1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cilat janë arësyet e rënies së dollarit në Lindjen e Mesme?

24 Maj 2023

Iraku ndaloi transaksionet me dollarë amerikanë, Arabia Saudite dhe Emiratet po bëjnë plane ta shesin naftën pa dollarin amerikan dhe ka plane, që për të anashkaluar dollarin kërkohet të aplikohet një monedhë e re.

Protesta kundër zhvleftësimit të monedhës vendase në Irak
Protesta kundër zhvleftësimit të monedhës vendase në IrakFotografi: Murtadha Al-Sudani/AA/picture alliance

Ai që kërkon të blejë një makinë ose një shtëpi në Irak u shokua keq këtë javë. Qeveria irakiane bëri të ditur të shtunën (21.05) se ndalon që blerjet personale ose blerjet e biznesit të bëhen me dollarë amerikanë. 

Irakianët e zakonshëm përdorin shpesh dollarin amerikan kur bëjnë blerje me shuma të mëdha. Për shkak të zhvleftësimit të vazhdueshëm të monedhës irakiane, dinar, atyre do u duheshin disa thasë të mëdhenj të mbushur me letra dinari për të blerë një makinë ose një shtëpi. Prandaj zakonisht ata përdorin një portofol mbushur me dollarë.

Dekada me radhë, dollari amerikan ka qenë monedha më e mirë në Lindjen e Mesme, për ata që nuk kanë në dorë shumë dirhamë, dinarë, rijal apo paund.

Por kjo gjë ka filluar të ndryshojë. Muajt e fundit politikanë të lartë të disa vendeve të Lindjes së Afërt kanë bërë deklarata që sugjerojnë se dominimi i dollarit në rajon mund të bjerë.

Autoritetet amerikane e kanë vështirësuar futjen e dollarit në Irak për shkak të shqetësimeve se paraja amerikane është duke u futur në sasi të madhe kontrabandë në Iranin fqinj për qeverinë e atjeshme, kundër të cilës janë ngritur sanksione ndërkombëtare, por që mbështetet fshehurazi nga shumë politikanë irakianë. Kjo mungesë dollari ka çuar në destabilizimin e dinarit irakian, i cili është i lidhur me monedhën amerikane.

Ky destabilizim çoi në ndalimin e bërë fundjavën e kaluar. Në muajin shkurt, pjesërisht falë rënies së monedhës amerikane, Iraku tha se do të bëjë biznese me Kinën duke përdorur yuanin në vend të dollarit.

Egjiptian pranë një posteri të dollarit në një zyrë këmbimi në KairoFotografi: Amr Nabil/AP Photo/picture alliance

Vendet e Lindjes së Mesme kërkojnë zgjidhje

Ministri i financave të Arabisë Saudite tha në fillim të vitit se vendi i tij është "i hapur” për të shitur naftë duke përdorur monedha të ndryshme, përfshirë euron dhe yuanin kinez. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se do të bashkëpunojnë me Indinë duke përdorur rupin Indian. Vitin e kaluar, Egjipti njoftoi se ka bërë plane për të përdorur bonde, pra sigurime financiare që ndihmojnë qeverinë të mbledhë para, me yuanin kinez. Deri tani Egjipti ka përdorur bonde me yenin japonez.

Po ashtu, disa vende të Lindjes së Mesme: Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjeria dhe Bahrain, kanë thënë se duan të futen në bllokun gjeopolitik të njohur si vendet e BRICS-it, një akronim për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut. Rusia ka thënë ndërkohë se në takimin që pritet të zhvillohet në qershor, aleanca do të diskutojë krijimin e një monedhe të re për të zhvilluar tregti pa kufi midis vendeve anëtare.

Që prej vitit 2021, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë pjesë e një projekti pilot kryer nga banka Bank for International Settlements, me qendër në Zvicër, një lloj banke qendrore për bankat qendrore. Ky projekt synon futjen e pagesave digjitale, pagesave pa kufi, të cilat mund të anashkalojnë dollarin. Pjesëtarë të tjerë të projektit janë Tailanda, Hong Kongu dhe Kina. 

I ka kaluar koha dollarit?

