1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
EkonomiAfrikë

Përse Afrika nuk përfiton nga gurët e çmuar?

Oliver Neuroth
8 Mars 2023

Afrika ka pasuri minerare me lëndë të para të ndryshme që kërkohen në të gjithë botën. Popullsia vendase nuk ka ndonjë përfitim të madh nga industria e gurëve të çmuar, përveç masave që merren për certifikimin e tyre.

Industria e diamantëve në Afrikë - Biznes fitimprurës, nga i cili vendasit nuk përfitojnë
Industria e diamantëve në Afrikë - Biznes fitimprurës, nga i cili vendasit nuk përfitojnëFotografi: Fabrice Coffrini/AFP/Getty Images

Në pjesët e Afrikës të pasura me gurë të çmuar, të ardhurat e nxjerra nga mineralet nuk ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës së popullsisë vendase. Përshjashtim bën vetëm Botsvana. Në vend që të rrisin nivelin e jetës së komuniteteve, shumë njerëz e kapin veten të futur në rrethin vicioz të shfrytëzimit dhe abuzimeve.  

Deutsche Welle foli me njerëz që punojnë në industrinë e diamantit dhe me ekspertë për të mësuar përse nxjerrja e gurëve të çmuar nuk ndihmon në përmirësimin e jetës sociale dhe ekonomike të vendasve.   

Të mëdhenjtë përfitojnë nga ndarja  

Në Republikën Demokratike të Kongos, thotë presidenti i Këshillit afrikan të diamantit, M'Zee Fula Ngenge, ekziston një konflikt historik shkaktuar nga "lakmia e madhe, ndarja post-koloniale, si dhe erozioni i zakonshëm i përgjegjshmërisë në sektorin publik dhe manaxhimin qeveritar.”

Presidenti i Këshillit afrikan të diamantëve M'Zee Fula NgengeFotografi: Privat

Ngenge mendon, se vetëm pak njerëz të zgjedhur përfitojnë direkt nga puna e rëndë e minatorëve, duke i paguar punëtorët për minimumin e jetesës, në mënyrë që të vazhdojnë t'i kenë në dorë. Konfliktet rajonale jo vetëm që rrisin këtë përzierjeje kontrolli dhe shfrytëzimi të padrejtë, por bëjnë që aktualisht të mëdhenjtë e tregtisë me gurët e çmuar të përfitojnë, sepse konfliktet u lejojnë atyre që të vendosin për normat e punës bazuar tek nevojat e minatorëve për të siguruar të ardhurat. 

Ky skenar konflikti në Kongo është i ngjashëm me ato të vendeve të tjera afrikane, që po ashtu kanë pasuri të mëdha minerare, thotë Ngenge, duke theksuar se shumë kombe të rajonit janë kthyer "në objektiva të synuara (nga industria e gurëve të çmuar) për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe social të tyre.” "Të gjitha vendet e tjera që rrethojnë Republikën Demokratike të Kongos, janë të rrezikuara nga destabilizimi që vjen nga kthimi në synim të përqëndruar ose fokusim në nxjerrje mineralesh, abuzim dhe mashtrim”, thotë ai. 

Minierat ilegale të gurëve të çmuara mbizotërohen nga të huajt 

E përbashkëta e Kongos, Angolës, Mozambikut dhe shumë vendeve të tjera të Afrikës, të pasura me minerale është fakti se ekzistojnë dy tregje për shfrytëzimin e burimeve minerare: ekziston industria zyrtare e shfrytëzimit të mineraleve, e cila është subjekt që mbikqyret të paktën deri në një nivel të caktuar, dhe ekziston tregu klandestin, që dominohet nga minatorët dhe sponsorizuesit e tyre. 

Gra duke nxjerrë nxjerrin diamantë në ZimbabveFotografi: AP
Puna e rëndë e minatorëve që nxjerrin diamantë në KongoFotografi: AP

Për të kuptuar se si funksionon tregu klandestin për prodhimin dhe tregtimin e guëve të çmuar, Deutsche Welle shkoi në qytetin me miniera të gurëve të çmuar, Canfunfo, në provincën Lunda Norte të Angolës, që ndodhet në kufi me Kongon. 

Caiongo Adelino ka punuar si minator illegal, ose garimpeiro siç e quajnë vendasit— për dhjetë vjetë me radhë. 49 vjeçari thotë se në përgjithësi grupet e garimpeirove kanë financuesit e tyre, të cilët paguajnë që ata të futen thellë në xhungël për të nxjerrë ilegalisht gurët e çmuar, gurë që më vonë edhe blihen prej tyre. "Herën e fundit që shita një gurë të çmuar, çmimi ishte 1250 dollarë,” tregon Adelino për DW. "Por këto çmime nuk janë çmimet reale, sepse tabela për të paguar ne garimpeirot është e ndryshme nga tabela e tregut ku shiten diamantet.” 

Tregu klandestin për shit-blerjen e diamantëve është në duart e të huajveFotografi: DW

Tregu klandestin për blerjen dhe shitjen e gurëve të çmuar, veçanërisht diamantëve të nxjerrë nga garimpeirot, është në duar të të huajve, të ndërmjetësve senegalezë, kinezë, francezë, eritreas, guineas dhe kongolezë, të cilët nuk investojnë në rritjen e nivelit të jetës së komunitetit vendas. 

