1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përshkallëzohet kriza në Portugali - Plani i kursimeve rrëzohet

Jennifer Fraczek / Lindita Arapi9 Prill 2013

Një goditje e rëndë për kryeministrin Pedro Passos Coelho. Gjykata Kushtetuese e Portugalisë rrëzon pjesërisht planin e kursimeve. Qeveria lëkundet, protestat janë në prag

Fotografi: picture-alliance/dpa

Për një kohë të gjatë ajo konsiderohej nxënësja shembullore ndër vendet në krizë. Portugalia, shteti në jugperëndim të Europës, mori në vitin 2011, 78 miliardë euro nga ombrella e shpëtimit, por në këmbim, vendi duhej t'i nënshtrohej një politike drastike kursimesh. Madje me sukses, siç theksonin herë pas here ekspertët.

Tanimë goditja sprapse: Sipas Gjykatës Kushtetuese, katër nga nëntë vendimet e planit të kursimeve duhet të revizionohen. Mosmiratimi lidhet me shkurtimet në asistencën e papunësisë dhe pagesat gjatë pushimeve për nëpunësit. Kryeministri Pedro Passos Coelho dhe qeveria konservatore duhet të gjejnë alternativa të reja. Rritje të tjera taksash nuk priten, këtë kryeministri e ka kumtuar ndërkohë, por kursimet në sigurimet sociale, sistemin shëndetësor, arsim dhe entet shtetëtore nuk do të ndërpriten.

Kryeministri i Portugalisë, Pedro Passos CoelhoFotografi: Reuters

Kursime të tjera - Demonstrata të tjera

Kundër këtyre planeve pritet që portugezët të protestojnë. Megjithëse ekspertët e ekonomisë e cilësojnë këtë rrugë - si të vetmen për daljen nga kriza. "Qëllimi është arritja e një dinamike të re ekonomike në vend", shprehet Josef Boysen-Hogrefe nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore. Rritja e taksave do të ishte e kundërta e kësaj.

Por Potugalia ende nuk e di, se sa nga pesë miliardë eurot e planifikuara nga kursimet, do të mungojnë për shkak të vendimit të gjykatës. Sipas raportimeve në media duket se do të mblidhen nga 900 milionë deri në 1 miliardë euro më pak nga kursimet.

Matthias Kullas nga Qendra e Politikës Europiane (CEP) në Freiburg beson se kursimet në asistencën e papunësisë dhe pagesat gjatë pushimeve, të hedhura poshtë nga gjykata ende nuk janë të humbura plotësisht. "Kjo nuk do të thotë se shkurtimet anullohen plotësisht, në të njëjtën kohë mund të shkurtohen shërbime të tjera". Gjykata Kushtetuese me sa duket ka qenë e shqetësuar se kursimet janë bërë pa ruajtur ekuilibrin social.

"Nuk është goditje K.O. për qeverinë"

Sipas ekspertit Kulla, qeveria portugeze ka kryer punë të mirë në drejtim të konsolidimit të buxhetit, dhe duhet të vazhdojë me këtë rrugë. Po i njëjti vlerësim vjen edhe nga drejtuesi i Dhomës gjermano - portugeze të Tregtisë, Hans-Joachim Böhmer. Një vendim i tillë është sigurisht një shuplakë për qeverinë, "por nuk është një kriter K.O", shprehet Böhmer për Deutsche Welle-n. "Është normale dhe procedurë demokratike kur një organ kushtetues, i cili ka të drejtën dhe detyrimin, të gjykojë organe të tjera kushtetuese" të përmbushë detyrën e tij.

Böhmer, i cili prej 15 vitesh jeton në Portugali nuk beson se qeveria e Coelhos do të rrëzohet për këtë shkak. Edhe presidenti i vendit, Anival Cavaco Silva e ka kundërshtuar këtë.

Por edhe sikur kjo qeveri të bjerë në vazhdën e ashpërsimit të krizës, kursi i kursimeve nuk ka për të ndryshuar, mendojnë ekspertët. Portugalia është angazhuar në maj 2011 se nga viti 2012 - 2014 do të kursejë deri në 5% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Asokohe ishin socialistët në pushtet. Dhe dy partitë e tjera të mëdha, konservatorët me në krye, Coelhon, dhe partia tjetër popullore me orientim konservator e pranuan këtë kusht.

Megjithëse socialistët janë tanimë në opozitë, ishin ata që negociuan për kushtet lidhur me kreditë e ndihmës. Por kjo nuk i pengon ata ta vënë nën presion qeverinë. Politika strikte e kursimeve "e cila e varfëroi vendin dhe që ka kërkuar sakrifica të mëdha të portugezëve, pa sjellë rezultate" duhet të marrë fund. Këtë kërkesë ata e formuluan bashkë me parti të tjera të majta në një mocion votëbesimi, por pa rezultat.

Plani i kursimeve po lëkundet

Mocioni i votëbesimit është vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Kjo nuk është e vetmja goditje që duhet të presë qeveria portugeze për shkak të politikës së shkurtimeve brenda dy vitesh. "Që më parë ka pasur probleme në zbatimin e planit të kursimeve. Por Portugalia ka rënë në recesion të thellë, i cili lidhet me kursimet dhe ende nuk është kapërcyer", vlerëson eksperti Boysen - Hogrefe. Kur u miratua plani i shpëtimit 2011 kjo nuk ishte llogaritur. "Ndërkohë nund të bëhesh skeptik, nëse Portugalia në fund të vitit të ardhshëm do të jetë vërtet në gjendje të kthehet në tregjet e kapitalit." Pra nuk është edhe aq e pamundur që në fund edhe troika në një pikë apo tjetër të planit të kursimeve të tregohet më zemërgjerë.