Këto alternativa të tjera kundrejt dollarit kanë çuar tek një valë titujsh alarmantë gazetash. "A ndodhet në rrezik dominimi i dollarit?,” pyeste në muajin shkurt 'The New York Times'. "Bëhu gati për një botë me monedhë multipolare,” paralajmëronte në muajin mars 'Financial Times'. "Çdollarizimi është duke ndodhur me ritëm "mahnitës”, shkruante Bloomberg muajin e kaluar.

Dollari amerikan përbën tani rreth 58 përqind të rezervave zyrtare të huaja të gjithë botës, informonte Bloomberg në artikullin e tij, një rënie që nga viti 2001, kur sasia ka qenë 73 përqind. Në fund të viteve 1979, ka qenë 85 përqind.

Sidoqoftë, pjesa më e madhe e ekspertëve këmbëngulin se largimi nga dollari është duke ndodhur shumë më ngaladë nga sa thonë titujt e gazetave. Dhe kjo është sigurisht e vërtetë për Lindjen e Mesme.

Këmbim valute në IrakFotografi: Murtadha Al-Sudani/AA/picture alliance

Në vendet e Gjirit ligjin e bën ende dollari

Shtetet e Gjirit që prodhojnë naftë janë që në vitet 1970-të në partneritet me SHBA-në, parneritet në të cilin Amerika ofron sigurinë dhe vendet si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara eksportojnë naftë. Pjesa më e madhe e vendeve të Gjirit, me përjashtim të Kuvajtit, e kanë të lidhur monedhën me dollarin amerikan.

"Një tregues i rëndësishëm për largimin serioz nga dollari do të ishte prishja e lidhjes midis këtyre monedhave,” thekson Hasan Alhasan, një studiues për politikat e Lindjes së Mesme në Institutin ndërkombëtar për studimet strategjike me qendër në Londër. "Por një gjë të tillë nuk e kemi parë deri tani.”

"Fjalët e rëndësishme këtu janë "deklaratë” dhe "ka mundësi”, thotë Daniel McDowell, profesor i shkencave politike në Universitetin Syracusë të Nju Jorkut, kur pyetet nëse pohimet e disa liderëve arabë sinjalizojnë rënien e dollarit në Lindjen e Mesme.

"Deklaratat jepen lehtë, veprat janë më të vështira,” i tha ai Deutsche Welles. "Për vendet që prodhojnë naftë, si Arabia Saudite, këto lloj deklaratash dhe agjitacionesh bëhen për të tërhequr vëmendjen e Amerikës. Acarimet me kinezët mund t'i bëjë politikbërësit amerikanë që të fokusohen më shumë në interes të shteteve të Gjirit.”

McDowell nuk e përjashton mundësinë që një ditë dominimi i dollarit të bjerë. "Të gjitha perandoritë shpërbëhen në fund,” thotë ai me shaka. Por hë për hë "pjesa më e madhe e këtyre fjalëve janë simbolike dhe politike. Çdo ndryshim që shohim është i ngadaltë dhe i parëndësishëm.”

Fotografi: Andy Jacobsohn/AFP/Getty Images

Motivuar nga lufta në Ukrainë

Të gjithë ekspertët me të cilët bisedoi Deutsche Welle janë të një mendimi se ka dy arsye pse në Lindjen e Mesme kërcënojnë të përdorin monedha të tjera: 

E para, thonë ata, ka të bëjë me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sanksionet janë pjesë e rëndësishme e debatit, thotë McDowell. Libri i ri i tij, "Bucking the Buck: US Financial Sanctions and the International Backlash Against the Dollar," libër për sanksionet financiare amerikane dhe reagimin e ashpër kundër dollarit, e thotë mirë se "sa më shumë që SHBA e përdor dollarin si armë të politikës së jashtme aq më shumë kundërshtarët i kryejnë aktivitetet ekonomike ndërkombëtare me monedha të tjera.”

"Aktualisht shumë para ruse janë duke qarkulluar në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë,” shpjegon Alhasan. "Faktikisht ato janë vende që kanë zgjedhur të mos pajtohen ose të mos zbatojnë sanksionet amerikane ose europiane.”

