1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frauensgipfel Kosovo

Bekim Shehu5 Tetor 2012

Samiti Ndërkombëtar i Grave “Partneriteti për ndryshim, fuqizimi i grave”, i cili po mbahet në Prishtinë ka bërë bashkë rreth 200 gra lidere nga politika, sektori publik dhe ai privat nga Kosova dhe gjithë bota.

Nga punimet e samitit ndërkombëtar të gruas në Prishtinë
Nga punimet e samitit ndërkombëtar të gruas në PrishtinëFotografi: Bekim Shehu

“Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”, është motoja e punimeve të samitit ndërkombëtar të grave, organizimi i të cilit bëhet nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Në mesin e pjesëmarrseve janë, ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, etj.

“Pa përfshirjen e gruas në vendimarrje, nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë në asnjë shtet. Është shumë me rëndësi që të hiqen barrierat për pjesëmarrjen e gruas në politikë, ekonomi dhe në shoqëri”, theksuan shumica e folëseve në mesin e tyre edhe Medeleine Albright.

“Është jetike që femrat, të cilat ngrihen njëherë t'i ndihmojnë femrat e tjera për të bërë përparim. Në këtë mënyrë mund të jemi të sigurt se do të hapen mundësitë edhe për ato dhe që parimi i barazisë të përfshihet në ligjet e çdo shteti”, tha në fjalën e saj Albright.

Duhen hequr pengesat për një pjesëmarrje aktive të gruas në ekzekutiv

Madeleine Albright dhe Atifete Jahjaga në samitin e gruas në PrishtinëFotografi: Bekim Shehu

Nikoqirja e samitit, Atifete Jahjaga, foli për angazhimin e gruas në pozicionet kyçe të jetës institucionale në vend dhe në botë. Megjithëse një grua është e para e shtetit në Kosovë, ajo përsëri kishte kritika për vendin që e drejton.

“Derisa ne e përshëndesim trendin pozitiv në qeverisjen qendrore, gratë kanë megjithatë kanë një përfaqësim të rrallë në zyrat ekzekutive të nivelit lokal . Kjo bën që të pengohet pjesëmarrja e gruas ne jetën publike. Në Kosovë, asnjë grua nuk është në pozitën e kryebashkiakes dhe 70 për qind e grave të papunësuara jetojnë në vendet rurale. Heqja e pengesave të mbetura është jetike për të ardhmen e rajonit dhe për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha presidentja Atifete Jahjaga.

“Për të gjitha këto çështje na duhet më shumë legjislacion, praktika më të mira dhe një zbatim më i mirë. Por, mbi të gjitha, ne kemi nevojë për krijimin e një mase kritike për një transformim kulturor”, tha presidentja.

Pozicioni i gruas - test seriozitetit për të ardhmen e vendit

Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna PusicFotografi: dapd

Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, në fjalën e saj, theksoi se "fuqizimi i pozitës së gruas ndihmon në krijimin e një të ardhme më të mirë. Trajtimi i mirë i grave në një shoqëri, është edhe treguesi më i mirë i orientimit politik të atij vendi", tha ajo. “Politikat vendore dhe ndërkombëtare që trajtojnë pozitën e gruas janë test serioziteti dhe parametër matës për orientimin drejt së ardhmes së një vendi të caktuar”, tha Vesna Pusic.

Presidentja Jahjaga, foli edhe për rëndësinë e Samitit duke thënë se Kosovës dhe rajonit i është dhënë një mundësi për t'u bërë nismëtarë të nismave të reja që garantojnë avancimin e mëtejshëm të gruas si faktor kyç për zhvillim.

“Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive, por gjithashtu për t'ju hapë një mundësi grave të pranishme në samit që të përfitojnë nga perspektivat globale dhe rajonale përmes një shkëmbimi përvojash që unë shpresoj se do të japin rezultate të prekshme dhe partneritete të reja”, tha presidentja Atifete Jahjaga.