1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistani lufton kundër talibanizimit

6 Korrik 2007

Pakistani ka një rrugë të gjatë për të bërë në luftë kundër islamizmit militant. Këto ditë duket së paku sikur po bëhen përparime në këtë rrugë

Trupat e ushtrisë pakistaneze rreth Xhamisë së KuqeFotografi: AP

Forcat pakistaneze të sigurisë dhe islamistë militantë zhvillojnë që të martën luftime përreth xhamisë së kuqe me medreset e saj në qënder të Islamabadit. Edhe pse qindra studente dhe studentë i kanë plotësuar kërkesat e forcave të sigurisë dhe janë larguar nga godina, aty vazhdojnë të qëndrojnë shumë persona të armatosur.

Qeveria pakistaneze siç duket nuk është më e gatshme, që të pranojë provokacionet e ekstremistëve fetare të stilit taliban në mes të Islamabadit. Nxënëset e nxënësit e shkollës së koranit të Xhamisë së Kuqe në qënder të kryeqytetit pakistanez kishin tërhequr javët e fundit vëmendjen, duke sulmuar dyqane videosh dhe CD-sh, me përmbajtje jo islamike dhe duke rrëmbyer prostituta nga rrethinat, së fundi edhe kineze.

Kina, tradicionalisht e lidhur ngushtë me Pakistanin, me presionin e saj politik duhet të ketë bërë, që talibanizimi në qendrën e kryeqytetit pakistanez të bëhet një turp i padurueshëm për qeverinë. Një gjë dëshmon së paku zhvillimi aktual, se islamistet militantë në Pakistan të quajtur zakonisht "xhihadistë", janë izoluar shumë në spektrin politik, social dhe fetar të vendit.

Shumica e pakistanezeve janë të kënaqur, që fantazma e Xhamisë së Kuqe sipas të gjitha gjasave do të ketë së shpejti një fund. Kjo megjithatë nuk do të thotë fundi i talibanëve në Pakistan. Sidomos gjendja në rajonin kufitar me Afganistanin vazhdon të jetë problematike. Që pikërisht këto ditë atje shtohen sulmet ndaj forcave pakistaneze të sigurisë, nuk mund të jetë rastësi. Edhe informacionet e brendshme të qeverisë dëshmojnë, se atje po ndodh një talibanizim, që është bërë kërcënim për stabilitetin politik. Qeveria islamiste e provincës kufitare veriperëndimore distancohet nderkohë nga "xhihadistët".

Një strategji bindëse, se si mund të kontrollohen territoret pashtune të Pakistanit, nuk ka. Tani kërkohet në rradhë të parë një linjë e qartë politike e qeverisë pakistaneze. Ajo nuk mund t´i instrumentalizojë më konfliktet me "xhihadistët" si lojë taktike në luftën për pushtet me opozitën. Pakistani në tridhjetë vitet e fundit, duke filluar me diktatorin ushtarak Zia ul-Hag, ka mjaft përvoja të këqija, që grupimet ekstremiste ushqeheshin me qëllim që të arriheshin përfitime politike.

Kjo lojë me zjarrin duhet të marrë fund një herë e mirë. Për fat të keq ka dyshime të justifikuara, se qeveria aktuale, ushtria dhe sidomos shërbimet sekrete janë më të vertetë të gatshme për këtë.

Kështu rrethe të gjera të opozites dhe popullsisë pakistaneze janë të mendimit, se qeveria e ka inskenuar artificialisht grindjen për xhaminë e kuqe, apo se paku e ka zgjatur atë, për të larguar vemendjen nga protestat kundër suspendimit të Gjykatesit të lartë, Iftikhar Chaudhary, nga Musharafi. Përderisa ekziston kjo bindje, në Pakistan nuk do të kete një aleancë të gjerë me forcat antiekstremiste.

Edhe në Waziristan vazhdon loja me zjarrin. Qeveria ka bërë atje marrëveshje me të ashtuquajturit "talibanët lokalë", për të dëbuar xhihadistet e huaj nga mbarë bota. Ajo pranon, që një grup ekstremist të forcohet, për të luftuar kundër të tjerëve. As marrëveshje të tilla të dyshimta, as aksionet masive ushtarake kundër ekstremistëve nuk do të çtensionojnë situatën në territoret e fiseve. Në vend të kësaj këto zona kanë nevojë për participim politik dhe për zhvillim ekonomik.

Së fundi ka edhe një aspekt të politikës globale. Politikanë të të gjitha ngjyrave në Pakistan tentojnë, që të ekzagjerojnë prirjet antiislamike në perëndim dhe t´i instrumentalizojnë për mobilizimin politik të brendshëm.

Se sa e ngushtë është vija që të ndan nga justifikimi i hapur i terrorizmit për motive fetare e ka treguar para pak kohe kontroversi i ndezur për "Sir" Salman Rushdinë. Por sharjet antibritanike të ministrit pakistanez të fesë u interpretuan nga përfaqësuesit e Xhamisë së Kuqe si inkurajim për atentatet vetëvrasëse. Edhe kjo është një lojë e rrezikshme.
Pakistani ka një rrugë të gjatë për të bërë në luftë kundër islamizmit militant. Këto ditë duket së paku sikur po bëhen përparime në këtë rrugë.