Por nëse sanksionet kundër Rusisë do të ashpërsohen edhe më shumë, duke i kthyer në ato që njihen si sanksione sekondare, atëherë këto vende do të kenë vështirësi më të mëdha të mos i pranojnë ato. Sanksionet sekondare kanë të bëjnë me dënimin e palëve të treta, vendeve ose bizneseve që bashkëpunojnë me entitetin, ndaj të cilit janë ngritur sanksionet. Ai që do të bëjë biznes me SHBA ose Bashkimin Europian do ta ketë të vështirë të anashkalojë sanksionet sekondare.

"Prandaj qeveritë e shqetësuara nga sanksionet e SHBA janë duke menduar më shumë se si mund t'u shpëtojnë atyre, edhe nëse nuk janë të gatshme ose të interesuara për të bërë ndonjë disitancim radikal nga dollari,” arsyeton McDowell. 

Biden në Arabinë Saudite, korrik 2022. Presidenti amerikan dhe princi trashëgimtar saudit, Bin Salman marrin pjesë në takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të GjiritFotografi: Evan Vucci/AP/dpa/picture alliance

Rrezik për biznesin e naftës

Alhasan jep një arsye të dytë pse disa shtete të Lindjes së Mesme mund të duan të distancohen nga dollari. "Unë mendoj se ekziston ideja se për të luftuar interesat e Rusisë, SHBA është duke u përpjekur të rishkruajë rregullat për tregtinë botërore të naftës, dhe kjo gjë përbën rrezik strategik për Arabinë Saudite", argumenton ai. 

Ministri saudit i energjisë, princi Abdulaziz bin Salman tha në mars, se nëse ndonjë vend përpiqet të detyrojë çmime tavan për eksportin saudit të naftës, në të njëjtën mënyrë siç është bërë me Rusinë, atëherë Arabia Saudite nuk do të bëjë më tregti me atë vend. Një ditë më vonë, ministri i energjisë së Algjerisë, trembur nga ndonjë precedent i rrezikshëm, përsëriti të njëjtën deklaratë.

Kjo është arsyeja pse distancimi nga dollari amerikan mund të vazhdojë për sa kohë që vazhdojnë sanksionet, argumenton Maria Demertzis, profesore për politikat ekonomike në Institutin e Universitetit Europian në Firence të Italisë, anëtare e vjetër e Bruegel, një instituti ekonomik.

Por kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Edhe nëse disa vende duan të anashkalojnë dollarin amerikan si monedhë, do ta ketë të vështirë të zëvendësojnë infrastrukturën e kryerjes së pazarit, që ofrohet nga sistemi i drejtuar prej dollarit, thekson Demertzis.

Bankat si armë

"Nëse do të ishit India dhe të donit për shembull t'i shisni diçka Kilit, atëherë ka shumë mundësi që ta bëni këtë me dollar. Jo vetëm sepse e keni më të lehtë t'i vini produktit çmimin në dollarë. Ju veproni kështu sepse për të përfunduar pazarin ju përdorni infrastrukturën e dollarit amerikan,” thotë Demertzis, duke shpjeguar se infrastruktura e blerjes është "aksioni ligjor i marrjes së parave nga një numër llogarie dhe dërgimi në një numër tjetër llogarie.”

Për të bërë këtë nevojitet infrastrukturë e besueshme, thotë ajo, diçka që SHBA e kanë ofruar prej dekadash. Çdo rrugë tjetër do të ishte me "implikime të mëdha ligjore dhe qeveritare,” shpjegon Demertzis. "Për shembull, a e pranon Kili kuadrin ligjor të Indisë? Edhe nëse puna mbetet vetëm tek kryerja e tranfertës së parave nga dy bankat qendrore, në mënyrë bilaterale, rruga është e gjatë." 

Sipas Dermertzis, fakti që SHBA dhe Europa kanë ngrirë asetet e rezervave të bankës qendrore ruse që ndodhen në juridiksionin e tyre, i ktheu në armë bankat qendrore duke dëmtuar mbase sistemin financiar ndërkombëtar.

Në Lindjen e Mesme kjo është kthyer në "shqetësim të vërtetë për kthimin e paprecendencë në armë të tregtisë dhe financave ndërkombëtare nga SHBA, dhe madje BE-së, në luftën me Rusinë,” përfundon Alhasan. Kjo është arsyeja pse vendet e Lindjes së Afërt "janë duke u përgatitur për një botë më multipolare, ku ato duan të zenë një vend të mirë për të vepruar brenda dhe jashtë zonave të dollarizuara.”