Pala shqiptare e përgatitur për vazhdimin e bisedimeve
14 Mars 2006![Bisedimet në Vjenë, 20 shkurt 2006](https://static.dw.com/image/1910321_800.webp)
Grupi Negociator i Kosovës, diskutoi modalitet e takimit të Vjenës që do të mbahet me datën 17 të këtij muaji, ku pala shqiptare dhe ajo serbe pritet të bisedojnë sërish për decentralizimin dhe të drejtat e pokicave në Kosovë. Udhëheqësi i Grupit Negociator, presidenti, Fatmir Sejdiu, tha se pala kosovare serish është e përgatitur për vazhdimin e këtyre bisedave, ndërsa grupi i Prishtinës vazhdon të jetë unik.
Delegacioni i Prishtinës që do të udhëtojë për në Vjenë, kësaj radhe do të kryesohet nga kryetari i PDK-së në opozitë, Hashim Thaqi. Ky i fundit thotë se, në Kosovë të gjithë udhëheqësit politik duhet të kenë përgjegjesi për procesin në të cilin ndodhet vendi.
Në takimin e sotëm të Grupit Negociator të Kosovës, i pari pas ndryshimeve në qeveri dhe parlament, morën pjesë edhe dy anëtarët e rinj të këtij mekanizmi të lartë politik, kryeministri, Agim Çeku dhe kryetari i kuvendit, Kolë Berisha. Sidoqoftë, në takimin e Vjenës ku pala kosovare dhe ajo serbe e Beogradit do të takohen për herë të dytë me datën 17 Mars, përveç çështjes së decentralizimit do të bisedohet edhe për trashigiminë kulturore e fetare të pakicave dhe për ekonominë. Kjo ishte kërkesë e ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari, të cilit gjatë qëndrimit të fundit në Kosovë pala kosovare i dorëzoi dokumentin me argumente për pozitën e barabartë, që do ta kenë pakicat pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.