Përpjekjet për ndërmjetësim të BE-së në Gazë dhe konflikti për gazin
7 Janar 2009"Frankfurter Allgemeine" trajton përpjekjet për ndërmjetësim të BE-së në konfliktin e Gazës: "Le të jemi të ndershëm: Se paraqitet komisionerja për marrëdhëniet me jashtë apo i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, pak a shumë kjo nuk ka rëndësi për sa kohë që udhëheqësit e shteteve të mëdha të BE-së i marrin më mirë vetë gjërat në dorë. Ca më vonë edhe këta nuk dinë nga t'ia mbajnë; nga ana e tyre vetëm sa mund t'i bëjnë apel vullnetit për ndërmjetësim të fuqive rajonale, siç bëri presidenti francez kundrejt sirianit Asad. Ky do të kërkojë një çmim që ta bëjë Hamasin t'i thërrasë mendjes. Por së paku pas kësaj fshihet kuptimi se pa angazhimin e interesuar të fqinjëve arabë të Izraselit udha drejt armëpushimit do të përgatitej vetëm ushtarakisht."
Ndërrojmë temë. "Financial Times Deutschland" trajton grindjen për gazin: "Për sa kohë Ukraina ia del të tregohet shtet sovran ajo nuk do ta lëshojë plotësisht nga dora pengun e tranzitit. Prandaj grindja tjetër për gazin është e parashikueshme edhe pasi të marrë fund grindja e tanishme. Sidoqoftë as notat e protestës nga Brukseli nuk e bëjnë Rusinë të heqë dorë nga zgjidhja e konflikteve të saj me fqinjët në kurrizin e klientëve të vet. Është e kotë të diskutosh për atë nëse është fjala për mosmarrëveshje politike apo ekonomike, pasi interesat e të dyja sferave janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht si në Moskë ashtu edhe në Kiev. Për blerësit evropianë njohja e këtij fakti mund të ketë vetëm një konsekuencë: Fjalimet e parëndësishme mbi shumëllojshmërinë e furnizimit me energji duhet të zëvendësohen nga vepra."