1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa-Varësia e votës për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

4 Dhjetor 2010

Në Kosovë, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12-të dhjetorit kanë aplikuar 2,162 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa në terren do të jenë aktive 115 ekipe mobile. Por, sa ju sigurohet atyre pavarësia e votës?

Ansicht von einem dorf in den Bergen im Kosovo
Fotografi: DW

Edhe pse pengesat në të ecur nuk ia pamundësojnë qasjen deri te kutitë e votimit, Ardita Peci, 30 vjec nga Vushtria, nuk ka votuar asnjëherë në jetën e saj. „Nuk kam votu se na thoshin se për persona me aftësi të kufizuara vinë te shpia. Por s´kanë ardhë kurrë“, thotë Ardita, e cila tash e tutje do të veprojë ndryshe. „Do të dal në zgjedhje. Inshallah!”

Ardita Peci nga VushtriaFotografi: DW

Dhe Komisioni Qendror Zgjedhor ka parasysh përfshirjen e të gjithe qytetarëve me të drejtë vote në procesin e votimit, thotë Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së, në Prishtinë.

„Ata persona, të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotime, në bazë të një afati ligjor kanë aplikuar prej 6 deri me 26 nëntor, kur edhe ka qënë kjo periudhë aplikimi”, thotë z.Ajvazi, sipas të cilit Sherbimi Votues i Komisionit Qendror Zgjedhor ka pranuar 2,162 aplikacione të personave me aftësi të kufizara, thotë z. Ajvazi. Ndërsa në bazë të planeve operacionalë për zgjedhjet gjatë procesit të votimit do të jenë aktive 115 ekipe mobile, të cilat do të përkujdesen për përfshirjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje.

(Pa)Varësia e votës

Afrim Kurtalani, administrator i Shoqatës të të Shurdhërve të Kosovës.Fotografi: DW

"Këta persona gjatë aplikimit kanë pas edhe një formular të veçantë, në të cilin kanë përshkruar mënyrën, në të cilën janë të interesuar të votojne. Në kategoritë e personave me aftësi të kufizuara hynë edhe të burgosurit, apo të tjerë, që për arsye të ndryshme nuk mund të jenë pjesë aktive e posaçërisht për personat me aftësi të kufizuara”, thotë zoti Ajvazi.

Personit me aftësi të kufizuara, qoftë i lindur, apo i aksidentuar, duhet t´i garantohet pavarësia e votës. Por fletaplikimet në alfabetin e Brajit për të verbërit dhe interpreti i Gjuhës së Shenjave për personat të shurdhërit mungojnë, thotë Enver Kurtalani, administrator i Shoqatës të të Shurdhërve të Kosovës.

"Informacione të tilla janë dhënë në gjuhen e folur shqipe, mirëpo jo edhe nëpërmjet gjuhës së shenjave për komunitetitn tonë, i cili sipas OSBE-së numëron rreth 20-25 mijë persona të shurdhër, apo me dëmtime në dëgjim. Kjo dëshmon se neve nuk na është ofruar qasje e barabartë“, thotë z. Kurtalani, i cili në këtë Ditë Ndërkombtare për Persona me Aftësi të Kufizuara, përmend dy vështirësitë kryesore të këtij komuniteti: pensionin prej vetëm 45 euros, i cili në të shumtën e rasteve edhe ju mohohet si dhe familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilave që nga shtatori nuk iu është ofruar përkrahje materiale.

Përpjekje për avancimin e pozitës në shoqëri

Habit Hajredini, drejtues i zyrës për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisëFotografi: DW

Zyra për Qeverisje të mirë në kuadër te Kryeministrisë, është kompetente për zbatimin e Planit për Veprim për Personat me Aftësi të Kufizuara. Habit Hajredini, kryesues i kësaj zyre përmend disa nga përparimet që janë bërë gjatë përpjekjeve për përmirësimin e kushteve për jetë të personave me aftësi të kufizuara. „Eshtë punu në zyrtarizimin e gjuhës së shenjave për persona, që nuk degjojnë. Po punohet në draftimin e ligjit për personat e verbër. Eshtë përkrahur organizata „Handicap Kosova“ me 24 mijë euro, pastaj Shoqata e të Verbërve, Shoqata që punon me komunitetin e prekur me sindromin Dawn, janë përkrah me 24 mijë euro me projekte të përbashkëta të Komisionit Evropian“.

Sipas Organizates Botërore të Shëndetësisë në Kosovë janë rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara, shifër e cila besohet të jetë shumë më e lartë. Dhe krahas përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për avancimin e pozitës së tyre gjendja vazhdon të jetë e rëndë dhe pa ndonjë ndryshim të dukshëm.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW