnë së bashku, Kjo është detyra historike që kemi ne."

Ish-kryetarja opozitës në atë kohë, kristiandemokratia Angela Merkel kritikonte, që institucionet transatlantike të sigurisë dështuan në sfondin e kësaj krize. Merkel, sot pasardhëse e Shrëderit, në postin e kancelares në debatin parlamentar përpara tre vjetësh shpalosi perspektivën e saj për politikën e sigurisë:

"Koncepti i sigurisë është politik, ekologjik, e natyrisht edhe kulturor. Por ai do të mbetet edhe koncept ushtarak. Ne nuk do të tërhiqemi dhe as nuk do të justifikohemi vetëm me ushtarët helmetëkaltër. Sepse çështja është: si mund të hartojmë një strategji ndaj kërcënimeve moderne, për të cilat të harmonizohen sërish në mënyrë adekuate mundësitë e zgjidhjes politike dhe të demonstrimit të forcës?"

Një çështje kjo që tani për Gjermaninë nuk shtrohet më në rastin e Irakut. As nën kancelaren Angela Merkel nuk shtrohet dërgimi i ushtarëve për të ndihmuar në procesin e demokratizimit në këtë vend të tronditur. Gjermania ndihmon në kualifikimin e policisë. Tani për tani është ende e hapur, se si do të shkruhet në librat e historisë "Jo-ja" kategorike e shpallur prej qeverisë gjermane të socialdemokratëve dhe ekologjistëve për luftën e Irakut. Pas zbulimit të aktiviteteve të shërbimit të fshehtë informativ në bashkëpunim me ShBA janë ngritur dyshime. Madje me këtë çështje do të merret një komision i posaçëm hetimor i parlamentit.