Kjo gjë madje reflektohet në modelin e tyre të biznesit. Një sponsorizues i jep garimpeirove sendet kryesore për të jetuar në xhungël, dhe vlera e këtyre sendeve i zbritet pagesës që u bëhet garimperoive, kur kthehen për të shitur diamantët. 

Bota e zhvilluar 'mbyll një sy'   

Të dhënat e Këshillit Afrikan të Diamantëve tregojnë se nga shitja kontrabandë e diamantëve të papërpunuar që e kanë origjinën nga Afrika, rajoni humbet mesatarisht 28 deri 32 përqind të të ardhurave të nxjerra nga prodhimi i përgjithshëm i diamantëve në Afrikë. Ngenge, thotë se kjo humbje ka të bëjë veçanërisht me diamantët e papërpunuar dhe natyrorë, që nuk janë të dokumentuar ose të certifikuar, të cilët kontrabandohen në qendrat kryesore të diamantëve, që ndodhen jashtë kontinentit. 

Keolebogile Otlogeleng, punonjëse në një fabrikë për përpunimin e diamantëveFotografi: DW

"Në disa raste diamantët e transportuar ilegalisht kapen dhe kthehen në pronësi të shtetit në vendin që i konfiskon,” thotë ai për Deutsche Wellen. 

"Kështu, 'bota e zhvilluar,' si e quajti Papa Francesku së fundi, është sigurisht fajtore kur mbyll sytë, veshët dhe gojën për këtë lloj neglizhence,” i tha Ngenge Deutsche Welles.  

Falsifikim origjine për të manipuluar industrinë 

Deutsche Welle foli po ashtu me një ekspert për gjeopolitikën e diamantëve, i cili para se të fillojë të tregojë për mekanizmat e pastrimit të parave që fshihen nga ky treg, kërkoi që të mbetet anonim. 

"Ndodh që diamantët vidhen nga minierat e Angolës dhe dërgohen në Republikën Demokratike të Kongos, dhe prej andej eksportohen në Dubai me dokumente që deklarojnë se këto diamante janë nga Republika Demokratike e Kongos, kur faktikisht ato janë nga Angola,” tregon ai. 

Analizë diamantësh Fotografi: Jack Guez/AFP

Në këtë mënyrë tarifat doganore dhe faturat e tjera nuk paguhen, origjina e gurëve të çmuar fshihet, standardet e punës anashkalohen dhe dinamikat e gjithë industrisë që mbështetet tek parimet e kërkesës dhe ofertës manipulohen.  

"Për fat të mirë kjo gjë nuk po ndodh në shkallë aq të madhe sa ndodhte midis viteve 2000 dhe 2015. Shpresojmë që situata të vihet nën kontroll ose që të zgjidhet siç duhet, megjithëse kufijtë midis dy vendeve është e vështirë të vihen nën kontroll.” 

Sipas Këshillit Afrikan të Diamantëve, mënyra e vetme për të luftuar aktivitete të tilla është luftimi me forcë i varfërisë në komunitetet e prekura nga kjo gjë, dhe sigurimi i nxjerrjes së diamantëve sipas rregullave të duhura. 

Popullsia vendase nuk përfiton 

Rafael Marques de Morais, një gazetar vendas dhe autor i librit "Blood Diamonds," (diamantët e gjakut) i sheh me sy kritik reformat e bëra në tregun e Angolës dhe në tregun ndërkombëtar të diamantëve. Ai mendon se Skema Kimberley e Procesit të Certifikimit, të aplikuar në nivel multilateral në vitin 2003, është abuzim që bëhet me pretekstin e shuarjes së zërave kritikë. Sipas Marques de Morais, marrëveshja është bërë më shumë për të hedhur hi syve, për të thënë se është duke u bërë diçka për të zbutur pasojat e plaçkitjes dhe transferimit të burimeve minerare nga vendet e varfëra, kur në fakt janë duke u ruajtur interesat e vendeve që blejnë gurët e çmuar. 

Popullsia vendase nuk përfiton nga diamantët Fotografi: Felipe Dana/AP Photo/picture alliance

"Ky është problem i Procesit Kimberley — ai vepron në përputhje me interesat strategjike të disa vendeve,” thotë Marques de Morais për DW. Banorët vendas në komunitetet e pasura me diamante të Afrikës, thotë ai, janë larg së pari ndonjë përfitimi nga gurët që përfundojnë në tregjet ndërkombëtare të diamantit si Anvers dhe Dubai. 

 "Mjafton të thuash se diamantët janë (siç prezantohen nga dokumenti) të pastër, për të justifikuar çdo gjë. Por ato nuk janë të pastër, sepse vazhdojnë të nxirren me dhunë,” i tha ai Deutsche Welles. 

Diamantët furnizojnë luftën e Rusisë 

Marques de Morais mendon se Procesi Kimberly është veçanërisht me të meta kur përballet me gjeopolitikën aktuale. Ai beson se përfshirja e Rusisë në tregun afrikan të diamantëve nëpërmjet Russian Alrosa Corporation ndihmon financimin e luftës agresore kundër Ukrainës, përveç që vazhdon të shfrytëzojë vendasit. "Konflikti ekziston. Kur Russia's Alrosa Group nxjerr diamantët, shfrytëzohet komuniteti vendas, abuzohet komuniteti vendas," thotë gazetari dhe autori, Marques de Morais.