1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Panairi i Frankfurtit - vend mik Sllovenia

18 Tetor 2023

Për të 75-herë hapi dyert Panairi i Librit në Frankfurt - skena më e madhe botërore e takimit të shkrimtarëve, botuesve, miq të librit, politikanëve e figurave të njohura. Vend i ftuar është Sllovenia.

Edicioni i 75- i Panairit të Librit në Frankfurt - njerëz duke ecur para një pllakati
Edicioni i 75- i Panairit të Librit në Frankfurt Fotografi: Arne Dedert/dpa/picture-alliance

Këtë vit Panairi i Frankfurtit mbledh më shumë se 4200 botues nga 95 vende deri më 22 tetor. Mijëra botime të reja prezantohen në stendat e shtëpive botuese. Më shumë se 6000 përfaqësues të mediave kanë udhëtuar për në Frankfurt. Vend mik i ftuar është Sllovenia. Startimin e kësaj feste të librit e shënon dhënia e Çmimit Gjerman të Librit, i cili për vitin 2023 iu dha shkrimtarit austriak, Tonio Schachinger. Romani i tij "Në kohë të drejtpërdrejtë" rrëfen historinë e një adoleshenti vjenez, që pushton botën me lojërat kompjuterike. Ky çmim vlerësohet me 25.000 euro. Pika kulmore e Panairit të Frankfurtit është dhënia e Çmimit të Paqes të Shoqatës Gjermane të Botuesve dhe Librashitësve 2023 në Kishën Paul shkrimtarit të njohur, Salman Ruzhdie. Shkrimtari indiano-britanik u lëndua para një viti rëndë pas një atentati. Fjalimin e nderimit për Ruzhdie e mban shkrimtari gjerman, Daniel Kehlmann. Vitin e kaluar këtë çmim e mori shkrimtari i njohur ukrainas, Serhij Zhardan.

Sir Salman Ruzhdie u lëndua rëndë në një atentat para një viti në Nju JorkFotografi: Andrew Matthews/AP/picture alliance

Këtë vit Frankfurti ka ftuar Slloveninë me dy milionë banorë si vend mik, një vend me numër të madh poetësh dhe një traditë të gjatë të kultivimit të bletëve. Prandaj "Fjalë të hojeve" është zgjedhur si moto e prezantimit të Sllovenisë. Një nga autorët e njohur mes 70 të ftuarve është edhe Drago Jancar, i cili së fundmi ka publikuar romanin "Kur u krijua bota". Në bisedë me Deutsche Wellen, Jancar thotë, se "nuk mund të hesht, kur shoh, se diçka nuk të bën të ndjehesh mirë". Për përvojën në sistemin e dikurshëm në vendin e tij ai thotë se nuk ka qenë "kurrë i lumtur". "Unë e njoh ndryshimin mes sistemit autoritar, totalitar, dhe jodemokratik, dhe demokracisë." Sllovenia dikur pjesë e Jugosllavisë socialiste është sot anëtare e NATO-s dhe BE-së, pjesë e eurozonës.

Që para hapjes së Panairit, sulmi brutal i Hamasit hodhi hije mbi të. Hamasi kategorizohet nga Gjermania, SHBA, Izraeli dhe vende të tjera si organizatë terroriste. Programi i panairit nuk ndryshon, megjithatë do të dëgjohen më shumë zëra izraelitë, bëri të ditur, drejtori i Panairit të Frankfurtit, Jürgen Boos.

Fotografi: Arne Dedert/dpa/picture-alliance

Panairi i parë në vitin 1949

Panairi i Frankfurtit i hapi dyert për herë të parë në vitin 1949, si një shenjë e rifillimit të jetës kulturore në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Në edicionin e parë të tij erdhën vetëm 205 botues gjermanë, sot ai është panairi më i madh në botë i librit dhe një simbol ndërkombëtar. Herë pas here panairi është tronditur nga skandale e debate të forta. Që në vitin 1959 Günter Grass me romanin e tij "Daullja e llamarintë" shkaktoi debate të mëdha, kurse në vitin 1998 ishte një fjalim i Martin Walserit pas marrjes së Çmimit të Paqes që shkaktoi valë të fortë reagimesh. Shkrimtari kritikoi aty se gjermanëve iu mbahet para syve e shkuara nacionalsocialiste, dhe se kjo nuk ndihmon për ta mbajtur vazhdimisht në kujtesë kritike epokën nacionalsocialiste. Drejtuesi i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Ignatz Bubis e akuzoi atëherë Walser për "zjarrvënie shpirtërore". Kurse në vitin 2017 pati një debat të madh për lejen e dhënë shtëpive botuese me sfond ekstremist të djathtë. Në vitin 2021 disa autore me ngjyrë anuluan vizitën në panair për shkaqe sigurie. Kurse pandemia e Coronës e detyroi panairin të hiqte dorë nga prezantimi në hollet gjigande për t'u prezantuar virtualisht.

Fotografi: Helmut Fricke/dpa/picture-alliance

Ndër temat më të rëndësishme në panair këtë vit renditen inteligjenca artificiale, ndryshimi i klimës dhe lufta kundër populizmit dhe ekstremizmi. Edhe forcimi i partisë populiste gjermane, AfD, lufta në Ukrainë dhe shkallëzimi i krizës në Lindjen e Afërt do të jenë pjesë e diskutimeve në podiumet e shumta të panairit.

 

Stefan Dege redaktor dhe autor në redaksinë e kulturës