Takim Kosovë-Serbi në Bruksel: Pa përparim, vetëm akuza
12 Shtator 2025
Pa ndryshim në qëndrime të palëve dhe pa përparim, u zhvillua në Bruksel një raund tjetër bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e të ngarkuarit të BE-së për dialog, Peter Sorensen. Pala kosovare vazhdon të insistojë në zbatimin në tërësi të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq, pala serbe ka kërkuar që fillimisht të zbatohet pjesa e marrëveshjes që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova kërkon progres për themelimin e një komisioni të përbashkët
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ai ka kërkuar që fillimisht të "ketë progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë”, dhe sipas tij, "Serbia është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar”. "Ata duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë", tha Bislimi.
Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut, ndërsa, më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë. Kryenegociatori i Kosovës tha se ka insistuar në Bruksel që të garantohet plotësimi i një neni të aneksit të marrëveshjes bazë që thotë se "palët dakordohen apo përkushtohen për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike”.
"Kemi kërkuar që obligimi i Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zhvendoset nga fundi i planit në krye të planit. Kemi kërkuar që përmes gjuhës më precize të eliminohet çfarëdo mundësie për ambiguitet apo dykuptimësi. Ndërkohë që Serbia ka refuzuar të japë propozime konkrete. Por, pozicioni i Serbisë mund të përkthehet shumë thjeshtë: së pari Asociacioni parakusht, e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton se në fakt Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike ose refuzon të diskutojë marrëveshjen bazike”, u shpreh Bislimi.
Serbia vazhdon të këmbëngulë për krijimin e Asociacionit
Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, në vitin 2023. Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, por, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët. Kryenegociatori i Serbisë në dialog, Petar Petkoviq, tha pas takimit në Bruksel se ai ka insistuar në themelimin e Asociacionit, duke akuzuar palën kosovare se "nuk është e interesuar që të themelohet një asociacion i tillë”.
"Nëse nuk ka Asociacion, atëherë ngrihet çështja e mbijetesës së popullit serb në Kosovë. Kjo, për ne, është çështje humanitare, sepse populli serb më nuk mund t'i bëjë ballë terrorit që po përjeton nga politikat e Kurtit. Këtë ia thashë qartë zotit Bislimi”, tha Petkoviq. Ndërkaq, sa i përket çështjes së personave të pagjetur, Petkoviq tha se "ne jemi të përkushtuar që kjo çështje të zgjidhet, fillimisht për shkak të familjarëve që po presin më shumë se 20 vjet për të kuptuar të vërtetën e plotë lidhur me të dashurit e tyre”.
Kritika për takimin në Bruksel
Pjesëmarrjen e kryenegociatorit të Kosovës në dialog me Serbinë e kritikoi njëra nga partitë e deritanishme opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK tha, se "përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani”. Kjo për faktin që Kosova akoma nuk ka qeveri të re. "Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli”, tha LDK në reagimin e saj.
Raundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve që u mbajt të enjten në mbrëmje në Bruksel, u zhvillua pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, gjatë muajit gusht qëndroi në Kosovë dhe Serbi. Në Kosovë ai bisedoi me udhëheqësit e institucioneve qendrore, duke insistuar në zbatimin e Marrëveshjes me Serbinë për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve që pati me Sorensen në Beograd, tha se është thelbësore që dialogu me Kosovën të "kthehet tek obligimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Kosova dhe Serbia, për themelimin e këtij asociacioni, janë pajtuar përmes dy marrëveshjeve më 2013 dhe 2015 në kuadër të dialogut.