1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Përzierje helmesh me efekt të fortë" - Paniku në bursat botërore

20 Gusht 2011

Bursat botërore nuk po e ndalin dot të tatëpjetën. Paniku nga një recesion i ri në ekonominë botërore sundon nga Nju Jorku në Frankfurt. Po ashtu mungon besimi në menaxhimin e krizës së borxheve. Po si duket perspektiva?

Pamje ilusruese
Pamje ilusrueseFotografi: gemenacom - Fotolia/AP/DW

Tregtarët e bursave kanë me siguri frikë nga e hëna dhe nga ajo, që i pret në tregje, thotë specialisti e tregtari i bursave, Fidel Helmer. Bursat ndërkombëtare i ka kapur prej ditësh paniku i një recesioni të ri të ekonomisë botërore. Në të gjithë Evropën ka vazhduar këto ditë shitja e aksioneve në bursa. Ndërsa investorët në tregun e lëndëve të para kanë kërkuar fillimisht shpëtim në blerjen e arit.

Panik në bursën e Nju Jorkut të premten, (19.08)Fotografi: AP

Indeksi gjerman i aksioneve ra përkohësisht të premten me 4,5%, niveli më i ulët ky që nga kriza e fundit në vjeshtën e vitit 2009. Edhe bursat e Londrës, Parisit dhe Milanos pësuan rënie të ndjeshme. Wall Street-i për shkak të frikës në rritje për një recesion kërcënues në Shtetet e Bashkuara e mbylli javën sërish me humbje të forta. Indeksi i vlerave të 30 industrive më të fuqishme ra me 1.6%. Që nga fillimi i trazirave në bursa më 21. Korrik, Dow Jones ka humbur 15% të vlerës.

Fidel Helmer, ekspert gjerman i bursësFotografi: DW

Mungon besimi në menaxhimin e krizës së borxheve

Thomas Mayer, drejtor dhe ekonomist në bankën "Deutsche Bank", i shpjegon kështu pikiatat e bursave botërore. "Kemi të bëjmë me një dobësim të koniunkturës globale. Kjo i ka trembur shumë investorët. Nga ana tjetër ka dyshime të forta për aftësinë e amerikanëve dhe evropianëve për t'i dalë zot malit të borxheve. Në shtetet në ekspansion është rritur inflacioni. Ato janë të shqetësuar që bankat qendrore do të rrisin normat e interesit. Pra aktualisht kemi të bëjmë me një përzierje helmesh, që po jep efekt të fortë në bursa."

Investorët, shkruan gazeta liberale londineze "Independent" mbi valën e shitjeve në bursa të shtunën (20.08), "nga frika e indikatorëve pesimistë të ekonomisë po ndahen edhe nga ato aksione, që e kanë rrezikun me kilometra larg, dhe e fusin paranë në depozita në dukje të patundshme si ari. Bursat botërore nuk gabojnë. Gjendja është vërtet serioze", shkruan "Independent".

Ekonomisti dhe analisti Robert HalverFotografi: dapd

E paskemi ekzagjeruar?

Edhe eksperti gjerman i bursave Fidel Helmer, e pranon seriozitetin e gjendjes." I njoh prej 40 vitesh bursat, dhe më duhet ta them se një rënie të tillë si këto tre javë nuk e kam përjetuar asnjëherë."

Por si duket perspektiva? Për sa kohë do të vazhdojë të sundojë nervoziteti në bursa? Ekonomisti Robert Halver nga Baader Bank shprehet: "Është shumë e vështirë të bësh prognoza, sepse momentalisht pasiguria ka mjegulluar vështrimin perspektiv, një vështrim thelbësor. Por mendoj, se po qe se është e qartë se nuk po futemi në një recesion - e unë këtë nuk e besoj, pasi një recesion i ri do të ishte katastrofal, duhet thënë se për Gjermaninë rreziku nuk është shumë i madh, - atëherë do të na duhet të mendohemi dy herë, dhe të themi: E paskemi ekzagjeruar, kaq keq nuk janë punët."

Autor: AG/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW