1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pagë minimale edhe për punëtorë nga BE-ja?

Jennifer Stange/Eliana Xhani24 Shkurt 2014

Kushtet e këqija në therrtoret gjermane shpesh përfundojnë në titujt e gazetave. Tani punëdhënësit dhe sindikata kanë rënë dakord për një pagë minimale. A do të përfitojnë edhe punëtorët nga vende të tjera të BE-së?

Lohnsklaven
Fotografi: picture alliance / Fotoagentur Kunz

16.000 derra therren dhe paketohen çdo ditë në therrtoren e firmës Tönnies në Weißenfeld në Sachsen-Anhalt. Megjithëse kuota e papunësisë në këtë zonë është dukshëm më e lartë se mesatarja në rang Federate, punëtorët e lëvizsshëm, pra shtetas nga vende të tjera të BE-së, janë prej vitesh të pazëvendësueshëm për firmën Tönnies, thotë drejtori i fabrikës Stefan Caspar.

Ai njëkohësisht shprehet me shumë entuziasëm për punëtoret dhe punëtorët nga Polonia, Hungaria dhe Rumania. Firma rumune Ninbog merr përsipër në Weißfeld therrjen e derrave gjatë 24 orëve. "Ata kanë bërë punë të shkëlqyer që nga dita e parë", lëvdon Caspar. "Personel shumë i kualifikuar të cilin ne thuajse nuk e shihnim më."

Firma nënkontraktuese të huaja tek firmat gjermane

60 për qind e 2000 punëtorëve të Tönnies nuk kanë ndërkohë kontratë pune direkt me therrtoren. Ata merren në punë nga firma nënkontraktuese nga Evropa Lindore. Punëtorët lidhin një kontratë pune për një shërbim të caktuar me sipërmarjen e përgjithshme Tönnies dhe sjellin punëtorët e tyre për therrjen dhe copëtimin e mishin. Drejtori i fabrikës Caspar kontrollon vetëm produktin përfundimtar. Për gjithçka tjetër kujdesen firmat nënkontraktuese: për mbikqyrjen gjatë punës, përcaktimin e normave, pagat dhe respektimin e orareve të punës. Për këtë arsye drejtori i fabrikës nuk mund të janë informacion se sa fitojnë punëtorët hungarezë, polakë apo rumunë tek Tönnies.

Mario Predescu nga Rumania është 27 vjeç dhe punon prej shtatë vitesh tek Tönnies por është në borderonë e firmës rumune Ninbog: "Këtu në Gjermani: punë e mirë, pagesë e mirë, gjithçka bukur", thotë ai me gjermanishte të çalë.

Gjithçka bukur? Kjo është ndoshta e vërtetë nëse e krahason me Rumaninë ku do të fitonte vetëm rreth 250 euro në muaj. Por kushtet në therrtoret gjermane përfundojnë vazhdimisht në titujt e gazetave. Punëtorët evropianolindorë shpesh marrin vetëm tre deri pesë euro në orë, kritikon sindikata "Ushqim - Kënaqësi - Restorante". Firma rumune Ninbog nuk jep asnjë informacion për këtë. Edhe kryepunëtori Predescu nuk thotë për këtë asgjë dhe punëtorët e tjerë që këtë ditë janë në fabrikën e Tönnies, duket sikur nuk e kuptojnë pyetjen ose largohen pa u përgjigjur.

Fotografi: Jennifer Stange

Pas skandaleve vjen tani paga minimale

Nga muaji korrik të gjithë punëtorët në therrtore dhe në fabrikat e përpunimit të mishit duhet të marrin një pagë minimale prej 7,75 euro në orë. Kështu është përcaktuar në marrëveshjen e re për pagën minimale të sektorit. Por kjo vlen patjetër për gjithë të punësuarit në therrtoret gjermane, thotë sociologia e punës Bettina Wagner. Paga minimale do të ishte e detyrueshme edhe për punëtorët e huaj vetëm nëse sektori i mishit do të hynte në ligjin për standardet minimale të punës për sektorë të caktuar. Sipas njoftimeve të agjencive gjermane të lajmeve, të premten (21.02.2014) Karl Schiewerling dhe Wilfried Oellers, ekspertë të tregut të punës të grupit parlamentar të partive unioniste në Bundestag, thanë se këto ditë qeveria gjermane do të ndërmarrë hapa për futjen e sektorit të mishit në ligjin në fjalë.

Për momentin qytetarët e BE-së, të cilët punojnë në industrinë gjermane të mishit nëpërmjet firmave të huaja nënkontratuese, janë juridikisht të varur nga ligjet e vendit të origjinës. Një situatë e cila penalizon fuqinë e huaj punëtore dhe nxit shfrytëzimin, kritikon Bettina Wagner. Ajo punon në zyrën këshëllimore për punonjësit e lëvizshëm të Federatës Gjermane të Sindikatave në Berlin, i vetmi vend që ofron konsulencë të këtij lloji në pjesën lindore të Gjermanisë për fuqinë punëtore të huaj.

Fotografi: Jennifer Stange

Mashtrim me pagat dhe dokumente të rreme

Paga nën kosto dhe mashtrim me pagat janë tema të vazhdueshme në orarin e pritjes së Bettina Wagnerit. Para së gjithash në sektorë të cilët financiarisht kontribuojnë pak dhe nuk kanë thuajse fare përkrahje shoqërore, puna gjithnjë e më shumë kryhet nga evropianolindorë, shpjegon sociologia e punës. Në sektorin e mishit veç kësaj ka edhe një problem krejt të veçantë. Vërtet firmat e huaja nënkontraktuese duhet të dëshmojnë se ofrojnë sigurim shëndetësor për të punësuarit e tyre. Por në rastet e shumta të lëndimeve në punë në sektor jo rallë konstatohet se të prekurit nuk janë të siguruar dhe u duhet të përballojnë vetë shpenzimet e mjekut.

Edhe strehimi i punëtorëve të huaj lë vënd për kritika: shpesh ata duhet t'u paguajnë punëdhënësve të tyre qera shumë të larta për banesa me kushte minimale. Kamarierja në lokalin në afërsi të therrtores në Weißenfeld tregon se punëtorët e Tönnies janë të detyruar të banojnë dhjetë vetë në një apartament me dy dhoma. Asnjë nga burrat evropianolindorë nuk vjen për një birrë në lokal.

"Paga të njëjta për të njëjtën punë!": këtë parim e konsideron të drejtë dhe drejtori i fabrikës së Tönnies, Stefan Caspar. Por në sipërmarrjen e tij ka ende një hendek të madh në paga mes punonjësve të rregullt të firmës dhe atyre evropianolindorë.