1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Palestinezët njohin shtetin izraelit?!

Klemens Ferenkote28 Qershor 2006

Në mes të shkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, dy grupet rivale paletstineze kanë rënë dakord për një zgjidhje që nënkupton dy shtete. Palestinezët kanë hartuar një dokument me të cilin njihet shteti izraelit. Ndërkohë Izraelitët dhe palestinezët po aramatosen për një konflikt të mundshëm.

Fotografi: AP


Nën hijen e grumbullimit të forcave ushtarake izraelite rreth rripit të Gazës dhe paralajmërimeve të militantëve palestinezë për pasojat e një ndërhyrje të mundshme izraelite, dy grupet rivale palestineze kanë rënë dakord për njohjen e shtetit izraelit.

Presidenti Mahmut Abaz, lideri i Fatahut dhe kryeministri Ismail Hanija, shef i Hamasit, janë dakorduar në parim lidhur me këtë dokument. Në dokument bëhet fjalë për një zgjidhje e cila nënkupton krijimin e dy shteteve. Pra për krijimin e shtetit palestinez dhe njohjen e shtetit izraelit.

Palestina do të duhej të përfshinte Rripin e Gazës, Jordanin perëndimor dhe Jerusalemin lindor, i cili do të ishte edhe kryeqyteti palestinez. Pas marrjes së pushtetit prej Hamasit, në mars të këtij viti, SHBA, dhe Bashkimi Evropian i kanë vënë palestinezëve sanksione financiare, për shkak se Qeveria e re nuk e njeh shtetin izraelit, nuk ka hequr dorë nga dhuna dhe nuk i respekton marrveshjet e mëparëshme.

Në dokumentin e miratuar sot thuhet se zgjidhja duhet të shkojë në favor të interesave të palestinezëve. Lidhur me këtë zëdhënësi i Fatahut, Rauhi Fatuh thotë: "Në Komitetin për debate janë mënjanuar të gjitha pengesat". Komiteti përbëhet prej udhëheqësve të Fatahut dhe Hamasit. Mirëpo, Izraeli më parë ka pohuar se ky dokumet është cështje e brendëshme palestineze. Prandaj është irelevant.

Vendimi i sotëm erdhi në një kohë të tendosjeve të mëdha, pas rrëmbimit të një ushtari izraelit. Rrëmbyesit kërkojnë prej Izraelit lirimin e grave dhe të gjithë të rinjë nën 18 vjet, prej burgjeve izraelite. Kjo kërkesë është në përputhje me kërkesat e shumicës palestineze. Izraelitët kanë vazhduar përgatitjet për ndërhyrje të mundëshme, ndërkohë që militantët palestinezë thonë se ata do të rezistojnë.
"Cionistët armiqësorë duhet ta dinë se futja në Rripin e Gazës do të ishte një gabim i madh. Ne i sigurojmë se reagimi jonë do të jetë shumë i fuqishëm. Armiku do të jetë përgjegjës për këto aksione dhe do të pendohet", thotë një zëdhënës i cili i shmanget marrjes së emrit Izral në gojë.

Izraelitët mendojnë se ushtari i marrë peng gjendet në jug të Rripit të Gazës. Zgjidhja e këtij problemi konsiderohet edhe si testi i parë i rëndësishëm për presidentin Ehud Olmert dhe ministrin e mbrojtjes Amir Perez.