Panairi “Studimi dhe hulumtimi në Gjermani” informoi të interesuarit
1 Tetor 2010
Qendra e Gjermanishtes në Tiranë është vënë e gjitha në dispozicion të atyre, që kërkojnë të mësojnë më shumë mbi kushtet e studimit në universitetet dhe institucionet kërkimore shkencore gjermane. Në kënde të ndryshme gjen përfaqësues nga Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, nga Instituti “Gëte”, nga Enti Qendror për Sistemin Shkollor jashtë vendit, nga Ambasada Gjermane në Tiranë etj.
Milde Misaxhiu ka mbaruar vitin e parë në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Arsyeja se përse ajo ka ardhur në panair është për të parë mundësitë e vijimit të studimeve në universitetet gjermane.
“Do të doja që të realizoj një master po në degën e inxhinierisë së ndërtimit. Shpresoj për këtë. Megjithëse mora vesh që bursat ishin jo aq të lirshme. Do të duhet të bëj një vit punë këtu në Shqipëri. Por këtu është thuajse e pamundur që të bësh një vit punë pa e mbaruar ende shkollën, sidomos të punësohesh në shtet. Une e di që Gjermania është më e mirë për fushën e inxhinierisë së ndërtimit se sa vendet e tjera”.
Erlad Maçi ka kryer shkollën e mesme në Shqipëri dhe pas disa javësh do të nisë studimet në nivelin Bachelor në Shtutgart për mjekësi ushqimore. Ai është duke pyetur organizatorët e panairit për mundësitë e mëtejshme për master dhe doktoraturë po në Gjermani. Sepse që tani ai ka planifikuar të ardhmen e realizimit të studimeve universitare dhe pasuniversitare.
“Çfarë kam për karrierën time akademike dua që t'i kryej atje në Gjermani. Sa do të mundet do t'i mbaroj atje, megjithëse të ardhmes nuk i dihet”.
Arlinda Koçi ka mbaruar ekonomikun e mesëm dhe është duke u interesuar për gjetjen e një shkolle të lartë. Ajo ka bërë për 5 vjet mësim në gjuhën gjermane dhe thotë se e përballon studimin në çdo degë që t'i ofrohet nga fusha e ekonomisë.
“Jam e interesuar që studimet t'i kryej jashtë shtetit, konkretisht në Gjermani, pasi mendoj se niveli i shkollave atje është më i lartë, ndërkohë që më pëlqen shumë dhe gjuha gjermane”.
Interesim për studime të larta
Në ambjentet e panairit nuk mungojnë dhe prindërit, të cilët shoqërojnë në çdo hap fëmijët e tyre. Ata janë të interesuar për çdo detaj, sidomos për aspektet e mbulimit ekonomik të shpenzimeve.
Dr. Holger Kächelein është njëri prej lektorëve të Shërbimit të Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, në Shqipëri. Ai thotë për DW se nga të interesuarit ka një mendim se studimi në Gjermani bëhet vetëm në gjuhën gjermane.
“Jo. Universitetet gjermane ofrojnë dhe programe studimi edhe në gjuhën angleze. Pra nuk është e nevojshme që të ketë njohuri të thella në gjuhën gjermane, por mund të përfitosh nga një nivel i pranueshëm në anglisht. Ajo që i duhet një kandidati që do të ndjekë studime të tilla është një nivel fillestar i gjermanishtes, të paktën për t'u familjarizuar me aspekte të jetës së përditshme në rrugë, në dyqan etj. Me njohuri të mira në gjuhën angleze mund të ndjekësh edhe nivele më të larta se Bachelor-i, si p.sh. master, ose doktoraturë”.
Një nga ofertat, që diskutohet mes të pranishmëve është ajo e Komitetit për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Përendimore, që në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Kooperim Ekonomik e Zhvillim në Gjermani ofrojnë kualifikime me nje periudhë 3 deri në 6 muaj. Ky është një program i posaçëm për vendet e Ballkanit Përendimor në fusha të ndryshme si financë, inxhinieri, informatikë etj.
Autor: Arben Muka/Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi