EFSF Rettungsschirm Hebel
19 Tetor 2011Pas Greqisë, Portugalisë, Italisë dhe Spanjës, tani edhe Franca po vihet gjithnjë e më shumë në shënjestër të tregjeve financiare. Agjencia e vlerësimit Moody's ka njoftuar se do të shqyrtojë nëse Franca e meriton ende notën më të lartë të besueshmërisë për kreditimin. Moody's argumenton se fuqia financiare e vendit ka rënë për shkak të krizës financiare. Pas Gjermanisë, Franca është ekonomia e dytë më e madhe në Eurozonë. Nëse ulet vlerësimi për besueshmërinë e saj kredituese, e gjitha hapësira e euros mund të lëkundej. Puna nuk duhet të arrijë deri këtu, paralajmërojnë vëzhguesit. Për këtë arsye fuqia vepruese e fondit për shpëtimin e euros, duhet të shumëfishohet. Nga 440 miliardë eurot, që ka aktualisht fondi, mund të bëhen më shumë se 2 bilionë, pra mbi 2000 miliardë euro.
Ka vende që nuk mund të shpëtohen
E megjithatë edhe një fond i tillë i zgjeruar shpëtimi në thelb nuk do t'i zgjidhte problemet themelore të krizës së borxheve, paralajmëron strategu i tregut Robert Halver nga banka Baader. Një fond shpëtimi nuk është një bankë dhe nëse ne këtu bëjmë përpjekje vetëvrasëse shpëtimi, nuk kemi fituar asgjë. Pasi problemi themelor është si dhe më parë që në Eurozonë ka vende që nuk mund të shpëtohen." Si për shembull Greqia dhe Portugalia. "Grekët dhe portugezët në të vërtetë nuk kanë vend në Eurozonë, pasi edhe pas 100 vjetësh ata nuk do jenë në gjendje të qëndrojnë mbi këmbët e tyre."
Sipas Robert Halver kjo nuk do të ndodhë as nëse fuqia vepruese e fondit të shpëtimit të euros do të tre-, katër- apo pesëfishohet. "Edhe një fond shpëtimi i fuqizuar me anë të levës financiare është vetëm përpjekje për të fituar kohë dhe asgjë më shumë. Problemi fillestar është si dhe më parë mjerimi ekonomik në Greqi dhe Portugali, i cili nuk mund të zgjidhet as me miliardat e shpëtimit."
Franca nën vëzhgim
Me po kaq pesimizëm, shprehet edhe Jörg Krämer. Kryeekonomisti pranë bankës Commerzbank kërkon që në rast shumëfishimi të fondit të shpëtimit të euros, të ndërhyjnë patjetër edhe parlamentet. "Shtetet duhet ta bëjnë financimin në mënyrë të hapur dhe duhet t'i pyesin hapur parlamentet e tyre. Pasi shumëfishimi i fondit me anë të levës financiare nuk ndryshon gjë në faktin që në fund ngarkesa rëndon mbi anën publike." Kjo vlen edhe për Francën, çka do të kontribuonte në rrezikimin e besueshmërisë kredituese të vendit dhe kështu në ngarkesa të reja për fondin e shpëtimit të euros.
Vizione të errëta, të cilat sipas Jörg Krämerit nuk u duket ende fundi. Për ekspertin e financave 440 miliardë eurot që ka aktualisht fondi, nuk mjaftojnë për të zgjidhur në mënyrë afatgjatë krizën e borxheve. Pra shtimi i tij është vetëm çështje kohe. Por qeveritë nuk mund të kërkojnë tani sërish më shumë para nga parlamentet. Krämer parashikon se kriza e borxheve shtetërore, fillimisht do të shkallëzohet më tej, përpara se të fillojë zgjidhja e saj.
Autor: Peter Kochanski/Eliana Xhani
Redaktoi: Lindita Arapi