1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Panairi i librit në Lajpcig

16 Mars 2012

Panairi i librit në Lajpcig prezanton të rejat nga Lindja. Ai është festë leximi për qytetin dhe urë drejt letërsisë së Evropës Lindore.

Fotografi: dapd

Kur Oliver Zille cilësohet nga kryebashkiaku i Lajpcigut Michael Faber si fakt artistik, të cilin do ta nxirrte një ditë më së miri në muze, atëherë duhet kuptuar si kompliment dhe nuk ka të bëjë aspak me moshën e të lavdëruarit. Sepse si drejtor i panairit të Lajpcigut Zille në vitet e fundit ai ka kontribuar shumë, për ta bërë "motrën e vogël" të panairit të Frankfurtit një event të mrekullueshëm pranveror të librave. Gjë që u realizua edhe për arsyen, se Lajpcigu e ka parë veten gjithmonë si vend inovacioni dhe si panair i ri. Këtu gjejnë podium si lexuesit e rinj, ashtu edhe autorët e rinj dhe skena e pavarur e shtëpive botuese. Suksesi është i dukshëm. Tetë përqind më shumë ekspozues se një vit më parë janë regjistruar ër vitin 2012. Më shumë se 2600 aktivitete në panair dhe qytet bashkojnë lexuesit dhe autorët..

Inovacion dhe traditë

Tregu i librit po tkurret, konstatoi Gottfried Honnefelder, kryetar i shoqatës së bursës të tregtimit të librit gjerman, në konferencën e shtypit në hapje të panairit. Të ardhurat në vitin 2011 kanë rënë me 1,8% dhe shitja e librave në librari po bie vazhdimisht. Nga ana tjetër libri digjital përparon ngadalë, por me siguri dhe me të edhe shitja e platformave online. Përfaqësuesve kryesorë të kësaj dege i krijon shqetësim debati agresiv për të drejtën e autorit në internet. "Liria në internet" nuk do të thotë "falas". Puna krijuese duhet të shpërblehet. "Pronësia intelektuale siguron shumëllojshmërinë kulturore", tha ai.

Në Lajpcig ajo tregohet në rradhë të parë në vendosjen e pikërendesave mbi letërsitë e Evropës Lindore dhe Juglindore. Tradicionalisht panairi e ka kuptuar veten si një urë për tregun gjerman të librit. Pikërendësesat e ndryshme të programit dhe "çmimi i librit për mirëkuptimin në Evropë" kanë shërbyer gjithmonë, që disa njolla të bardha të zhduken nga harta e letërsisë.

Fotografi: Leipziger Messe

Tranzit në tregun gjerman të librit

Me titullin "Tranzyt" shkrimtarë nga Polonia, Ukraina dhe Bjellorusia do të jenë për tre vjet në fokus në Lajpcig, nën patronazhin e fituesit të çmimit të vitit të kaluar, shkrimtarit austriak Martin Pollack. Tre vende, që ndodhen në faza të ndryshme të tranzicionit, të tranzitit, shpjegon Pollack titullin. Edhe kushtet e punës së shkrimtarëve janë shumë të ndryshme. "Gjendja në Bjelllorusi është shumë e zymtë, thotë Pollack. Vendi nën diktatorin Lukashenko po shkon në regres. "Me terma konkretë kjo do të thotë cenzurë". Nganjëherë botimi i një libri pengohet edhe duke u ndërprerë shtypshkronjave furnizmin me letër. "Nuk është rastësi", thotë Pollack, “që një pjesë e autorëve jetojnë jashtë shteti dhe shumë libra të rëndësishëm botohen jashtë shteti", si në Lituani, në Poloni dhe në rradhë të parë në Rusi. "Eshtë domethënëse për situatën, që Rusia në shumë gjëra është më liberale se Bjellorusia."

Europa në periferi

Me gjithë dallimet panairi i ka përqëndruar në një të tre vendet. Sepse ato kanë prej shekujsh një histori të përbashkët, ku kufijtë janë ndryshuar në mënyrë të përsëritur, edhe kufijtë gjuhësorë. Ata krijojnë një rajon – dhe këtu vijmë tek laureati i sivjetëm i cmimit evropian të librit Timothy Snyder –, që ka vuajtur si nën rregjimin e terrorit të Stalinit si edhe atë të Hitlerit, nën okupacion, genocid dhe aksione hakmarrjeje. "Bloodlands", tokë e larë me gjak, titullohet libri i historianit amerikan. Një rajon, që për një kohë shumë të gjatë ndodhej pas perdes së hekurt dhe që edhe tani, në Europën e marrëveshjes së Shengenit ndodhet përsëri në periferi. Një rajon thotë Martin Pollack, ku literatura merr shumë më tepër nga historia se sa në perëndim. Një histori, që po ta njihnin do të ishte përfitim edhe për lexuesit në Gjermani, sepse është gjithsesi "histori evropiane, një pjesë e historisë sonë." Shkrimtaret dhe shkrimtarët nga Polonia, Ukraina dhe Bjellorusia, të cilët panairi dëshiron t'i rekomandojë për tregun e librit, do të kontribuonin shumë për këtë.

Martin PollackFotografi: picture alliance/ZB

Autorin: Gabriela Schaaf/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida CAma