Panetta i kërkon falje popullit afgan
19 Prill 201218 fotografitë e bëra në vitin 2010 i janë dërguar gazetës nga një ushtar amerikan. "Me këtë ai ka dashur të tregoj të metat e zinxjirit komandues, por edhe mungesën totale të disiplinës", thuhet në artikullin e gazetës 'Los Angelos Times'. Për këtë rast është shprehur edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta. "Ne e dënojmë ashpër atë çfarë kemi parë në këto fotografi. Sjellja që shprehet në ato fotografi shkel absolutisht rregullat tona dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, vlerat tona kryesore. Kjo nuk jemi ne dhe kjo me siguri që nuk pasqyron atë që përfaqësojnë pjesa më e madhe e burrave dhe grave në uniformë, të cilët janë duke shërbyer atje", tha Panetta.
Amerikanët paralajmërojnë hetime
Panetta shtoi se bëhet fjalë për një dukuri, e cila ka rënë ndjeshëm. "Por kjo nuk do të thotë se ky rast, i cili ka ndodhur në vitin 2010 nuk do të hetohet në hollësi dhe se nuk do të kërkohet dënimi i duhur i atyre që janë përgjegjës", tha sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe shtoi:
"Më lejoni të them edhe këtë: Në Afganistan kemi luftë. Lufta ka anën e saj të shëmtuar dhe sjell dhunë. Po ashtu unë e di se ndonjëherë ushtarët humbasin kontrollin dhe ndodh që ata të veprojnë gabimisht. Nuk po mundohem të justifikoj sjelljen e tyre, por unë nuk dua që një imazh i tillë në të ardhmen të jetë me pasoja për trupat tona, as nuk dua të rrezikojë marrëdhëniet tona me popullin afgan".
Panetta: I kërkojmë falje popullit afgan
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta tha se fotografitë e tilla rëndojnë shumë marrëdhëniet mes ushtrisë amerikane dhe popullit të Afganistanit. Kështu ai vuri në dukje dëmin që ka shkaktuar publikimi i tyre në gazetë. Panetta deklaroi se ai është përpjekur për të ndaluar publikimin e këtyre fotografive: "Kemi kërkuar nga gazeta 'Los Angeles Times' që të mos i publikojë këto pamje. Arsyeja për këtë është se skandalet e tilla më së tepërmi përdoren nga armiqët tanë për të shkaktuar dhunë që çon në humbjen e jetës së njerëzve. Prandaj na vjen shumë keq që fotografitë janë botuar".
Në fund, sekretari amerikan i Mbrojtjes në emër të ministrisë së tij dhe qeverisë amerikane i ka kërkuar falje popullit afgan.
Autor: dpa/ E. Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi