1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak të reja për Ukrainën në takimin e ministrave të NATO-s

4 Dhjetor 2024

Në takimin e parë të ministrave të jashtëm të NATO-s nën udhëheqjen e tij, shefi i Aleancës Mark Rutte u përpoq të vendoste një ton të ri. Por nuk kishte asgjë më shumë për t'i ofruar Ukrainës përveç fjalëve të mira.

Rezidenca e NATO-s në Bruksel
Rezidenca e NATO-s në BrukselFotografi: Benoit Doppagne/dpa/picture alliance

U desh pak kohë që 32 ministrat e jashtëm të NATO-s të përqendroheshin për foton përfundimtare. Ata shtrënguan duart. Lituania dhe Suedia u përqafuan; kush e di se kur do të shihen përsëri. Ishte padyshim takimi i fundit për amerikanin Anthony Blinken. Gjermania dhe Britania e Madhe mbërritën në momentin e fundit dhe u pritën me duartrokitje, si në një ekskursion me shkollën, kur më në fund të gjithë arrijnë të hipin në autobus.

Atmosfera në fund të takimit ishte e mirë, më e mirë se situata. Sepse pas dy ditësh konferencash, fjalimesh dhe informacionesh, përshtypja mbeti e njëjtë: bota "është në flakë", ose siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte: "Aleanca në rritje midis Rusisë, Kinës, "Koresë së Veriut dhe Iranit nxjerr në pah natyrën globale të rreziqeve me të cilat përballemi”.

Rutte flet me Lars Lokke Rasmussen, ministri i Jashtëm i DanimarkësFotografi: Virginia Mayo/AP/dpa/picture alliance

"Lufta ilegale e Rusisë na kërcënon të gjithëve"

Rusia furnizon me raketa Korenë e Veriut, mbështet programin e saj bërthamor dhe për këtë arsye kërcënon edhe SHBA. "Lufta ilegale e Rusisë kundër Ukrainës na kërcënon të gjithëve”, tha shefi i NATO-s në fund të takimit. Një mesazh për Uashingtonin se lufta në Ukrainë nuk është vetëm një çështje evropiane.

Rutte e kryesoi për herë të parë takimin e ministrave të jashtëm të 32 vendeve anëtare. Holandezi vendosi një ton të ri në krahasim me paraardhësin e tij Jens Stoltenberg. Rutte arriti t'i përcillte edhe lajmet jo të mira sikur po shpërndante një buqetë me tulipanë.

Një shembull për këtë ishte kërkesa e Ukrainës për t'u bashkuar shpejt me NATO-n: "Ekziston tashmë një urë për në NATO, por tani duhet së pari të sigurohemi që Ukraina të mund të negociojë me rusët nga një pozicion i të fortit."

Anthony Blinken flet në takimin e NATO-sFotografi: Virginia Mayo/AP Photo/picture alliance

Baerbock propozon prani ndërkombëtare në Ukrainë

Në takim, negociatat për paqe u diskutuan me një frekuencë të pazakontë. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock përmendi elementet bazë të një marrëveshjeje të tillë: "Garanci sigurie politike dhe materiale, anëtarësim në NATO, prani ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin, tërheqje e trupave, çështje territoriale, rindërtim dhe menaxhim i sanksioneve”.

Por kreu i NATO-s tha se shumë mendimeve që qarkullojnë aktualisht nuk dëshiron t'u shtojë edhe të vetat, tha ai në deklaratën përfundimtare. Kjo do të thotë se forcat paqeruajtëse evropiane me pjesëmarrjen gjermane do të mbeten për momentin vetëm ëndrra.

Por negociatat kanë dalë nga shishja dhe presioni mbi Ukrainën do të rritet, veçanërisht nga administrata e re amerikane. Megjithatë, është ende e paqartë se çfarë saktësisht ka në mendje Donald Trumpi për Ukrainën.

Annalena BaerbockFotografi: Michael Kappeler/picture alliance/dpa

Më shumë para për mbrojtjen

Ajo që është e qartë, megjithatë, është se shtetet anëtare do të duhet të shpenzojnë më shumë para për mbrojtjen në të ardhmen. Edhe për këtë tërhoqi vëmendjen në mënyrë miqësore, por të vendosur kreu i NATO-s. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për frikësimin ushtarak.

Aleanca është në rrezik edhe nga brenda. Kërcënimet variojnë nga shkatërrimi i kabllove të të dhënave, dezinformimi dhe shantazhi deri te instrumentalizimi i refugjatëve. NATO po fokusohet në parandalimin dhe trajnimin, por edhe në bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës.

Këtu SHBA luajnë sërish një rol të rëndësishëm. Evropianët zgjasin dorën matanë detit: Mark Rutte ka vizituar tashmë Floridan dhe Presidenti francez Emmanuel Macron ka ftuar Presidentin e ardhshëm të SHBA Donald Trump këtë fundjavë në përurimin e Katedrales Notre Dame, si dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.

Sabrina Fritz/ARD

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë