1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përshëndetja për Krishtlindjet e presidentit federal të Gjermanisë, Horst Këler

Horst Këler / ADD25 Dhjetor 2006
Presidenti i Gjermanisë Horst Këler përshëndet me rastin e Krishtlindjeve
Presidenti i Gjermanisë Horst Këler përshëndet me rastin e KrishtlindjeveFotografi: picture-alliance/ dpa


Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

gruaja ime dhe unë ju urojmë Krishtlindje të gëzuara dhe të bekuara.

Ky ishte një vit i mirë për Gjermaninë. Kampionati Botëror i Futbollit nuk ishte përrallë. Ai tregoi një komb të gëzuar dhe të aftë, dhe e gjithë bota u gëzua bashkë me ne. Nga kjo mbetet dicka.

Numri i të papunëve më në fund po ulet. Investimet në sipërmarrje po rriten. Produktet tona kërkohen në të gjithë botën dhe reformat e viteve të fundit po fillon të tregojnë rezultate. Mundimi ia vlejti. Shumë kanë kontribuar për këtë zhvillim pozitiv. Unë ju falenderoj të gjithëve përzemërsisht për këtë.

Vrulli ekonomik na jep mbështetje për të ecur. Le ta shfrytëzojmë shansin për ta përgatitur në mënyrë të qendrueshme vendin tonë për sfidat e së ardhmes. Që të krijohen vende pune për njerëzit në Gjermani - kjo mbetet për mua detyra më e rëndësishme. Kjo është edhe përgjigjia më e vendosur ndaj varfërisë dhe përjashtimit social. Puna na ndihmon që ta vëmë nën kontroll me forcat tona jetën dhe na përcjell kuptim për jetën. Prandaj, ne duhet të bëjmë gjithcka, në mënyrë që të rinjtë të gjejnë akses në jetën profesionale. Celësi për këtë është: arsimimi i mirë për të gjithë.

Dhe duhet të kuptojmë edhe shumë më mirë, se cfarë thesari kemi në dijen dhe përvojën e të moshuarve- jo vetëm në botën e punës, por edhe në shoqërinë tonë në përgjithësi.

***

Gjermania nuk është ishull. Ne ndodhemi në një konkurencë ndërkombëtare për cilësinë, e cila prek të gjitha aspektet e bashkëjetesës sonë: cili komb do të arrijë më mirë të zgjojë forcat krijuese të njerëzve të tij? Sa e hapur është një shoqëri për gjëra të reja? Cfarë u ofron ajo familjeve të reja? Në cilin vend ekzistojnë shkollat dhe universitetet më të mira? Si funksionon bashkëjetesa e vendasve dhe emigrantëve? Të gjitha këto varen edhe nga konfiguracioni politik. Prandaj, në këtë konkurencë bëhet fjalë edhe për cilësinë e politikës.

Politikë e mirë- kjo do të thotë në radhë të parë sinqeritet në vlerësimin e forcave dhe të dobësive tona. Kjo do të thotë guxim, për të caktuar shumë synime dhe për t'u matur me to. Dhe kjo do të thotë konsistencë dhe harmoni në veprim. Të gjitha këto ne kemi të drejtë t'i presim. Por nuk duhet të presim që këto gjëra të zgjidhen gjithmonë pa debat. Debatet korrekte për një problem dhe përpjekja për kompromise të arsyeshme janë të pazëvendësueshme në një demokraci.

Të gjithë ata që angazhohen në këtë kuptim, meritojnë besim dhe vlerësim. Prandaj unë ju lutem: jepni kontributin tuaj, që të krijohet një besim i ri. Vendi ynë ndodhet në shndërrim. Suksesi dhe dështimi në raste të tilla janë shumë pranë njeri-tjetrit. Le të gëzohemi për sukseset. Ato meritojnë mirënjohje. Le t'u zgjatim dorën atyre që pësojnë disfata, në mënyrë që të ngrihen sërish në këmbë. Edhe kjo krijon besim.

Gjermania- kjo jemi ne të gjithë. Le t'i kushtojmë së bashku vëmendje demokracisë sonë të lirisë. Të mos harrojmë përgjegjësinë tonë për imtësitë. Ajo është pjesë e përgjegjësisë për të gjithën. Le të ndihemi përgjegjës për Gjermaninë. Eshtë vendi ynë; një vend, në të cilin ia vlen të jetosh. Unë nuk njoh vend më të bukur.

***
Krishtlindjet janë festa e familjes. Prandaj unë dua të përshëndes sot në mënyrë të veçantë familjet në vendin tonë- para së gjithash ato, të cilave këtë vit u lindi një fëmijë, ose që presin një të tillë. Unë i njoh hallet, që mund të lidhen me këtë. Por e njoh edhe lumturinë dhe optimizmin që sjell lindja e një qytetari të ri të globit. Unë gëzohem së bashku me të gjithë prindërit. Dhe uroj me vete që e gjithë shoqëria jonë të thotë në mënyrë vendimtare "po" për fëmijët.

Historia e Krishtlindjeve, siç përcillet në Bibël, përshkruan gjithçka tjetër, por jo një botë të qetë: Shën Mëria dhe Josifi gjejnë strehim vetëm në një grazhd; Shën Mëria mund t'i ofrojë si shtrat të posalindurit të saj vetëm kashtën; dhe pastaj, familjes i duhet të marrë arratinë prej një tirani vrastar. Me të vërtetë që nuk është botë e qetë, ajo në të cilën zhvillohet historia e Krishtlindjeve. Por me këtë histori në botë erdhi një shpresë krejt e re. Këtë shpresë u uroj unë sot para së gjithash atyre, që janë të vetmuar ose të sëmurë, që nuk shohin më perspektivë. Mendimet e mia janë pranë tyre.

Mendja më vete sot edhe tek ato gra dhe burra, të cilët nuk mund t'i festojnë Krishtlindjet me të dashurit e tyre, sepse këtë mbrëmje ata ndodhen në vendet më të ndryshme të angazhuar për njerëz të tjerë. Përshëndetja ime e përzemërt për Krishtlindjet u drejtohet para së gjithash ushtareve dhe ushtarëve të Bundesverit, ushtrisë gjermane, të cilët, larg atdheut, angazhohen për sigurinë e të gjithëve ne dhe për lirinë. Të gjithë ju, unë ju falenderoj përzemërsisht!

Të dashur bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

Ju uroj të keni mundësi në këto ditë festash, që të çlodheni pak dhe të fitoni fuqi të reja.

Të gjithë juve, një festë të bekuar Krishtlindjesh dhe një Vit të Ri të mirë dhe të suksesshëm!